Bizneset kanë ulur më tej normën e shfrytëzimit të kapaciteteve gjatë tremujorit të parë të vitit. Në një anketim të fundit, Banka e Shqipërisë referon se normat e shfrytëzimit në katër sektorët kryesorë të ekonomisë kanë rënë shumë poshtë mesatares historike, duke lajmëruar kështu një situatë jo të mbarë në rritjen afatmesme ekonomike dhe në eksportet e këtij viti.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Banka e Shqipërisë tregon se, bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 (me 4.6 pikë përqindje).
Kjo ecuri në sektorin e industrisë është shkak i çmimeve të ulta të naftës në tregun ndërkombëtar, çka ka nxitur kompanitë Bankers Petroleum, Albpetrol dhe koncensionarët e tjerë të naftës të mbajnë prodhimin në nivele të ulëta.
Por situata duket se nuk është aspak optimiste as për sektorin e ndërtimit . Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor gjatë tremujorit në analizë, vijoi rënien. Aktualisht kjo normë shënon nivelin 54.7% ose 9.5 pikë përqindje më pak se mesatarja historike e saj. Në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë, kjo normë është 2.5 pikë përqindje më e ulët. Ekspertët e tregut, pohojnë se pas një përmirësimi në gjashtëmujorin e dytë të vitit, rritja e taksave në sektorin e ndërtimin (dyfishimi i taksës se ndikimit në infrastrukture nga 4 në 8% për qind, e cila vilet jo më mbi koston po mbi shitjen) ka përkeqësuar klimën e biznesit në sektor. Shumë objekte të nisura vitin që shkoi kanë pezulluar punimet për shkak të taksave të reja.
Gjithashtu norma e shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve rezultoi 68.0% në tremujorin e parë, duke shënuar një rënie të fortë prej 7.2 pikësh përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe prej 4.9 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi rënie me 5.7 pikë përqindje, duke qëndruar në nivelin 73.5% në tremujorin e parë të vitit 2016. Bizneset rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 5.2 pikë përqindje më të ulët se norma mesatare historike dhe 2.3 pikë përqindje më të ulët se norma e të njëjtës periudhë një vit më parë.
Tregtia dhe shërbimet janë vënë në presionin e konsumit të dobët. Treguesi për herë të parë pas dy dekadash ra në nivele negative më 2015.
Klimë e rënduar ndaj investitorëve të huaj
Nuk kanë të sosur ankesat e shoqatave të investitorëve të huaj për klimën e biznesit në Shqipëri. Pas Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Dhomës Gjermane, ka reaguar dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), që ka në gjirin e saj disa nga sipërmarrjet më të mëdha të huaja në vend. FIAA e ka vënë theksin në reformën tek gjyqësori, sipas deklaratës së mëposhtme: “Reforma e shumë kërkuar në gjyqësorin shqiptar dhe realizimi i saj është në vëmendjen më të lartë të Komunitetit të Biznesit të Huaj në Shqipëri. Investitorët ekzistues dhe ata potencialë ndjehen optimistë se të gjithë politikanët shqiptarë e kuptojnë rëndësinë e kësaj reforme. Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se, çdo ditë, vonesa e realizimit te reformës i kushton Shqipërisë investime të reja, vende të reja pune, rritjen e eksporteve si dhe fillimin e negociatave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ne duhet të pranojmë se reformat kyçe politike dhe administrative të nevojshme në Shqipëri janë duke përparuar, por ende nuk kanë arritur një fazë në të cilën negociatat e pranimit në BE të mund të fillojnë. Është e qartë nga BE se nëse vendi dëshiron të nisë negociatat për anëtarësimin në BE, së pari duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kryesore prioritare, të tilla si funksionimi i ligjit, reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike dhe të drejtat themelore, të cilat janë të gjitha elementë kyç për rritjen e investimeve të huaja në vend. Qëndrueshmëria e Investimeve të Huaja në Shqipëri është komponent kryesor në rritjen ekonomike të suksesshme dhe të qëndrueshme dhe gjithashtu një rrugë drejt përmirësimit social te vendit. Ne besojmë se çdo qytetar i ketij vendi është i vetëdijshëm mbi përfitimet e investimeve të reja në vend, të cilat do të avancojnë në transferimin e teknologjisë, rritjen e punësimit, rritjen e konkurrencës së biznesit dhe të tregtisë ndërkombëtare. Të gjitha këto përfitime do të kontribojnë në rritje më të lartë ekonomike, e cila është instrumenti kryesor për zbutjen e varfërisë në Shqipëri. Si biznese të huaja që operojmë në këtë vend, ne do të vazhdojmë të theksojmë se roli dhe cilësia e institucioneve shqiptare, ka një rëndësi të madhe për mbarëvajtjen e biznesit. Kontrolli i korrupsionit dhe formalizimi i ekonomisë, funksionimi më i mirë i ligjit duke përfshirë respektimin e rregullave të arbitrazhit ndërkombëtar, si dhe stabiliteti politik, janë treguesit e një qeverisje të mirë dhe cilësie institucionale të këtij vendi. Ne duam të qëndrojmë këtu dhe të vazhdojmë të investojmë më shumë. Por që kjo të jetë e mundur dhe që Shqipëria të tërheqë investime të reja, ne kemi nevojë për një mjedis biznesi ku të mbizotërojë funksionimi i ligjit. Realizimi i reformave në sistemin gjyqësor shqiptar do të ndikojë në masë të madhe kushtet ekonomike në vitet që do të vijnë si dhe do të ndikojë konsiderueshëm në vendimet e sotme për investime”.