Blendi Klosi bëhet mashë e oligarkëve/ Propozon projektligj që zgjat përjashtimin nga tatim fitimi për hotelet luksoze

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi ka propozuar një projektligj, i cili shtyn afatin e përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje. Sipas ligjit ekzistues, të gjitha subjektet e hotelerisë, që përfitonin statusin special brenda datës 31 dhjetor 2024, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme.

Por përmes një projektligji të zbardhur një ditë më parë nga Top Channel, Blendi Klosi ka propozuar që ky afat të zgjatet deri në 31 dhjetor të vitit 2026. Kjo do të thotë se përjashtimin nga tatim fitimi në dhjetë vitet e ardhshme do ta përfitojnë edhe subjektet, të cilat marrin statusin special nga qeveria vitin e ardhshëm dhe vitin tjetër pas tij.

Përfituesit e kësaj nisme të propozuar nga ish ministri i mjedisit do të jenë subjektet të cilat do të marrin statusin special në dy vitet e ardhshme. Kjo e bën projektligjin një nismë klienteliste me një numër të ngushtë përfituesish. Në këtë rast nuk është shumë e vështirë të imagjinohet se cilët janë nismëtarët e vërtetë të këtij projektligji. Janë oligarkët ata që do të marrin statusin special për hotelet e tyre gjatë dy viteve të ardhshme.

Deri tani disa nga përfituesit e këtij ligji janë Armand Lilo, që ndërtoi 8 kate pa leje në mes të Tiranës dhe Gjikuriajt, që kanë përlarë gjithë Dhërmiun.

Veçanërisht gjatë viteve të fundit, Edi Rama duket se po përdor një instrument indirekt për të lëshuar favore publike tek rrethi i ngushtë i përhershëm i përfituesve. Tashmë këto favore nuk vijnë përmes projektligjeve qeveritare, por vijnë në formën e amendimeve ligjore të deputetëteve.

I njëjti mekanizëm u përdor edhe për çmontimin e zonave të mbrojtura, kur nisma u propozua nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste dhe jo nga vetë qeveria. Me pak fjalë, punët e pista, nuk kalojnë me nga qeveria, por nga kamikazët politikë të shumicës, të cilët në këtë rast bëhen mburoja e qeverisë përballë SPAK. Ose të sakrifikuarit me stofin e idiotëve të dobishëm të Partisë.

Qeveria shqiptare vazhdon të japë lejë ndertimi për hotele dhe restorte në Jug të vendit, një pjesë e mirë e të cilëve në toka shtetërore, që tjetërsohen përmes ligjit të famshëm të investimeve strategjike. Por me sa duket këta përfitues nuk mjaftohen vetëm me tokat publike që marrin falas, por duan edhe përjashtim nga taksat për një dekadë. Ndaj e vunë edhe Klosin në shërbim për të zgjatur afatin e përfitimit.

Përjashtimet fiskale për hotelet kanë qenë një nga pikat më të kontestuara të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili i ka bërë thirrje qeverisë disa herë publikisht që t’i shfuqizojë ato. Por në vend të ndjekë rekomandimet e FMN, maxhoranca ka zgjedhur rrugën e kundërt, atë të zgjerimit të oligarkëve përfitues të favoreve fiskale./Kapitali.al

Artikulli paraprakHetimet për Veliajn/ Përveshja e Ramës për të kapur SPAK
Artikulli tjetërVendimi i Kushtetueses/ VOA: Të dhënat e “Sky Ecc” do të përdoren si provë në proceset gjyqësore