Në kulmin e sezonit turitik, bizneset e këtij sektori thonë se po përballen me fatura të larta të energjisë elektrike. Përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA) se si për shkak të tarifës së ndryshuar në fillim të vitit të kaluar, edhe faturimi me tension të ulët kanë bërë që kostoja e energjisë të rritet 48%, duke qenë më e lartë se në rajon. Me përllogaritjen e re biznese të shumë sektorëve po përballen me fatura më të larta, por në turizëm, shqetësimi është bërë masiv, pasi energjia zë njëe vend të rëndësishëm në shpenzimet e tyre. Me përllogaritjen e re bizneset faturohen 14 lekë për kilovatorë, nga 9.5 dhe 11 lekë që është për konsumatorët e tjerë, dhe pse një vlerësim i Entit Rregullator të Energjisë i ka dhënë të drejtë sipërmarrjes, ato vazhdojnë të faturohen njësoj. E teksa çdo ditë, mediat ndërkombëtare, tradicionale apo sociale nuk po rreshtin së promovuari Shqipërinë, si destinacioni ende sekret i Europës, falë bukurisë që i ka falur natyra, një tjetër realitet shfaqet kur “zbret me këmbë në tokë”. Probleme që duket se nuk mbarojnë kurrë, që zvarriten vit pas viti e po zgjasin tranzicionin në turizëm, që është gjithmonë në përpjekje për të gjetur busullën për t’u orientuar. Pritshmëritë ishin të larta (dhe ende shpresohet) për drejtuesit e njësive akomoduese në zonat bregdetare të vendit, por sot nga goja e tyre nuk dëgjon lajme të mira. Ankohen për ndërprerjet e gjata dhe të stërmundimshme të energjisë (Saranda, por edhe Vlora), për papastërtinë dhe mungesën e infrastrukturës e sinjalistikës (Velipoja), por edhe për plazhet që nuk po monitorohen si duhet. Ankesa kanë edhe për mungesën e cilësisë dhe profesionalizmit në sektorin e shërbimeve. Hotelierët shqiptarë po përballen me fenomene të reja siç është menaxhimi i ofertave, i dhomave, i personave, përgatitja për një sezon më të zgjatur, përgatitja dhe menaxhimi i ofertave gjysmë pension apo pension i plotë, marrëdhënia e një forme të re me tur-operatorët shqiptarë dhe të huaj, etj. Kjo reflekton vonesa në shërbime apo pasaktësi të vogla derisa këta hotelierë të ambientohen me këtë fenomen të ri. Sokol Hoxha, drejtues i agjencisë turistike “Shkodra Travel”, thotë se problemet në këtë rajon janë të shumta e ku më shqetësuese është papastërtia, pirgjet e mëdha me mbeturina dhe inerte që nuk po zhvendosen e po ndotin imazhin e një vije bregdetare që llogaritet në 14 kilometra. Sipas zotit Hoxha, problematike mbetet edhe situata e infrastrukturës rrugore ku mungon ndriçimi dhe sinjalistika, gjë e cila krijon shqetësim te turistët, veçanërisht ata që po e vizitojnë për herë të parë. Çështja e menaxhimit të plazheve publike është një problem që nuk po merr zgjidhje, duke qenë se sipërmarrjet private po ngurrojnë të investojnë (tarifa për marrjet e plazheve publike me qira është 4,000 lekë/m² në muaj). Sa i përket kërkesës për pushime, zoti Hoxha thotë se ato kanë qenë në nivele minimale, ku shifrat kanë qenë veçanërisht negative gjatë qershorit. Drejtuesit e njësive akomoduese parashikojnë njëfarë gjallërimi të kërkesës me përfundimin e muajit të Ramazanit. Ndërsa turistët e nacionaliteteve të ndryshme, sipas drejtuesit të agjencisë “Shkodra Travel”, numërohen me gishtat e dorës, pritshmëritë për ardhjet e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia janë më të ulëta se një vit më parë. Në lidhje me ardhjen e rusëve përmes Malit të Zi, zoti Hoxha thotë se ata janë kryesisht turistë njëditorë, por që kërkojnë standarde dhe shërbim të lartë e për të cilët vendi ynë nuk i plotëson kushtet. Në Vlorë, Radhimë a më tej deri në Sarandë, situata është gjithashtu e vështirë. Energjia elektrike mungon për një kohë të gjatë dhe kjo është bërë shkak që shumë pushues të huaj të ndërpresin pushimet.