Rruga e ‘Radio-Televizionit’ është një ndër më të bukurat në Tiranë. Me disa biznese të njohura të shërbimit dhe akomodimit. Hashtag.al në shkrim të tij citon se prej disa ditësh kalimtarët e kësaj rruge do kenë pasur rastin të shohin një njoftim të çuditshëm, një pusullë të ngjitur në derën e një restoranti(tashmë të mbyllur) ku pronari ka shkruar në shqip dhe anglisht një denoncim të pazakontë. “Stop terrorit tatimor. Të nderuar klientë, në protestë të taktikave diktatoriale, trajtimit si kriminelë nga grupet e tatimorëve, duke e vëzhguar biznesin tonë 12 orë dhe duke bërë kontrolle nga tre herë rresht, kemi vendosur të pezullojmë aktivitetin”. Presioni i qeverisë Rama është rritur ndjeshëm ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm sidomos vitin e fundit. Qeveria duket e pamëshirshme dhe disa raste kanë bërë bujë në media, ku më spektakolari ishte ai i ‘nënë Zylës’ e cila shiste perime. Por njësoj ka pasur raste dhe në radhët e fukarenjve që nuk kanë paguar energjinë elektrike ose që kanë detyrime të prapambetura. Gjobat janë një metodë e preferuar e qeverisë dhe sidomos e taksambledhësve, shpesh gjobat janë aq të majme sa justifikojnë xhiron e 6 muajve të një biznesi. Paralelisht, miqtë dhe klientela e kryeministrit kanë avancuar me koncensione, tendera dhe leje ndërtimi, ku biznesmenë si Vilma Nushi, Pandeli Carapuli, Koço Kokëdhima Samir Mane, po fitojnë kontrata dhe të drejta ekskluzive të rëndësishme, e tendera pa fund. Njësoj të shpenguar shfaqen dhe drejtoreshat e besuara të Ramës, siç ishte rasti i Belinda Ballukut, drejtoresha e Albcontrol, për të cilën HashtagAL zbuloi se i kishte paguar 400 mijë euro Spitalit Amerikan për vizitat mjekësore të stafit të saj. Përtej kontrastit të fortë, kryeministri duket më i apasionuar se kurrë pas pikturave të veta dhe muajt e fundit ka nisur të shfaqë dhe dëshirën e tij sublime për të reformuar sistemin e drejtësisë. Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve ka nisur përfshirjen në TVSH të bizneseve në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, pavarësisht se ata ushtrojnë aktivitet në tregtinë më pakicë dhe deri më tani janë trajtuar si të vogla. Kjo masë ndaj bizneseve ishte lajmëruar më parë nga Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili vetëm pak ditë nga emërimi në këtë detyrë tha se të gjitha bizneset në zonën e bllokut do të klasifikohen si te mëdha. Një njësi e shitjes së rrobave, e cila ka marrë shkresën nga tatimet pohoi se xhiroja që ajo ka deklaruar në tatime është shumë herë më e ulët se kufiri i i përfshirjes në TVSH prej 50 milionë lekësh. Shkresa që i ka shkuar nga tatimet është formuluar në mënyrë të tillë: “Referuar shkresës datë 5 maj 2016 të Drejtorisë së Vlerësimit te të ardhurave tatimore dhe Kontabilitetit si dhe në zbatim të ligjit për TVSH ju njoftojmë se nga periudha tatimore maj 2016 jeni të regjistruar në librat e shitjes dhe blerjes si dhe në formularin e TVSH-së në afatet e përcaktuara më legjislacion”. Gruaja që ka në pronësi aktivitetin argumenton se, nuk mund të jetë një subjekt i përfshirë në TVSH. Nën presionin e rënies së konsumit dhe të konkurrencës nga qendrat tregtare xhiroja në tre vitet e fundit ka pësuar rënie sistematike, teksa qiraja është rritur. Gjithashtu furnizuesit e shumicës nuk lëshojnë fatura reale, ndaj këtu vështirësohet edhe shitja me TVSH. Të përfshirë në këtë situatë shumë biznese në zonën e Bllokut janë vënë në kërkim të shitjes së aktivitetit. Në fund te prillit u kanë nisur një sërë bizneseve të vogla njoftime zyrtare ku u kërkojnë subjekteve që e kanë xhiron afër 8 milionë lekë (që është kufiri që e ndan biznesin e vogël nga i madhi) që të kalojnë vullnetarisht në biznes të madh, pasi nga verifikimet në sistemin e ri elektronik ka rezultuar se qarkullimi i realizuar nga kompania është i përafërt me kufirin e regjistrimit si biznes i madh. Si rrjedhojë, Drejtoria e Tatimeve i ka ftuar bizneset që të paraqiten në mënyrë të vullnetshme brenda datës 31 maj pranë zyrave të saj, për të bërë kalimin në biznes të madh. Në shkresën e tatimeve shprehej e qartë se nëse bizneset do të refuzojnë të paraqiten vullnetarisht, atëherë dy punonjës të tatimeve do të paraqiten tek subjekti për të bërë verifikim dhe kontroll në vend të situatës dhe nëse do të gjejnë shkelje atëhere do të bëhen subjekt i masave ndëshkuese.