Përveç rikthimeve, lista e Silvinjos për tetorin mund të ketë edhe hyrje të reja. Kombëtarja shqiptare e futbollit do të nisë përgatitjet ditën e hënë për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve. Këtë herë, një sulmues i ri pritet të bashkohet me Kombëtaren A.
Indrit Tuci mund të përfshihet nga trajneri 50-vjeçar për ndeshjet me Çekinë dhe Gjeorgjinë. Por, diçka e tillë do të varet edhe nga gjendja e Rei Manajt. Sulmuesi është në fazë rikuperimi nga një dëmtim i pësuar para dy javësh dhe nuk dihet nëse do t’ia dalë në kohë për të qenë gati më datën 7 tetor, ditën ku ekipi përfaqësues do të nisë stërvitjen e parë në Tiranë.
Përcaktuese do të jetë ndeshja e kësaj fundjave dhe nëse Rei Manaj nuk ia del me klubin e tij, atëherë ai nuk do të jetë në listën e Silvinjos dhe kështu mund të jetë mundësia për Indrit Tucin. Së bashku me mungesën e Brojës, Mirlind Daku mbetet alternativa e vetme që Silvinjo ka për sulmin në këto dy ndeshje.
PRAPASKENAT ME TUCIN- Puna e një trajneri të një ekipi kombëtar, është edhe zbulimi apo “goditja” që ata mund të bëjnë me lojtarë të caktuar duke i vënë ata në shërbim të skuadrës. Dhe këtë Silvinjo e bën shpesh. Me brazilianin jemi mësuar që të shohim emra të rinj. Silvinjo i ftoi në Kombëtaren A.
E bëri me Mehmetin, Mujën, Dakun, Asanin, Berishën etj. Mesa duket këtë radhë është momenti i Tucit. Trajneri ka udhëtuar pak kohë më parë dhe e ka ndjekur nga afër sulmuesin dhe aty ka konsumuar edhe një bisedë me të. 24-vjeçari nga janari i këtij viti është pjesë e Spartës së Pragës dhe ka luajtur gjithashtu 7 ndeshje me Kombëtaren U-21.