Bizneset në borxhe edhe për shpenzimet e përditshme

Kërkesa e bizneseve për kredi ka mbetur thuajse e pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit 2016. Bankat raportojnë rritje të kërkesës për ndërmarrjet e vogla e të mesme, ndërsa kërkesa për kredi e ndërmarrjeve të mëdha raportohet me rënie. Kërkesa e bizneseve në tremujorin e dytë, sipas qëllimit të përdorimit, është regjistruar me rritje për kapital qarkullues dhe me rënie për investime. Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, e cila do të gjenerohet nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bankat vlerësojnë se kërkesa e bizneseve për kredi është nxitur nga nevoja për financim për kapital qarkullues edhe për financim të investimeve. Vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe mungesa e financimeve alternative e kanë ndikuar gjithashtu pozitivisht këtë kërkesë. Nga ana tjetër, situata makroekonomike në vend gjatë këtij tremujori është perceptuar me ndikim negativ në kërkesën e bizneseve për kredi. Afërsisht 100% e bizneseve mendojnë se, forcimi i masave shtrënguesve dhe gjobave super të larta në nëntor të vitit të kaluar i hapi rrugë korrupsionit e abuzimeve, përkeqësoi klimën e biznesit, rriti stresin e bizneseve dhe harxhoi një pjesë të mirë të energjive të bizneseve për përmbushjen e kritereve, por pa krijuar kushtet e favorshme që implementimi i ligjit të ishte optimal. Nëse masat ndëshkuese me gjoba dhe kontrolle të shpeshta fizike do të riktheheshin, 100% e bizneseve kanë pohuar se do të reagonin në masë, duke mbyllur aktivitetin të paktën me letra. Këto rezultate kanë dalë nga një studim shkencor mbi efektet dhe implikimet e ligjit për Procedurat Tatimore që zhvilloi “Nisma Thurje” me mbështetjen e Perform (Performing and Responsive Social Sciences, është një projekt i financuar nga SDC dhe i implementuar nga HELVETAS Sëiss Intercooperation, në bashkëpunim me Institutin për Evropën Qendrore dhe Lindore të disa fakulteteve të Universitetit të Fribourgut.) Pjesë e hulumtimeve ishte edhe anketimi i 100 bizneseve në qarqet kryesore të vendit, të cilat kanë pohuar se, ligji aktual i procedurave, lë vend për keqinterpretim nga ana e organeve ligjzbatuese. Problemi i parë, tek i cili bizneset e fokusuara ishte inventari dhe fatura justifikuese e mallit. Problemi i dytë ishte kuponi tatimor dhe anomalitë rastësore në lidhje me të. Problemi i tretë ishte punonjësit e regjistruar dhe të paregjistruar. Lidhur me eksperiencat e tyre, tatimpaguesit tregojnë se në disa raste, ata janë detyruar të shtypin kupon tatimor, edhe në ato periudha kohore që nuk kanë pasur shitje, vetëm për të shmangur keqkuptimet e mundshme me inspektorët tatimorë, të cilët mund të dyshojnë për abuzime nga ana e tatimpaguesve dhe rivlerësojnë xhiron e biznesit. Mosafishimin i çmimeve të mallrave apo shërbimeve duket të jetë një problem me të cilin mund të abuzohet nga punonjësit tatimorë. Përfaqësuesit e bizneseve deklarojnë, se është pothuajse e pamundur të deklarohen çmimet e një numri shumë të lartë të artikujve dhe në disa raste kjo përbën një mundësi abuzimi nga ana e inspektorëve. Një problem tjetër që kanë hasur bizneset, është në lidhje me  përditësimin e të dhënave, ku mund të përmendim konkretisht vendosjen e gjobave për mospërputhje të adresës së regjistruar të biznesit nga ajo aktuale, brenda një periudhe kohe shumë të shkurtër nga data e ndërrimit të kësaj adrese.

Artikulli paraprakRivlerësimi i pronës: hile qeveritare për të përfituar nga taksa e re mbi pasuritë?
Artikulli tjetërZbulohet linja e trafikut të drogës nga Shqipëria në Sardenjë