Bizneset “luftë” me njëri-tjetrin, ankesat në shifra rekord

Gjatë vitit 2015 bizneset e sektorëve të ndryshëm kanë pasur ankesa dhe konflikte të shumta me njëri-tjetrin, çka i ka detyruar t’u drejtohen institucioneve për të zgjidhur problemet e tyre. Numri i ankesave të adresuara pranë Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit 2015 është 50 kundrejt 33 ankesave të depozituara gjatë vitit 2014, fakt i cili ka krijuar mundësinë e identifikimit të problematikave në tregje, sipas Autoritetit të Konkurrencës. Referuar ankesave të ndara sipas sektorëve rezulton se numri më i madh ka qenë në tregun e komunikimeve elektronike, ku gjatë vitit të kaluar ishin 22 ankesa të operatorëve që operojnë në tregun përkatës kryesisht për çështje të rregullimit nga autoriteti rregullator (AKEP).
Risi për ankesat, thekson Autoriteti, vihet re në sektorin e medias audiovizive me pagesë, kryesisht lidhur me detyrimin e operatorëve televizivë për të transmetuar pa pagesë në platformat dixhitale ose kabllorët. Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës ka filluar monitorimin e tregut për të dhënë vendimet përkatëse për hapjen e tregut për konkurrencë dhe heqjen e të drejtave ekskluzive të transmetimit të televizioneve kombëtare dhe lokale për t’i vendosur operatorët në kushtet e “barazisë në treg”. Prokurimet publike mbeten shqetësuese në këndvështrim të konkurrencës, problematika e të cilës i referohet prokurimit të shërbimit të rojeve fizike, madhësisë së loteve, si dhe kritereve të veçanta në procedurat e prokurimit, vlerëson konkurrenca.
Edhe institucionet publike kanë kërkuar ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës në rastet e dyshuara për kufizim të konkurrencës në treg. Autoriteti përmend rolin pro–aktiv të Kontrollit të Lartë të Shtetit në rastin e denoncimit të një marrëveshjeje të mundshme të ndaluar në prokurimin publik të unazës së re të Tiranës si dhe dy ankesa nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për procedurat e prokurimit publik të shërbimit e – taxation dhe shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike.
Sektori i energjisë elektrike, gjithashtu ka shfaqur probleme në funksionimin e tij dhe përveç një proçedure të thelluar të hetimit për blerjen e energjisë nga OSHEE për mbulimin e humbjeve, ka patur edhe ankesa kryesisht për diferencimin e faturimit të biznesit mes tensionit të ulët dhe tensionit të mesëm, si dhe çështjet e rregullimit të disa – balancave.
Tregu i telefonisë ka qenë sërish objekt i procedurave hetimore nga Autoriteti i Konkurrencës nisur mbi bazën e ankesës së operatorëve më të vegjël të tregut mbi diskriminimin e tarifave dhe ofertave për thirrjet brenda me jashtë tregut. Pas përfundimit të procedurave hetimore, Komisioni i Konkurrencës vendosi mbi detyrimin e ndërmarrjes me pozitë dominuese Vodafone Albania për zbatimin e masave detyruese për barazimin e tarifave dhe minutave brenda e jashtë rrjetit dhe që të ndalojë të aplikojë tarifa në nivel pakice që kanë efekt diskriminues për sipërmarrësit e rrjeteve të tjera celulare kombëtare, për të gjitha ofertat e hedhura në treg. Shumë jetike për mirëfunksionimin e këtij tregu është roli i entit rregullator, thekson Autoriteti i Konkurrencës.
Nisur nga disa monitorime të ndërmarra nga Autoriteti i Konkurrencës ndërvite dhe problemet e identifikuara për tregun bankar, Komisioni i Konkurrencës vendosi për realizimin e një studimi të plotë të këtij tregu, i cili do të mundësojë të adresohen rekomandimet e duhura për mirëfunksionin e këtij tregu tepër jetik për ekonominë e vendit. Krahas ankesave pranë Autoritetit të Konkurrencës, numri i ankesave në Gjykatën Administrative për këtë sektor ka arritur shifra rekord këtë vit, ndër të cilat ankimimet bëhen për vendime të AKEP.

Exit mobile version