Bixhozi arsimor i Evropës. Pse nuk mjaftojnë 130 miliard euro për të fituar garën në një botë që ndryshon?

* A do të mund axhenda europiane e arsimit dhe aftësive të trajtojë rezultatet në rënie dhe boshllëqet e inovacionit për të siguruar konkurrencë dhe kohezion?

Më 1 dhjetor 2024, Ursula von der Leyen filloi mandatin e saj të dytë me një ekip të ri Komisionerësh, duke paraqitur një vizion ambicioz për një Evropë të lirë, demokratike, të fortë, të sigurt, të begatë dhe konkurruese. Megjithatë, ky vizion përballet me një botë që është përfshirë në trazira: lufta në Ukrainë, gjenocidi dhe tensionet në Lindjen e Mesme. Nga ana tjetër Kina po rrit ndikimin e saj gjeopolitik dhe marrëdhëniet transatlantike janë të tendosura nga pëshpëritjet e kufizimeve të reja tregtare. Mes këtyre sfidave globale, a mund të ngrihet axhenda evropiane e arsimit dhe aftësive për të kontribuar në vizionin e një Evrope konkurruese?

Gjendja e arsimit dhe aftësive në BE reflekton kontraste të forta. Rezultatet e PISA-s 2022 tregojnë rënie të performancës arsimore dhe pabarazi në rritje. Ndërsa gjimnazistët dhe studentët evropianë performojnë në të njëjtin nivel me bashkëmoshatarët amerikanë në lexim, shkencë dhe matematikë, ata kanë mbetur ndjeshëm pas që nga viti 2018. Gati 30 përqind e gjimnazistëve të BE-së nuk arrijnë të përmbushin aftësinë minimale në matematikë dhe 25 përqind në lexim dhe shkencë. Në mesin e nxënësve të pafavorizuar, mosarritjet në matematikë janë gati 50 për qind. Rënia e nxënësve dhe e studentëve me performancë të lartë është veçanërisht shqetësuese, ndërkohë që shtetet e Azisë Lindore si Makao, Tajvani, Hong Kongu dhe Singapori shënojnë vazhdimisht rritje.

Arsimi i lartë ofron një histori më të ekuilibruar. Financuar me 5 miliardë euro nga Komisioni i mëparshëm, programi Erasmus+ ka çuar në investime të konsiderueshme në cilësinë e arsimit dhe lëvizshmërinë e studentëve. Por në sistem shfaqen edhe probleme. Pabarazitë rajonale dhe ikja e trurit dobësojnë peizazhin e arsimit të lartë në Evropë, ndërsa universitetet më të mira në SHBA vazhdojnë të tërheqin mendjet më të zgjuara. Ndërkohë, rritja e Kinës në arsimin e lartë, e mbështetur nga investimet masive shtetërore, paraqet një sfidë në rritje.

Historia e inovacionit është më e zymtë. SHBA është lider i padiskutueshëm në fusha si inteligjenca artificiale, e mbështetur nga partneritete të gjera publiko-private, një ekosistem i lulëzuar i kapitalit sipërmarrës dhe institucione kërkimore të klasit botëror. Kina është shfaqur si lider në automjetet elektrike, teknologjitë e gjelbra dhe gjysmëpërçuesit. Aktualisht Kina zë mbi 70 për qind të shitjeve globale të automjeteve elektrike. Strategjitë e fragmentuara të Evropës, kapitali sipërmarrës i kufizuar dhe stimujt e dobët tatimorë pengojnë konkurrencën.

Një raport i fundit i FMN-së vë në dukje pabarazinë: gjatë dekadës së fundit, investimet vjetore të kapitalit sipërmarrës të BE-së ishin mesatarisht 0.2 përqind të PBB-së, krahasuar me 0.7 përqind në SHBA. Nga viti 2013 deri në 2023, fondet e BE-së për zhvillimin dhe cilësinë në arsim ishin 130 miliardë dollarë, një kontrast i fortë me 924 miliardë dollarë në SHBA (kontinenti ynë financon gati 7 herë më pak se Amerika). Ky boshllëk financimi dobëson përpjekjet Evropës për të tërhequr talentin dhe për të mbajtur sipërmarrjet në një nivel premtues, duke zgjeruar hendekun me konkurrentët globalë.

Plani i BE për arsimin

Udhëzimet e reja politike të BE për tiu bërë ballë sfidave, siç u prezantuan verën e kaluar, tregojnë ambicie të mëdha. Ato shpallin krijimin e një “Bashkimi të Aftësive”, duke i dhënë përparësi të mësuarit gjatë gjithë jetës, trajnimit të mësuesve dhe njohjes ndërkufitare të kualifikimeve për të përmirësuar lëvizshmërinë e punës. Plani Strategjik i propozuar i ‘STEM Education’ synon të ndryshojë performancën në rënie në matematikë dhe shkencë, ndërsa inkurajon gratë dhe vajzat të ndjekin karrierën në teknologji dhe inxhinieri. Arsimi dhe trajnimi profesional do të zgjerohet për të harmonizuar programet e ndërtimit të aftësive me nevojat e tregut të punës.

Iniciativat si Iniciativa e Transportueshmërisë së Aftësive dhe kuadri i Diplomave Evropiane synojnë të harmonizojnë kualifikimet në të gjithë shtetet anëtare. Për më tepër, Politikat Rinore dhe Bordi Këshillues Rinor janë krijuar për të rritur angazhimin qytetar midis të rinjve evropianë. Udhëzimet njoftojnë gjithashtu kërkime dhe plane veprimi në mbarë BE-në për sfidat shoqërore si ndikimi i mediave sociale në shëndetin mendor, varësia që ato mund të krijojnë dhe ngacmimi kibernetik.

Këto iniciativa megjithatë rrezikojnë të jenë margjinale pa adresuar çështje më të thella strukturore. Mungesa e strategjive kohezive të investimeve dhe shpërndarja e pabarabartë e burimeve nëpër shtetet anëtare vazhdojnë të minojnë kapacitetin e BE-së për të arritur qëllimet e saj ambicioze. Suksesi i axhendës së BE-së për arsimin dhe kualifikimet qëndron në aftësinë e saj për të shkuar përtej masave simbolike dhe për të dhënë rezultate të prekshme që rezonojnë me qytetarët dhe udhëheqësit politikë në të gjithë shtetet anëtare të BE-së.

Përtej simbolizmit

Në raportin e tij të fundit mbi të ardhmen e konkurrencës evropiane, Mario Draghi paraqet disa propozime premtuese për të shkuar përtej simbolizmit. Përparësi kryesore, argumenton ai, është pajisja e evropianëve me aftësitë e nevojshme për të përfituar nga teknologjitë në zhvillim. Kjo përfshin mundësitë e të mësuarit gjatë gjithë jetës përmes tranzicionit të punës të lehtësuar nga programet e edukimit dhe rikualifikimit të vazhdueshëm. Draghi vë në dukje përfshirjen rajonale në inovacion dhe aftësi. Investimet në arsim, transport, strehim dhe lidhje dixhitale duhet të shtrihen përtej zonave metropolitane në rajone të pashërbyera, duke mos lënë asnjë zonë pas. Ai këmbëngul gjithashtu se BE duhet të garantojë të drejtën për arsimim dhe rikualifikim për të gjithë fuqinë aktive për punë, një hap vendimtar për t’i mundësuar ata të përshtaten me përparimet teknologjike dhe kalimin në industri të reja.

Ndërsa nismat si Horizon Europe kanë bërë përparime, boshllëqet e vazhdueshme në kapitalin sipërmarrës dhe shkallëzimi i inovacionit zbulojnë një hapësirë ​​të konsiderueshme për përmirësim. Investimet publike në kërkimin shkencor dhe cilësinë e arsimit të lartë duhet të rriten për të adresuar këto sfida. Programi Erasmus, megjithëse i suksesshëm, nuk e ka trajtuar plotësisht çështjen e ikjes së trurit. Për ta kundërshtuar këtë, politikat e kohezionit mund të fokusohen në bërjen e arsimit të lartë në rajonet që përjetojnë emigracionin e studentëve më tërheqës për talentet nga e gjithë BE-ja. Pa adresuar këto pabarazi, Evropa rrezikon të rrëshqasë më tej në konkurrencën globale.

Testi përcaktues i BE-së

Ndërsa ambicia e Komisionit të udhëhequr nga von der Leyen ofron një vizion shpresëdhënës, rezultatet e rënies arsimore, zgjerimi i boshllëqeve të inovacionit dhe pabarazitë e vazhdueshme rajonale, nxjerrin në pah shkallën e detyrave në të ardjmen. Për të konkurruar globalisht, Evropa duhet të shkojë përtej gjesteve simbolike ose reformave në rritje. Suksesi nuk varet nga nismat e izoluara të vendeve, por nga një përpjekje kolektive për të investuar dhe për tu reformuar. Raporti i Draghit dhe thirrje të tjera për investime më të thella në arsim dhe inovacion ofrojnë një udhërrëfyes për veprim. Suksesi i tyre varet nga vullneti politik dhe pranimi i publikut.

Në fund të fundit, rreziku i Evropës për arsimin dhe aftësitë nuk ka të bëjë vetëm me konkurrimin në një botë që ndryshon: ka të bëjë me përcaktimin e rolit të saj në glob. Propozime të tilla si Unioni i Aftësive dhe investimet në STEM kanë potencialin për t’i pajisur evropianët me mjetet e duhura për sukses, si në inovacion ashtu edhe në udhëheqje. Konkurrueshmëria dhe kohezioni i ardhshëm i BE-së varen nga kjo.

* Artikulli është shkruar nga Jo Ritzen dhe Job Zommerplag dhe është pjesë e Projektit “EU Forward” Evropa Sociale që drejtohet në bashkëpunim me Friedrich-Ebert-Stiftung.

Exit mobile version