Shoqatat e biznesit paraqesin disa arsye kundër aplikimit të taksës në Rrugën e Kombit. Shoqata “Biznesi për Biznesin” në bashkëpunim me Kryetarët e Bashkive të Kukësit, Hasit e Tropojës, deputetët e Qarkut të Kukësit, përfaqësues të Avokatit të Popullit, si dhe Shoqërisë Civile, ka organizuar dje takimin e zgjeruar me fokus: “Unifikim i qëndrimit për taksën në Rrugën e Kombit”. Në këtë takim, pas diskutimeve të shumta pjesëmarrësit dolën me një qëndrimin të përbashkët kundër aplikimit të kësaj takse, për arsyet e mëposhtme:
1- Ndërtimi i Rrugës së Kombit është bërë me fonde publike, jo me koncesion.
2- Mirëmbajtja e rrugëve paguhet si akcizë në çdo litër karburant.
3- Kjo taksë nuk përputhet me Strategjinë Kombëtare të Turizmit dhe shkakton humbje financiare për buxhetin e shtetit.
4- Rajoni i Kukësit nuk ka një rrugë tjetër alternative që e lidh me pjesën tjetër të vendit.
“Për këto arsye, Ne i drejtohemi Qeverisë Shqiptare që ta konsiderojë kërkesën tonë për anulimin e taksës dhe do të presim reagimin e saj në një afat 10 ditor, përpara se bashkërisht të ndërmarrim hapa të tjerë të reagimit publik, mbyllje të bizneseve, protesta deri në mosbindje civile”, thuhet në njoftimin për aktivitetin.
Kjo kërkesë do t’i drejtohet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama; Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj; Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta; Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi; Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka.
Koncesioni i mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës do u kushtojë qytetarëve shqiptarë rreth 600 milionë euro në 30 vitet e ardhshme. Fatura marramendëse zbulohet nga vetë dokumentet zyrtarë të tenderit. Sipas dokumenteve, kompania e shpallur fituese në tender, turkja “Vendeka Bilgi” do të arkëtojë 523.3 milionë euro nga pagesat direkte të qytetarëve që do të përdorin rrugën dhe 72.8 milionë euro të tjera si subvencion nga buxheti i shtetit. Në total shuma shkon 596.1 milionë euro. Sipas koncesionit, për 30 vitet e ardhshme çdo automjet që kalon në rrugën Durrës-Kukës do të paguajë një tarifë prej 5 euro për të përshkuar segmentin 114 kilometër të rrugës, ndërkohë që për 13 vite buxheti do i japë kompanisë 72.8 milionë euro subvencione. Dokumentet e tenderit tregojnë se, kompania e shpallur fituese “Vendeka Bilgi”, edhe pse parashikon më shumë investime, do të marrë më shumë të ardhura nga qytetarët dhe buxheti. Më konkretisht sipas dokumenteve, në 30 vitet e ardhshme, kompania fituese do të arkëtojë në total 596.1 milionë euro nga koncesioni, nga të cilat pjesa dërrmuese do të paguhen drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa 72.8 milionë euro do të subvencionohen nga buxheti i shtetit.