Biznesi i vogël është i qartë se përse ka nisur kjo fushatë për vendosjen e TVSH-së vetëm për ti falimentuar dhe kjo bëhet për llogari të tre oligarkëve.
Biznesi i vogël dhe i mesëm po fillon të ulë qepenat për të kundërshtuar futjen në TVSH. Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, në një intervistë për Ora Neës shprehu bindjen për një solidarizim të biznesit.
Albert Nasto: Secili do të mbyllë qepenët për veten e vet, familjen dhe të ardhmen e familjes së vet. Jemi të bindur se kësaj greve do të bashkohet gjithë biznesi i mesëm dhe i vogël, por edhe biznesi në në përgjjthësi që ka kaq shumë probleme në vendin tonë nga gjobat dhe terrori.
Sipas Nastos, qeveria dhe Kryeministri duhet të tërhiqen nga ky vendim duke e konsideruar një “tërmet” për biznesin.
Albert Nasto: Nuk është model europian, Europa e ka mbi 60 mijë euro mesataren që e përshkallëzon biznesi i vogël dhe i madh. Të gjithë specialistët e kanë këshilluar kryeministrin tonë që të mos vendosë TVSH për biznesin e vogël se do të jetë një ‘tërmet’, do shkatërrojë mijëra familje dhe do i nxjerrë në rrugë. FMN dhe Banka Botërore e kanë këshilluar Kryeministrin të mos e vendosë këtë taksë sepse është një barrë e papërballueshme.
Teksa renditi pasojat e futjes së biznesit të vogël në TVSH, Albert Nasto tha se parashikimet janë që brenda vitit të mbyllen 50% e bizneseve.
Nasto: Vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël është kundërshtuar dhe do të kundërshtohet fuqishëm. Do të shkatërrojë biznesin e vogël dhe mesëm që është 99% të biznesit në Shqipëri. Ndryshimi i sistemit me TVSH dhe pa TVSH është krejt e kundërta nga njëra-tjetra. Taksat lokale në bashki do të rriten 100% për biznesin e vogël.Çdo biznes duhet të marrë ekonomist kontabël për të mbyllur dokumentët që do të rëndojë pagesat për çdo biznes nga 1-3 milion lekë të vjetra. Për të mbijetuar në treg duhet të rriten çmimet, kjo do të sjellë rënien e fuqisë blerëse. Ndërkohë sot vendi jonë ka çmimet më të larta në Europë dhe shumë vende të tjera. Duhet të paguash 20% tatim-fitimin dhe gjobat për biznesin e vogël ndryshojnë.
Sistemi i TVSH i ka gjobat shumë më të mëdha se biznesi i vogël sot. Nëse deri dje për mosdhënien e kuponit tatimor ka paguar 500 mijë lekë të vjetra me futjen e TVSH duhet të paguajë 1 milion lekë. Jep mundësinë për të kapur në gabime shumë biznese. Futja e TVSH do të rrisë evazionin, informalitetin, korrupsionin dhe selektivitetin. Do mundohet të gjithë të mos kalojnë xhiron prej 20 milion lekë. Favorizon monopolin dhe shkatërron pjesën dërmuese të biznesit. Bëhet për 3- firma të mëdha që zotërojnë tregun e brendshëm qoftë industrial, qoftë atë ushqimor. Për të shkatërruar 98% të biznesit dhe për të qenë vetëm këto firma monopol që vendosin për gjithçka në ekonomi. Parashikimi jonë është që mund të mbyllen 50% të bizneseve brenda vitit. Katër vitet e kaluara janë mbyllur 82 mijë biznese pa u futur në TVSH.