Nikollaq Neranxi, kryetar i Shoqatës së Tregtarëve, ka kërkuar uljen e taksave vendore në nivelin e mëparshëm. Këtë deklaratë e ka dhënë në aktivitetin e organizuar për diskutimin për taksat vendore, ku ka thënë se gjendemi në një situatë emergjence, 36 000 biznese kanë kaluar në status pasiv, sot konsumohet më pak. “Sipërmarrjes i është bërë gropa. Çdo gjë po merr fund”, ka thënë kreu i Shoqatës së Mbrotjes së Tregtarëve.
Duke deklaruar më tej se s‘ka pasur dialog transparence, ai shtoi: “Kemi çuar çështjen në Gjykatën Administrative, por po vonohet. Edhe në Kushtetuese ka kaluar kjo çështje. Dëmi është i madh, biznesi në depresion nga politika të papërgjegjshme”.
Mira Bogaçe, e pranishme në këtë takim si përfaqësuese e biznesit Vip ka bërë të ditur se, për vendimin e ndryshimit të taksave, bizneset nuk janë njoftuar në avancë.
“Këshilli Bashkiak s‘mund të rrisë ngarkesën me 100 apo 200 herë. Është keqinterpretuar ligji. Taksa e arsimit është një shembull i kësaj. Linjat e transportit, për çdo mjet do paguajnë taksën, pra për çdo Nipt secondar”, ka deklaruar ajo.
Duke iu referuar rritjes së taksës për tabelën e bizneseve, znj. Bogaçe ka bërë edhe një krahasim rajonal.
“Taksa e tabelës është shumëfishuar dhe kjo ka rënduar barrën për të gjithë bizneset. Maqedonia e ka taksën e tabelës 2.5 euro për m2, ndërsa Italia e ka 32 euro m2”, ka përfunduar ajo.
Alban Zusi, nga ana tjetër, ka bërë me dije se Taksat e shtuara çojnë në rritjen e kostos së qytetarëve.
“Edhe pse kanë hyrë në fuqi ligjet e informimit, s’ka pasur transparencë për këtë çështje. Të dalim nga një traditë jo pozitive. Taksat, por edhe elementë të tjerë, po çojnë në faliment biznesin. Paketa fiskale në tërësi është e diskutueshme, veçanërisht për tarifat”, ka thënë z. Zusi, i cili në fund ka sugjeruar që të hartohet një manual për hartimin e Paketës Fiskale, pasi konsultimi duhet të ndodh realisht.
Leonard Olli, kryetar i Grupit të këshilltarëve të PD, ka deklaruar në këtë mbledhje se të majtët nuk na u bashkuan në këtë nismë. “Konstatuam problematikën, kërkuan reflektim, por nuk pati ndryshime. Ne besojmë se kjo është paketë falimentuese, pasi në 6 muaj s’po jep efekte. Kanë nisur abuzimet në zbatimin në terren. Po i hap rrugë korrupsionit masiv”, deklaroi z. Olli.
Vështirësi në çregjistrimin e biznesit nga borxhet
Në sportelin e QRK-se kohët e fundit janë shtuar kërkesat për çregjistrimin e bizneseve, por personat e interesuar po shohin se të çregjistrohesh është më vështirë se të regjistrohesh.
QKR, në bazë të ligjit, ka sqaruar se detyrohet të refuzojë kërkesat për çregjistrimin, pasi bizneset duhet që më parë të kenë shlyer të gjitha detyrimet tatimore. Por bizneset në sportelet e QKR, kryesisht persona fizike pohojnë se duan të mbyllin aktivitetin për shkak se nuk kanë aftësi paguese të detyrimeve.
Për shoqëritë tregtare edhe kur janë borxhlije në tatime, falimenti kalon me një proces të kërkuar në Gjykatë nga tatimet ose nga vetë ndërmarrje në faliment, por personat fizik kjo procedurë është e pamundur për shkak të kostove dhe të procesit të gjatë. Por ndërkohë që bizneset e vogla nuk arrijnë çregjistrimin, borxhi tatimor i tyre vijon të rritet ndonëse ata nuk kanë aktivitet.
Violeta që në vitet 2000 kishte hapur vetëm për 1 vit një dyqan me aroma indiane sot është debitore me rreth 1 milion lekë në tatime vetëm se nuk ka arritur të çregjistrojë biznesin.
QKR-ja njofton se për personat fizikë, çregjistrimi në mënyrë vullnetare kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim. Ky aplikim mund të bëhet së bashku me njoftimin e pushimit të aktivitetit ekonomik ose në një moment të dytë. Por kjo vetëm në rast se llogaritë me tatimet dhe pushtetin lokal duhet të jenë të pastra.
Kërkesat për çregjistrim janë shtuar në muajt e fundit, teksa 91 mijë biznese (50% e totalit të bizneseve) kanë kaluar në regjistrin pasiv.
Procedurat e komplikuara të çregjistrimit të biznesit janë ndër rekomandimet kryesore të Bankës Botërore për përmirësimin e klimës së biznesit.
U trefishua numri i falimenteve
Çështjet e falimentit në Gjykatën e Shkallës së Parë gjatë vitit 2015 pothuajse u trefishuan. Statistikat tregojnë se u regjistruan në total 64 çështje nga rreth 22 që ishin në vitin 2014.
Mungesa e gjyqtarëve të specializuar për çështjet e falimentit ishte një ngërç më vete dhe pengonte jo pak trajtimin dhe përfundimin e çështjeve. Për këtë qëllim për herë të parë në vitin e kaluar u ngrit një seksion i posaçëm për të gjykuar çështjet tregtare dhe të falimentit. Në bashkëpunim edhe me IFC-në (Banka Botërore) u bë e mundur edhe trajtimi i gjyqtarëve. Aktualisht, në Gjykatën e Shkallës së Parë po trajtohen çështjet e falimentit për emra të njohur kompanish, si ajo për Kurum, Albania Airlines, Praktiker Albanien, Volalba, Italcrom, Vaporusa-Alb, etj.
Nga të dhënat vihet re se në total kjo Gjykatë gjatë 2015-ës regjistroi mbi 38,700 çështje, ku pjesa më e madhe mbi 27,000 ishin me subjekt civil. Sa i përket çështjeve të përfunduara numri i tyre u rrit me rreth 6% në krahasim me periudhën paraardhëse. Në total norma e likuidimit u llogarit në rreth 98%.
Në po këtë shkallë rritje të çështjeve të regjistruara pati edhe për natyra të tjera, ku bie në sy ajo për “Vjedhjen e energjisë dhe impulseve telefonike”. Gjatë 2015-ës u regjistruan si të tilla mbi 1,400 çështje nga rreth 158 që ishin në vitin 2014. Një shifër e cila tregon tendencën e fushatës që realizoi qeveria kurndër vjedhjes së energjisë.
Edhe kreditë në pikiatë
Janë vetëm banorët e Tiranës, ata që kanë arritur të marrin një hua në bankë në tre muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë. Nga 1.6 miliardë lekë, që ka qenë shtesa e huasë në tremujorin e parë, në raport me fundin e vitit për gjithë vitin, në Tiranë ajo është rritur me rreth 1.7 miliardë lekë, ndërsa në rrethet e tjera është ulur lehtë.
Pjesa më e madhe e huasë që është dhënë në Tiranë për individët ka qenë për blerjen e pasurive të paluajtshme (72% e totalit). Huaja në kryeqytet është gjallëruar lehtë vetëm në tremujorin e parë të 2016-ës, pasi kishte qëndruar konstante apo në rënie të lehtë gjatë gjithë vitit 2015.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, qytetarët e rretheve të tjera i kanë qëndruar larg bankave në muajt e parë të këtj viti, madje dhe kanë ulur ekspozimin e tyre, teksa stoku i kredisë ka rënë në disa qytete si Elbasan, Fier, Korçë, etj.
Në Tiranë është dhënë 60% e stokut të huasë për individë gjithsej. I dyti është Durrësi, me rreth 8% të totalit.
Në fund të vitit 2011, kredia për individë shënoi rënie të ndjeshme në vend, kryesisht si rrjedhojë e uljes së huave për shtëpi. Ajo u gjallërua sërish në 2014-ën për të rënë më pas në vitin 2015 dhe duke njohur rigjallërim në tre muajt e parë të këtij viti.