Erl KODRA
Puna me fjalën është një ndër zejet më të vështira. Kështu ka qenë, është dhe do të jetë. Zakonisht kohës i kanë mbijetuar ato fjalë që kanë lindur prej dashurisë për njeriun dhe të vertetën. Njerëzimi njeh si vlera të padiskutueshme ata mjeshtra që, pavarësisht kostove personale dhe jetës plot mungesa, arritën të ndriçojnë shoqërinë njerëzore. Kompromisi për një jetë më të mirë nuk ishte arsye e mjaftueshme për të mohuar të vertetën. Kjo është arsyeja kryesore e progresit njerëzor.
Diçka e tillë nuk ndodh me shoqërinë shqiptare. Me sa duket, Shqipëria vazhdon të mbetet peng i njerëzve të vegjël, demagogëve par exellence, që nuk kanë lidhje me dinjitetin njerëzor, parimet humane ose ndershmërinë njerëzore. Vlera të tilla duket sikur nuk konsiderohen fare, për më tepër, nëse tek ndonjëri ka mbetur ndonjë shenjë e vogël ndershmërie dhe dinjiteti, zaten pikërisht këta demagogë që sot merren me biznesin e fjalës, i mbysin me frymën e çartur të denigrimit.
Çfarë është kjo gjamë që e ka kapë për fyti shoqërinë tonë, që po e pengon të shohë ka’h e verteta? Si ka mundësi që mashtrimi, kurvëria, vjedhja, grabitja dhe vrasja të mos ndikojnë më mes nesh, por ato të shikohen si normalitet? Si është e mundur që ata që punojnë me fjalën, të mbajnë përbrenda ndërgjegjes së tyre të verteta llahtarë, ndërkohë që në publik artikulojnë të tjera fjalë, krejt të ndryshme nga llahtaria? Si mundet të kenë stomak aq të fortë, sa të legjitimojnë vjedhjen masive, krimin masiv, braktisjen masive dhe urinë e një populli të tërë? A nuk kanë shqisa njerëzore këta përbindësha?
Po shpjegohem më thjeshtë.
Formalisht, Shqipëria është një demokraci parlamentare, ku po formalisht, jetën politike e domonojnë “e majta” dhe e djathta (ju lutem vini re thonjëzat!). Po çfarë ndodh realisht?
“E majta shqiptare” ka 75 vjet në një agresion sistemik (të pandërprerë) kundër të djathtës shqiptare. Deri në vitin 1990 ishte Neni 55 i Kodit Penal që varroste për së gjalli fjalën e lirë nëpërmjet vrasjes, burgosjes së gjatë, punës së detyruar dhe trajtimit çnjerëzor dhe degradues të çdo zëri që mëtonte të thoshte ndonjë gjysëm të vertete. Këtë fat ka patur edhe autori i këtyre rradhëve.
Rrethanat e reja politike të “demokracisë parlamentare” ndryshuan qasjen e të “majtës” shqiptare. Në kushtet e reja ku formalisht fjala e lirë mbrohet nga Kushtetuta e Republikës, ndryshoi edhe strategjia. Biznesi i fjalës duhej ngritur në një dimension të ri, ku shkruesit do të rekrutoheshin në masë; në shërbim. Strategjia e re ishte kjo: media duhet të jetë gjithmonë “e majtë”, shkruesit po ashtu, duhet të mbrojnë “idetë e majta”, ndërsa çdo talent që mëton të merret me biznesin e fjalës duhet rekrutuar, ku të gjithë në bllok do të sulmojnë Partinë Demokratike. Pandërprerë, papushim, fort dhe brutalisht.
Kështu lindi, u rrit dhe u zhvillua ushtria më e madhe e mercenarëve të fjalës së lirë. Sot kjo ushtri duket gati e pathyeshme, me rekorde të pabesueshme të deformimit moral, ku kanë arritur të infiltrojnë konceptet më të pabesueshme të tjetërsimit. Këtu, përsëri duhet një shpjegim më i detajuar se për çfarë është fjala.
Relativizimi
Në fillim ata përdorin relativizimin. Domethënë; barazojnë diçka shumë të keqe, me diçka që nuk ka ndonjë të keqe. Sillen paksa si naivë, duke u përkundur mes një lloj paanësie të shtirur, sikur ua do profesioni të jenë të tillë, dhe këtë e bëjnë në emër të “standarteve të larta profesionale” që ata ndjekin. Kjo është karakteristikë kryesisht Blend Fevziut, fenomenit televiziv që dominon dhe përpunon opinionin publik shqiptar prej më shumë se 20 vitesh.
Blend Fevziu përkundet në atë lloj gazetarie që në dukje të parë rend pas zotërimit të audiencës, por në fakt nuk është ky qëllimi kryesor. Zotërimi i audiencës nuk ka karakter komercial, sepse Shqipëria nuk është një treg që sjell fitime nga komercializmi. Zotërimi i audiencës ka karakter të theksuar politik, sepse vetëm kështu përpunohet opinioni publik, sipas nevojave të pushtetit politik. Kjo është arsyeja kryesore pse gazetari Blend Fevziu shpërblehet me shuma të tilla sikur Shqipëria është një treg mediaik me 50 milion banorë. Tre reklama gjatë emisionit janë asgjë, janë një hiç.
Por ai ka edhe njëlloj profesionalizmi, më tepër të dhuruar se sa të merituar nga ata që kanë patur interesa të promovohen nga ai. Parimi se “nuk ka reklamë të keqe” në këtë rast vlen.
Blend Fevziu duket sikur mban njëlloj qëndrimi të veçantë; ai nuk ka një mendim të vetin. Përshembull, ai e konsideron normale shpërlarjen nga akuzat publike të prokurorisë të personazheve të krimit dhe të politikës, ku avokatët ftohen live të bëjnë mbrojtjen e tyre. Nuk bën asnjëherë pyetjen e duhur, por gjithmon bën pyetjen që e bllokon prekjen e temës tabu, ndërsa ndërhyn fort me shkopin e gjatë dhe ndërpret çdo ligjërim që mund të çojë në nxjerrjen e ndonjë fakti komprementues. Nuk i bëjnë përshtypje faktet, sado tronditëse të jenë, ndërsa skandalet parakalojnë njëri pas tjetrit në pasarelën e “Opinion”. Në këtë mënyrë, ndodh zhvlerësimi i çdo skandali sado i madh qoftë ai, duke relativizuar gjithçka ndodhë nga e hëna në të dielë, sistematikisht, prej 20 vitesh. Kështu, “Opinion”-i i Blend Fevziut e zhvlerëson fjalën e lirë si mision dhe qëllim fisnik.
Kështu ndodhë, sa kohë që fjala e lirë përfaqësohet nga Blend Fevziu.
Situata alarmante
Biznesi i fjalës në Shqipëri nuk ka kurrfarë lidhje me misionin fisnik. Kjo punë është kthyer në një punë të ndyrë dhe është shpërndarë në mediat më të rëndësishme të vendit. Duket se një dorë e zezë komandon nga platforma, ndërsa kinse gazetarë “të pavarur” me emër të madh luajn në kufinjtë e “llogjikës së lejueshme”. Domethënë; pas fakteve që provojnë skandalin, ata thonë; “okej, por kjo nuk do të thotë shumë, nuk është e mjaftueshme”. Asnjëherë skandali nuk është mjaftueshmërisht i madh, pavarësisht se personazhi kryesor i skandaleve sistemike është lideri i “majtë”, Kryeministri Edi Rama. Se çfarë duhet të mjaftojë, ata nuk e përkufizojnë kurrë. Se harrova, ata i kanë dhënë vetes të drejtën që të definojnë cilësorët e skandaleve të tilla. Për shembull, për ata nuk ka ndonjë problem të madh blerja masive e votave nga Kryeministri Edi Rama, sepse kjo sipas tyre “nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve”. Ama, asnjëri nuk e thotë se pse i bleu votat Edi Rama nëse ato nuk do të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve. Për më shumë, ata nuk e konsiderojnë asnjëherë faktin se Kryeministri Edi Rama është ideatori, përgjegjësi dhe zbatuesi i skandaleve kriminale që kanë mbërthyer vendin.
Biznesi i fjalës është kthyer në një biznes me fitime të mëdha për ata që e praktikojnë. Çdonjëri prej tyre ka një histori intriguese personale se si ka shërbyer gjatë karrierës fantastike. Personazhet mediatik të përditshëm dhe të përnatshëm tashmë kanë pushtuar gjithçka që lëvizë në ekrane, gazeta dhe portale. Për ata, Kryeministri Edi Rama gjithmon ka të drejtë. Ndërsa Opozita është armike e Shqipërisë, është deskrutive, hedh baltë, nuk ka frymë, nuk ka program.
Ata nuk e dallojnë fare gjendjen ku jemi; madje as nuk denjojnë ta dëgjojnë faktin se shqiptarët në shumicë janë në zgrip të ekzistencës, nuk duan t’ia dinë se Shqipëria është në duart e një njeriu që po e përdorë pamëshirë si plaçkë lufte, në kushtet kur jemi pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me një Parlament pa opozitë në duart e Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit, që po e çojnë vendin drejt një Lufte Civile.
Më sipër unë përmenda emrin e një gazetari emblemë si një biznesmen i fjalës; Blend Fevziut, si përfaqësuesi më tipik i species. Në të vertetë ata janë shumë, të shumtë dhe të mirë organizuar, të gjithë në shërbim të një njeriu; Kryeministrit Edi Rama. Emrat e tyre ju i njihni shumë mirë.
Po ashtu, ju i njihni edhe “standartet e larta” të gazetarisë së tyre, që nuk shohin asnjë të keqe tek Kryeministri Edi Rama, asnjë problem tek shoqëria shqiptare, nuk shohin varfërinë, mjerimin, braktisjen e vendit; nuk shohin grabitjen e hapur të Buxhetit të Shtetit dhe ndarjen e tij si plackë lufte.
Mbi të gjitha, asnjëherë nuk u ka bërë përshtypje fakti se Sherbimi Informativ i Shtetit ka raportuar periodikisht tek Kryeministri Edi Rama situatën e Sigurisë në vend, përfshirë edhe emrat e mbi 100 zyrtarëve më të lartë të Policisë së Shtetit si kultivues dhe trafikantë droge, ndërkohë, Kryeministri Edi Rama e mohonte faktin, e injoronte faktin, dhe mbronte një Ministër të Brendshëm të përfshirë direkt në trafikun ndërkombëtarë të drogës.
Ajme, këta biznesmen të fjalës nuk merren me gjëra të tilla. Për ata fakti nuk është i tillë sa kohë që ai nuk konsiderohet nga vetë ata.
Puna është se “biznesi i fjalës” nuk është diçka e zakonshme, njësoj si bizneset e tjera. Zakonisht, të shesësh sapunin për djathë është një punë e pisët; por të shesësh shkatërrimin e vendit si “shtetformim” është më shumë se punë e pisët. Se çfarë emri mund t’i vëmë këtij biznesi, mbetet për t’u parë.
Por diçka është e sigurtë; pavarësisht agresionit sistemik të “gazetarëve” të tillë, shqiptarët e kanë tejkaluar retorikën e tyre. Me sa duket, sistemi imunitar i vetëdijes njerëzore, ka prodhuar anticorpet për t’i mbijetuar propagandës më të ndyrë mediatike që është parë ndonjëherë mbi dhe.
Biznesmenët e fjalës po dalin nga tregu, propaganda e tyre nuk ka më efekt. Fakti është se “Opinion”-i i Fevziut mund të lustrojë dhe justifikojë realitetin virtual të Edi Ramës, por nuk mundet të mbushë humnerën në krye të shtetit, as tavolinat bosh në shtëpitë e qytetarëve.
“Faktet nuk pushojnë së ekzistuari për shkak se ato injorohen.” ka thënë Aldous Huxley
Shënim:
Partia Demokratike duhet të jetojë, por edhe të përçojë idetë, programin politik dhe ekonomik nëpërmjet kësaj lloj gazetarie armike dhe në shërbim. Këto janë kushte të mirëfillta mbijetese, që me sa duket po funksionojnë, siç ndodhë zakonisht me mrekullitë njerëzore.