Bizneseve u vijnë faturat e taksave sa 55% e xhiros vjetore

Arditi zotëron një biznes të vogël në kryeqytet me xhiro vjetore në fashën nga 5 deri në 8 milionë lekë. Në datën 20 shkurt, në zyrat e biznesit të tij mbërriti vlerësimi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin nga Drejtoria Rajonale e Tiranës. Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin është një taksë, të cilën biznesi i vogël e paguan në avancë sipas përllogaritjes që bën zyra e taksave. Për vitin 2016 këtij biznesi, i cili gjithë vitin realizon një xhiro bruto më të vogël se 8 milionë lekë, Tatimet i kërkojnë të paguajë si tatim të thjeshtuar mbi fitimin shumën 4.37 milionë lekë.
Pra, sipas faturës zyrtare të Tatimeve, këtij biznesi i duhet të paguajë vetëm si tatim të thjeshtuar mbi fitimin, 55 për qind të gjithë xhiros vjetore bruto. Ky nuk është një lapsus dhe as një rast i izoluar. Fatura më poshtë i përket një tjetër biznesi në kryeqytet, po me xhiro nën 8 milionë lekë. Detyrimi që Tatimet i kërkojnë të paguajë si Tatim të Thjeshtuar mbi Fitimin këtij biznesi është 2.8 milionë lekë ose sa 40 për qind e gjithë xhiros bruto.
Dokumentet e mbledhura nga “Syri.net” dëshmojnë se qindra biznese të vogla në kryeqytet po përballen me të njëjtën çmenduri. Në zyrat e tyre kanë mbërritur fatura taksash, që variojnë nga 40 deri në 60 për qind të xhiros vjetore bruto, çka do të falimentonte edhe bizneset e mëdha.

Vërshojnë gjobat

E gjithë kjo lajthitje e tatimeve ka një kosto të jashtëzakonshme mbi biznesit. Edhe pse me gjasa këto fatura do të shpallen të pavlefshme, biznesi sërish do të paguajë për gabimet e Tatimeve. Afati i fundit për pagesën e këstit të parë të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin ka qenë data 20 prill, pra dy ditë më parë.
Të gjitha bizneset që nuk e kanë paguar në kohë këstin, gjobiten automatikisht nga sistemi me një shumë që është sa 15 për qind e detyrimit. Të gjitha këto biznese një ditë më parë janë gjobitur me gjoba që variojnë nga 15 deri në 20 mijë lekë vetëm për këstin e parë. Kjo jo për fajin e tyre, por për lajthitjen e Tatimeve, të cilat i kërkojnë biznesit të vogël të paguajë taksa sa 60 për qind e xhiros.

Exit mobile version