18 shoqata biznesi, si përfaqësues të bizneseve vendase dhe të huaja në Shqipëri, i kanë kërkuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, që të mos dekretojë Ligjin Nr. 93/2016, miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë: “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9640, Datë 9.11.2006, “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, të Ndryshuar, më datë 29.09.2016. Ky ligj, i cili vendos anëtarësimin me detyrim të bizneseve në Dhomat e Tregtisë, u kundërshtua që në fillim nga organizmat e biznesit. Në një letër dërguar Presidentit, 18 shoqatat argumentojnë se së pari, ligji ka një problem juridik, pasi vërejmë se ligji i miratuar së fundmi, bie në kundërshtim me frymën kushtetuese, të shprehur në Nenin 46, pika 1 të Kushtetutës, e cila e përcakton pjesëmarrjen në organizime shoqatash dhe organizatash si të drejtë të qytetarëve dhe jo si detyrim. E dyta, thuhet në letër, ne konstatojmë një problem moral në gjithë këtë histori. Koha kur antarësimet në shoqata e organizata bëheshin të detyrueshme, me direktivë nga udhëheqja, i takon një tjetër faqe të historisë së Shqipërisë, faqe të cilën populli shqiptar e ktheu njëherë e përgjithmonë 26 vjet më parë. Është e paimagjinueshme që sot, pas 26 vjetësh, të rikthesh dhe një herë në skenën e kujtesës popullore, imazhin e përbaltur e të forturryer të Bashkimeve Profesionale.
Letra e plotë:
Ne, përfaqësuesit e bizneseve vendase dhe të huaja në Shqipëri, si përfaqësues të drejtpërdrejtë të sipërmarrjes prej më shumë se një dekade, në funksion të misionit tonë për mbrojtjen e interesave të anëtarëve tanë në raport me iniciativa të padrejta ligjore ose procedurale, i drejtohemi Shkëlqesisë suaj lidhur me miratimin e Ligjit Nr. 93/2016 nga Kuvendi i Shqipërisë: “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9640, Datë 9.11.2006, “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, të Ndryshuar, më datë 29.09.2016.
Dëshirojmë t’Ju vëmë në dijeni se ne e kemi ndjekur procesin e diskutimit të këtij ligji që nga muaji dhjetor 2015, kur projektligji u dërgua në Kuvend, duke depozituar pranë Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese të gjithë argumentet ligjorë, financiarë dhe praktikat më të mira botërore rreth papërshtatshmërisë së këtij projektligji.
Gjithashtu, bëjmë me dije se, këto ndryshime nuk kaluan asnjë fazë diskutimi publik pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes para se t’i dërgoheshin Kuvendit të Shqipërisë, në kundërshtim me angazhimin e shprehur qartë nga qeveria për diskutim dhe dialog me biznesin dhe grupet e interesit mbi aktet ligjore dhe nënligjore, të cilat ndikojnë biznesin, si edhe në kundërshtim me detyrimin ligjor të përcaktuar në Ligjin Nr. 57/2014.
Diskutimet që vijuan në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese në janar, shkurt dhe prill të këtij viti, krijuan përshtypjen se do të merreshin parasysh nevojat dhe kërkesat e biznesit, duke e kthyer këtë ligj në Ministrinë e Ekonomisë, institucioni në të cilin u hartua, në mënyrë që të konsultohej me të gjitha grupet e interesit. Vërejmë se asnjë nga sugjerimet dhe vërejtjet e komunitetit të biznesit nuk është marrë në konsideratë në ligjin e miratuar.
Të gjitha bizneset në shkallë vendi do të ngarkohen me një detyrim të ri, pa qenë ende të qartë se cilat janë përfitimet e anëtarësimit të detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, të organizuara në bazë qarku.
Me gjithë përpjekjet nga biznesi për të shtuar transparencën dhe përgjegjshmërinë e palëve, procesi dhe ligji i miratuar nuk pasqyroi konsultimet e zhvilluara në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese.
Në vijimësi, në sesionin e Kuvendit të Shqipërisë datë 29 shtator 2016, ne u informuam nga Media se në programin e punimeve të ditës ishte planifikuar edhe miratimi i Ligjit Nr. 9640, Datë 9.11.2006, “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, i ndryshuar.
Të gjendur para një fakti të kryer, duke përfituar edhe nga tërheqja e madhe e vëmendjes për miratimin e ndryshimeve ligjore për ligjin e trajtimit të integruar të mbetjeve, që ishte në vëmendjen e opinionit publik, pa pasur një konsultim paraprak me asnjë grup interesi të përfshirë, Kuvendi miratoi disa ndryshime esenciale në Ligjin Nr.9640, datë 9.11.2006, “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, duke ndryshuar tërësisht profilin e këtyre institucioneve nga organizima jofitimprurëse me profil social-ekonomik që ndërtonin strukturën e anëtarësisë mbi bazë vullnetare, në struktura quasi-fiskale, me anëtarësim të detyrueshëm për të gjitha bizneset, qoftë person juridik apo fizik, madje duke ngurtësuar në ligj edhe tarifat përkatëse të regjistrimit sipas llojit të personit që regjistrohet.
Në gjithë këtë zhvillim, ne konstatojmë problematikë të dyllojshme:
E para, ne konstatojmë një problem juridik, pasi vërejmë se, ligji i miratuar së fundmi, bie në kundërshtim me frymën kushtetuese, të shprehur në Nenin 46, pika 1 të Kushtetutës, e cila e përcakton pjesëmarrjen në organizime shoqatash dhe organizatash si të drejtë të qytetarëve dhe jo si detyrim.
Njëkohësisht edhe Kodi Civil i RSH, i cili rregullon funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e shoqatave, përcakton që pjesëmarrja në këto organizime është mbi baza vullnetare dhe anëtarëve u garantohet e drejta e të larguarit në çdo moment.
Përveç sa më sipër, ndryshimet ligjore bien ndesh me vetë përcaktimet që bën vetë ligji, i cili në Nenin 6 të tij, sipas ndryshimit të bërë me Nenin 1 të Ligjit 93/2016, përcakton që kuota e anëtarësimit të anëtarëve të regjistruar rishtas në QKB do të jetë 100 lekë, ndërkohë që në Nenin 12 të Ligjit ngarkohet asambleja për përcaktimin e kuotave të anëtarësimit.
Këto janë disa nga mospërputhjet juridike që ne kemi konstatuar. Por jemi të bindur që nëpër rrjeshtat e tij, bashkëpuntorët Tuaj mund të konstatojnë të tjera nonsense juridike gjatë observimit të ligjit.
E dyta, ne konstatojmë një problem moral në gjithë këtë histori. Koha kur anëtarësimet në shoqata e organizata bëheshin të detyrueshme, me direktivë nga udhëheqja, i takon një tjetër faqe të historisë së Shqipërisë, faqe të cilën populli shqiptar e ktheu njëherë e përgjithmonë 26 vjet më parë. Është e paimagjinueshme që sot, pas 26 vjetësh, të rikthesh dhe një herë në skenën e kujtesës popullore, imazhin e përbaltur e të forturryer të Bashkimeve Profesionale.
Pa dashur të guxojmë më tepër sesa lejon etika e komunikimit, në lidhje me dyshimet e logjikshme mbi misionin e vërtetë të këtij ligji dhe përfituesit nga ai, duam t’Ju sjellim në vëmendje faktin që asnjë nga shoqatat dhe organizatat që përfaqësojnë biznesin në Shqipëri, nuk i ka mbështetur ndryshimet e miratuara në këtë ligj, madje Dhoma Amerikane e Tregtisë e ka kundërshtuar publikisht miratimin e tij, duke e klasifikuar si të papërputhshëm me frymën kushtetuese. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe organizata të tjera biznesi, në një deklaratë të përbashkët për shtyp dhe në shprehjen e opinioneve të anëtarëve të tyre në media të veçanta.
Ne shpresojmë se Ju, si garant i Kushtetutës së Republikës, i së mirës së qytetarëve dhe interesit publik, bazuar në sa më sipër, do të merrni parasysh pretendimet tona dhe kërkesën tonë për mos i miratuar ndryshimet që Ligji 93/2016 bën në Ligjin 9640 dhe për t’i kthyer dhe një herë ato mbrapsht, në Kuvend, për rishqyrtim.
Gjithashtu, nëse Ju e gjykoni të arsyeshme, ne jemi të gatshëm të takohemi me Ju, me qëllim zgjerimin e argumenteve, në çdo moment që të dëshironi.
Ne mbetemi besimplotë në seriozitetin me të cilin Ju do të trajtoni këtë çështje, gjithmonë në shërbimin më të mirë të interesit të qytetarëve dhe të sipërmarrësve të këtij vendi dhe atyre të huaj që kanë investuar prej vitesh një Shqipëri.
Përfitojmë nga ky rast për të shprehur konsideratën më të lartë për Shkëlqesinë Tuaj!
Organizatat e Bizneseve në Shqipëri
Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA)
Dhoma Amerikane e Tregtisë
Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve
Shoqata Shqiptare e Informacionit dhe Teknologjisë (AITA)
Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA)
Dhoma e Britanike e Tregtisë
Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”
Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA)
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO)
Konfindustria
Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA)
Shoqata Shqiptare e Bankave
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë
Dhoma Shqiptare Bullgare në Shqipëri
Konfindustria Shqiptare
Sindikata e të Vetëpunësuarve