Biznesi kërkon ulje taksash!

-Jeni njohur me draftin e ri të propozuar nga Ministria e Financave për thjeshtimin e procedurave për biznesin? Si ju duket?
Ky draft ka ardhur në kohën e duhur, ne kemi gjashtë muaj që jemi marrë dhe kemi propozuar procedurat për këtë draft. Këtë risi ne e përshëndetim, por nga ana tjetër ne kemi kërkesat tona. Thjeshtimi i procedurave është njëra anë e problemeve që kemi, por mbi të gjitha ne kemi probleme më themelore se ndryshimi dhe thjeshtimi i procedurave, të cilat duhet të pasqyrohen atje. Jemi të bindur që do të merren parasysh kërkesat tona. Këto kërkesa janë bërë sot e tre vite më parë, nuk janë të reja për qeverinë. Ne duam ulje të tatimit mbi fitimin, që është një kërkesë permanente e prodhuesve shqiptarë dhe po ashtu kërkojmë edhe ulje të dividentit. Nuk e kërkojmë këtë se jemi tekanjozë dhe duam të pasurohemi, e kërkojmë, sepse duhet të jemi konkurrues në tregun rajonal, pasi vetëm këto dy vlera, të mos vazhdojmë me energjinë elektrike e taksat vendore, na kanë rritur 45% koston e produktit që nxjerrim dhe kemi dalë tashmë jashtë tregut. Mendoni një treg i cili matet me qindarka për njësi, je konkurrues me 0.1 euro më shumë apo më pak, se sa jashtë tregut je. Kjo nxjerrje jashtë tregut është mënyrë artificiale. Nuk është nxjerrë nga tregu prodhuesi shqiptar, as nga cilësia e produktit, as nga llojshmëria e tij, as nga afatet e lëvrimit, as nga çmimi real i kostos. Ne jemi nxjerrë pikërisht nga kosto indirekte, që janë absurde dhe do të luftojmë deri në fund që këto kosto të venë të paktën në nivelin rajonal.

-Si ju duket niveli i gjobave dhe penaliteteve që është propozuar këtë herë?
Jemi njohur dhe me të vjetrin dhe me të riun. Të vjetrin ne e kemi kundërshtuar. Unë kam qenë ai që kam thënë që nuk ka për t’u zbatuar. Arsyeja ka qenë shumë e thjeshtë, gjobat ishin të pakuptimta. Gjoba në vetvete nuk është masë për të mbledhur para, gjoba është detyrim financiar për të zbatuar ligjin. Në Shqipëri është për të ardhur keq, por gjoba shihet si një masë për të mbledhur para. Akoma nuk kuptohet. Kështu nuk bëjmë gjë tjetër vetëm çedukojmë tatimpaguesin dhe qytetarin. Ka ardhur koha që në Shqipëri gjoba të jetë si në çdo vend të botës: të edukojë me forcë të zbatosh ligjin. Por jo ta rritësh në një vlerë ndëshkuese marramendëse dhe të pushosh kuptimin e saj. Nëse ky raport prishet, do të ndodhë kjo që ndodhi, ka dhe gjykata, ne jemi shtet demokratik, e cila e rrëzon poshtë dhe tashmë t’i duhet të vish në normalitet. Unë habitem pse ndodh kjo në Shqipëri, sepse përvoja e shumë shteteve të tjera, të atyre ku ne duam të integrohemi e ka shumë të saktë dhe ne mjafton që t’i kopjomë dhe t’i shohim si zbatohen aty dhe çdo gjë do të funksiononte normalisht.

-Mendoni se është një kthim pas në kohë, apo një “ndjesë e fshehtë” ndaj sipërmarrjes?
Ne jemi të prirë të besojmë se qeveria është maturuar për sjelljen që duhet të ketë me biznesin. Ne duhet të pranojmë se një nga goditjet më të mëdha që mori biznesi ishte tek atmosfera e të bërit biznes në Shqipëri, e cila ishte goditur rëndë gjatë kësaj periudhe. Nuk do ta quaja kthim mbrapa, por korrigjim.

“Kulaçi dhe kërbaçi” i qeverisë

Ka qenë fillimisht kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Craword, i cili ironizoi aksionin e qeverisë në shtator me shprehjen e famshme “shkopi dhe karota”. Arjan Kadareja, profesor i Financës, thotë se në Shqipëri ne themi që ka “kulaç dhe kërbaç”. Këto të dyja, këshillon ai, duhet të përdoren me kujdes dhe në të njëjtën kohë.

-Cilat mendoni se janë pikat më pozitive të paketës së re për shkurtimin e procedurave të biznesit?
Mua më duket ambicioze kjo paketë fiskale, mirë do të ishte që të fillonte që kur nisi aksioni antiinformalitet, sepse është më kredibël, gjithsesi më mirë vonë se kurrë. Synohet që të lehtësohen procedurat e biznesit, dhe këtu janë dhe ato të falimentimit. Synohet që biznesi të ketë mundësi ankimimi dhe Drejtoria e Avokatit të Tatimpaguesit do të ketë një pavarësi më të lartë, pasi do të jetë në varësi të Ministrisë së Financave. Po synohet që gjobat që vendosen të jenë proporcionale me dëmin e shkaktuar, ndryshe nga ligji që u kthye nga Gjykata Kushtetuese. Synohet që të bëhet rimbursim më i shpejtë i TVSH-së dhe për më shumë biznese. Një gjë shumë të rëndësishme që do të konsideroja janë kontrollet e paralajmëruara. Biznesi paralajmërohet për kontrollin që i bëhet, i lihet mundësi vetëkorrigjimi deri në 5 vite. Krijohen lehtësira, të cilat në thelb synojnë të përmirësojnë klimën.

-A u gabua më parë? E shihni këtë nismë si një “tërheqje” të qeverisë?
Aksioni nisi me theksin në anën shtrënguese dhe u neglizhua ana stimuluese që biznesi, edhe nëse kishte bërë gabime apo shkelje më parë, t’i deklaronte ato e më pas të niste të paguante taksat rregullisht. Në shtator nuk u vu theksi te formalizimi vullnetar. Në këtë paketë, pikërisht kjo shikohet, dhënia e mundësive për vetëkorrigjim dhe jo dënimit, ndëshkimit, shtrëngimit. Masat që merren, masat që synohen, janë në thelb pozitive. Me këtë i arrin të dyja: klimën e biznesit dhe formalizimin e ekonomisë. Sepse të dyja duhet të ishin marrë në të njëjtën kohë edhe masat shtrënguese, por edhe falja, stimulimi. Fakti tregoi që aksioni antiinformalitet pati rezultate në formalizim, por përkeqësoi klimën e biznesit. Me këtë paketë po vihen në vend disa gabime të tepruara gjatë aksionit antiinformalitet.

-Sa do të reflektojë kjo marrëdhënie e re që synohet të krijohet me biznesin te mbledhja e taksave?
Këto masa nuk ndikojnë për keq mbledhjen e taksave nga qeveria, përmirësojnë klimën dhe kështu rritet ekonomia, dhe po pati rritje e zhvillim patjetër që rritin nivelin e të ardhurave në buxhet. Të ardhurat e qeverisë nuk varen nga gjobat që merren, por nga eficenca e Administratës Tatimore.

Lufta dhe paqja antiinformalitet

Qeveria nisi në shtator një fushatë të madhe kundër biznesit që bënte evazion. Kjo është “luftë” – do të deklaronte kryeministri në atë kohë, teksa u vendosën gjoba dhe sanksione shkatërruese për bizneset, që për fat të mirë ishin në fuqi për pak javë. Vetëm disa muaj më vonë, ajo që ka ngritur flamurin e bardhë është pikërisht, ajo që e shpalli luftën: qeveria. Gjobat u ulën, paketa e re fiskale do të përqendrohet në thjeshtimin e procedurave. Por dëmi tashmë është bërë dhe biznesi nuk “gënjehet” me kaq.
Formalizimi i 700 milionë dollarëve që shqiptarët luajnë për vit në pikat e basteve, arkëtimi i parave të energjisë elektrike dhe rimëkëmbja e këtij sektori me një faturë 150 milionë dollarë, mbledhja e 200 milionëve të tjerav në sektorin e naftës e po kaq do të dilnin edhe nga aksioni antiinformalitet ishin pikat e forta, ku u mbështet në fundvitin 2013 programi për të ndryshuar Shqipërinë. Të gjitha këto shifra, nëse do të mblidheshin, bashkë do të bënin një shumë dhe vendi ynë minimalimisht nuk do të duhej të merrte më borxh. Por përtej debateve se cili nga aksionet ka qenë më i suksesshmi, fushatat e qeverisë në vitet e fundit kanë qenë të panumërta dhe në shumë raste kanë shfaqur pakënaqësi te biznesi. Aksioni më i kontestuar është ai i muajit shtator 2015. Kontrolli i vazhdueshëm dhe vënia e gjobave ndaj sipërmarrjes nuk solli asgjë tjetër në buxhet, përveç ca raporteve më shumë nga shoqata të ndryshme se klima po përkeqësohet. Të ardhurat nuk arritën të realizohen deri në fund të vitit, e ndërsa në muajin nëntor qeveria hoqi taksën për biznesin e vogël dhe u orientua në kontrollin me bazë risku të bizneseve të mëdha. Kjo shënoi një “kthesë” në marrëdhënien që shteti nisi të krijojë me biznesin, i cili njëherë dilte si “hajduti” e herë të tjera si “shpëtimtari”.
Por edhe pse jo shumëkush e besoi kur u prezantua, së fundmi ministri i ri i Financave përmendi një fazë të re të aksionit antiinformalitet. Në këtë prezantim, përkrah tij, qëndronte edhe kryeministri Edi Rama. Tonet ishin më të zbutura dhe qeveria parashtroi për të gjithë një plan të ri të luftës kundër evazionit. Faza numër 2, ishte përmendur dhe më parë, por programi dhe mënyra e kontrollit ndryshonin.

Exit mobile version