Bisha del nga kafazi

Nga Lutfi Dervishi

Në një natë magjike në fushën e futbollit, Armando Broja, sulmuesi 22 vjeçar i Chelseat, u ngjit në lartësi të papara ndonjëherë me një gol që ndezi zjarr zemrat dhe i vuri flakën rrjetit.

Me tituj si “Armando Broja fluturon”, duket se fusha nuk ishte e vetmja gjë që sulmues me numër 9 i Çelsit pushtoi mbrëmë në Londër në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Anglisë kundër ekipit Preston që luan në kategorinë e dytë dhe ndodhet në vendin e 14 në renditje.

Kur lexon titullin “Bisha u lirua nga Kafazi”, rri e mendon se mbrojtësit e ekipit kundërshtar u bënë pishman që kishin zgjedhur të luanin futboll ndërsa portieri me siguri në atë moment vendosi të dorezojë dorashkat dhe të ndërrojë profesion.

“I gjithë stadiumi në këmbë” ishte titulli më befasues. Për herë të parë mbrëmë mësuam se kur bëhet gol tifozët ngrihen në këmbë. Raportimet nga terreni njoftojnë se ndërsa tifozet e Çelsit u ngritën në këmbë për të festuar golin e parë, tifozët e Prestonit u ngritën në këmbë për të parë “një shqiponjë në Londër”, tjetër titull që fluturoi nga një portal në tjetrin.

Teksa Broja shënoi një gol me kokë, titujt e kurorëzuan si “gol fantastik”, ndoshta për faktin se topi pas goditjes përfundoi në rrjetë.

Pas golit të mbrëmshëm të Brojës librit të gazetarisë sportive i është shtuar një kapitull i ri.
Titujt bombastik rivalizojnë jo vetëm operacionet ushtarake (Raketa/predha e Brojës), por edhe ato policore dhe të kronikës së zezë (Bisha del nga kafazi…)

Pas golit të Brojes nuk është detyrë e lehtë të dallosh një fushë futbolli nga fushë beteja në Ukrainë apo në rripin e Gazës.

Me këtë raportim sportiv, ku çdo gol është një triumf dhe çdo lojtar është një luftëtar, performanca e Armando Brojës ka tejkaluar çdo gjë.

Ai nuk është më thjesht lojtar, është fenomen. Goli i tij nuk i dhuron ekipit thjesht fitoren. Fitorja është pak, Triumfi është më e pakta që mund të thuhet.

Gazetaria sportive ka qenë zhanri i më i besueshem i gazetarisë për opinionin publik. Nëse një ndeshje dilte 4-0, si ndjeshja e mbrëmshme e Çelsit, askush nuk e vinte në diskutim rezultatin. Të gjithë gazetat dhe programet raporton in 4-0! por me shqiponjën e ngritur mbrëmë në Londer nuk kemi thjesht ndeshje, kemi spektakël madhështor.

Duket se leksiku që do të shoqërojë Brojën do të evoluojë me shpejt se vendimet e VAR.
Futbolli nuk është më loja ku shënohen gola, tani jemi në lojën e madhe të pushtimit qiejve dhe daljes se bishës nga kafazi

P.S. Broja është nga talentet që rrallë i vijnë Shqipërisë, por me maninë për ta ekzagjeruar druaj se më shumë e dëmtojmë se e ndihmojmë.

Exit mobile version