Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar shitjen e Tirana International Airport tek Keen Dynamics Limited. Sipas informacionit të dhënë nga Autoriteti, blerësi kinez, i regjistruar në Ishujt Cayman ka pasur një xhiro zero me 2015, ndërsa kompania mëmë China Everbright Limited kishte një qarkullim vjetor prej 1.2 miliardë euro. Kompania tjetër mëmë, Fredman Pacific Asset Management, kishte një xhiro vjetore prej më pak se 100 mijë euro.
Në një njoftim zyrtar Autoriteti i Konkurrencës ka raportuar se do të monitorohet sjellja e ndërmarrjes së re në treg, sa i përket tarifave dhe shërbimeve të ofruara.
Autoriteti ka shpjeguar dhe skemën e blerësit. China Everbright Limites dhe Friedman Asset Management përfitojnë kontrollin në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nëpërmjet shoqërisë Keen Dynamic Limited.
Keen Dynamic Limited në cilësinë e blerësit është një shoqëri e themeluar në 31 mars të këtij viti dhe që funksionon në bazë të legjislacionit të ishujve Cayman me seli në adresen: Offshore incoporation (Cayman) Limited, Willou House, Cricket Square e regjistruar me numër 309439. Objekti i shoqërisë është të ushtrojë biznesin e një shoqërie investimi dhe të veprojë si nxitës dhe sipërmarrës, të zhvillojë biznesin financiar, koncensionar, broker, tregtar, agjent, importues dhe eksportues dhe kryejë të gjitha llojet e operacioneve investuese, financiare tregtare etj.
China Everbright Limited në cilësinë e shoqërisë mëmë të blerësit është një shoqëri kineze, e cila është fokusuar në investime dhe menaxhime fondesh. Gjithashtu shoqëria nëpërmjet pjesëmarrjes në shoqëri të tjera është gjithmonë në zhvillimin e biznesit të qiradhënies së avionëve në Kinë dhe në tregje në zhvillim. Ajo është e listuar në Bursën e Hong-Kong që prej vitit 2014. Shoqëria zotëron indirekt 75% të kapitalit themeluar të blerësit.
Friedman Pacific Asset FPAM në cilësinë e shoqërisë mëmë të blerësit është një shoqëri e themeluar dhe që funksionon në bazë të legjislacionit kinez, me seli në Hong-Kong. Veprimtaria e saj fokusohet kryesisht në investime në industri të lidhura me aviacionin. Bizneset kryesore të shoqërisë përfshijnë qiradhënien e avionëve dhe investime në aeroporte. Gjithashtu shoqëria është aksionari kryesor i Aeroportit të Tuzuës në Francë. FPAM zotëron në mënyrë indirekte 25 për qind të kapitalit të blerësit.
Tirana International Airport në cilësinë e ndërmarrjes së shitur zotërohej deri para shitjes nga, Avi Allaiance GmbH, Deutche investitions und Entwicklungsgesellschaft (DEG).
Xhiro e blerësve për 2015:
China Everbright Limited 164,9 miliardë lekë (1.2 miliardë euro)
Fredman Pacific Asset Management 13 milionë lekë (93 mijë euro)
Keen Dynamics Limited (blrësi) 0 lekë
Blerësi i fundit 0 lekë
Tirana International Airport 4.9 miliardë lekë (35 milionë euro)
Tirana International Airport u shit për 82,2 milionë euro
Është 82.25 milionë euro shuma e shitjes së kompanisë Tirana International Airport, që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, tek Grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong.
Sipas kontratës së shitblerjes, të parë nga “Monitor”, çmimi i shitjes është 82, 250, 000 euro. Kjo shumë është ndarë tek tre aksionerët aktualë të Tirana International Airport, sipas përqindjes së tyre përkatëse të aksioneve (DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH-31.7%; Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%; AviAlliance GmbH-47%). Konkretisht: DEG- 26,073,250 euro, Avia – 38,657,500 euro, AAEF- 17,519,250 euro.
Grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftoi zyrtarisht në 25 prill 2016 nënshkrimin e marrëveshjes për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Tirana International Airport është një nga kompanitë më fitimprurëse në vend. Në vitin 2015, ajo kishte një qarkullim vjetor prej 4.9 miliardë lekë, rreth 35 milionë euro.
Në 2015-ën, sipas të dhënave nga Kompania, fitimi arriti në 11.26 milionë euro, me një rritje prej 31% në krahasim me 2014-ën, ndërkohë që norma e fitimit arriti në 32%.
Në prill 2016, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së shitjes, përfaqësuesit e ortakëve të TIA-s miratuan në mënyrë unanime ndarjen e 15.5 milionë eurove dividend nga fitimet e mbajtura/akumuluara në shumën prej 5.5 milionë euro dhe fitimi i vitit financiar të vitit 2015, prej 11.26 milionë euro, ndërsa 1.25 milionë euro u la si fitim i mbajtur.
Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20- vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombetar “Nënë Tereza”, Tiranë. Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana International Airport për heqjen e eksluzivitetit të kësaj të fundit.
Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e Afatit të Koncesionit prej dy vitesh, duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027.