Përfaqësuesi i një kompanie private është grabitur pasditen e kësaj të mërkure në Tiranë. Dy persona që mbanin kapuç i zunë pritë pranë një banke, duke i marrë një shumë prej 50 mijë eurosh.
Dy persona grabitën përfaqësuesin e një kompanie private. Ngjarja ndodhi në orën 15:30, në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë, ku shtetasit me inicialet A.A i kanë marrë 50 mijë euro që i mbante në 2 qese.
Grabitësit, të cilët mbanin kapuç, kishin zënë pritë pranë një banke të nivelit dytë. Njëri prej tyre e goditi me levë dhe i mori 2 qeset me para, ndërsa menjëherë pas grabitjes, u larguan me një motor tip “Papaq”.
Përfaqësuesi i kompanisë nuk ka dëmtime. Ai dha deklarimet e tij në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku paraprakisht ka deklaruar se nuk njihte asnjë nga grabitësit, pasi ishin të maskuar.
Për dinamikën e ngjarjes ka përplasje, pasi dëshmitarët thanë për Ora News se e kishin parë personin në fjalë teksa dilte nga banka me qeset me para, kur e sulmuan.
Kurse policia në një deklaratë zyrtare, thotë se përfaqësuesi i kompanisë sapo kishte dalë nga parkingu dhe po hynte në bankë, kur u grabit.
Sekuestrohen pamjet filmike
Policia informon se kanë ngritur pika kontrolli e po vijon krehja e zonës. Si dhe po punohet për sekuestrimin e pamjeve filmike të zonës përreth. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
“Në një parking mjetesh në afërsi të një filjali banke të nivelit të dytë, shtetasi A. S., përfaqësues i një firme, kur ka dalë nga mjeti që kishte parkuar dyshohet se dy persona me motor dhe me skafandra i kanë marrë me forcë një qese me një shumë të papërcaktuar lekësh”, thuhet në njoftimin e policisë.