– “Deutsche Welle”: Zoti Fleckenstein, zgjedhjet përfunduan, ishte një atmosferë ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme. Çfarë note do t’i jepnin zgjedhjeve parlamentare kësaj here?
Knut Fleckenstein: Ne nuk shpëndajmë nota, por përshtypja ime e përgjithshme është se ato në masë të madhe ishin të rregullta. Megjithatë kam dëgjuar edhe për raste si blerja e votës dhe kjo duhet parë si të luftohet, sepse është një çështje se si do të organizohet një vend, madje deri diku edhe një çështje nderi për një vend.
– Kreu i opozitës Basha, i cili e pranoi humbjen, foli megjithatë për një garë jo të barabartë, ai theksoi se ka pasur blerje të votës… sa shqetësues ishte ky fenomen?
Konkretisht nuk mund të them diçka, na duhet të presim edhe raportin përfundimtar të ODIHR-it. Akuza të tilla unë i kam dëgjuar nga të gjitha palët, kundër njëra-tjetrës. Por më duhet të jem i kujdesshëm këtu dhe të pres vlerësimin e OSBE-ODIHR-it.
– A mund të thuhet, se Shqipëria përfundimisht me këto zgjedhje e mbyll epokën e fushatave e zgjedhjeve konfliktuale? Sa ndikoi marrëveshja Rama-Basha në këto zhvillime?
Sigurisht ajo ka luajtur rolin e saj. Dhe unë jam i gëzuar që mund të themi, se zgjedhjet kaluan kryesisht në një atmosferë paqësore, ashtu siç duhet të jetë, dhe se këtu kryeminitri Rama dhe Basha me ujdinë e tyre dhanë një kontribut të madh për këtë.
– Edi Rama është triumfuesi i këtyre zgjedhjeve me një përqendrim të ri pushteti, ai kapi shumicën absolute. Çfarë rreziqesh përmban një përqendrim i tillë i pushtetit?
Shumicat absolute gjithmonë e mbajnë një rrezik me vete, pra që qeveritë e ekzagjerojnë, por në shumë vende ka qeveri që qeverisin me shumicë absolute. Parimisht kjo nuk përbën problem, ai fillon e bëhet i tillë, kur qeveria e keqpërdor këtë pushtet që ka, por për këtë nuk kemi të dhëna për momentin.
– A do të thotë kjo se do të jetë më e vështirë në këto kushte për opozitën që të luajë rolin e saj monitorues kundrejt qeverisë?
Jo, nuk ka pse të jetë kështu. Opozita gjithmonë është në një numër më të vogël se qeveria, ndryshe nuk do të ishte opozitë. Por po qe se i llogarisni deputetët të gjithë bashkë, – nuk e di nëse do të ketë koalicione -, por nëse nuk ka, atëherë opozita në Parlamentin e ri do të ketë më shumë se 50 vetë, pra sigurisht që është një opozitë e madhe. Më e vështirë bëhet atëherë, kur mazhoranca bëhet shumë më e fuqishme dhe opozita zvogëlohet.
– Rama e ka tani “timonin” e pushtetit, siç kërkoi në fushatë, në mënyrë që të kishte më shumë liri për të zbatuar reformat e thella. Çfarë prisni tani nga qeveria e re Rama?
Kryeministri Rama e ka tani rrugën e hapur, për të mbetur tek imazhi tij dhe nëse ai di ta përdorë si duhet këtë pushtet, ai do të gjejë shumicën që i duhet edhe në Parlament. Këtë tani Rama duhet ta vërtetojë. Detyrat që qëndrojnë para qeverisë janë zbatimi i vërtetë i reformës në drejtësi, ajo duhet të çojë përpara luftën kundër drogës, korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar. Një pikë tjetër e rëndësishme do të duhet të jetë trajtimi i çështjes së vështirë të pronës dhe gjetja e një zgjidhjeje për këtë. Rama nuk ka për t’u ankuar, se tavolina e tij e punës do të jetë plot.
– I shikoni tani të plotësuara më në fund të gjitha kushtet që BE të japë dritën e gjelbër për të hapur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në vjeshtë?
Sa i përket atmosferës këto zgjedhje ishin shumë më të kënaqshme, se të mëparshmet. Kur dëgjoj vëzhguesin tonë, zotin Kukan që ishte aty, përmirësimi është i dukshëm. Besoj se nuk ka si bëhet ndryshe, veçse ta themi qartë se tani duhet që të hapen negociatat. Ndoshta do të kalojnë pak javë e muaj derisa të ulen të gjithë në një tavolinë, por nuk duhet të vendosim pengesa të reja, sepse kjo nuk do të ishte e drejtë.