Presioni për të paguar faturat e energjisë elektrike në kohë apo për të shlyer dhe detyrimet e prapambetura, duket se i drejtohet më shumë klientëve familjarë e privat. Ndërsa institucionet vijojnë të shtojnë borxhet ndaj OSHEE.
Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, janë pikërisht bizneset, por dhe qytetarët më të ndërgjegjshmit për faturat e energjisë elektrike.
Me 1.2 miliardë lekë reduktuan borxhet e tyre bizneset në periudhën janar-korrik 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Duke arritur kështu në 11.2 mld lekë, ndërsa në të njëjtën ecuri janë edhe qytetarët. Por institucionet buxhetore dhe ato jobuxhetore duket të jenë gjithmonë në krizë teksa detyrimet e tyre vetëm rriten nga muaji në muaj. Kryesisht ministritë I rritën borxhet e tyre me 177 milionë lekë duke arritur kështu në 4.9 miliardë lekë. Ndërsa entet publike, përfshirë edhe ujësjellësat e rritën detyrimet me 1.25 miliardë lekë.
Problematika e pagesave nga institucionet publike ndaj OSHEE nuk është e re. Edhe më herët të dhënat kanë treguar se ujësjellësit, njësitë vendore apo institucione të tjera nuk respektojnë afatet e pagesave duke akumuluar debi të konsiderueshme ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë.
Në total deri në muajin korrik u regjistruan 3.1 milionë fatura të akumuluara me kamatvonesa, ndërsa vlera e tyre ra në 695 milionë lekë.
Sipas kontratës që OSHEE ka nënshkruar me klientët e saj, afati i fundit për likujdimin e faturave është dita e fundit e muajit pasardhës. Mospagimi i detyrimit mujor brenda afatit të përcaktuar, shoqërohet me një kamatëvonesë, që llogaritet në masën 0.1% e faturës totale, për çdo ditë vonesë. Në rast se energjia e konsumuar vijon të mospaguhet, kontrata parashikon përshkallëzim të penaliteteve që shkojnë deri në ndërprerje të energjisë elektrike.