Blindohet Konte!

Chelsi kalon nga fjalët në vepra për të blinduar trajnerin Antonio Konte. Interesimi i Interit, me pronarin e ri të zikaltërve Zhang Jindong, që është gati të bëjë çmendurira financiare për të bindur trajnerin italian të rikthehet në Serinë A, ka vënë në lëvizje drejtuesit e Bluve të Londrës. Presidenti i Chelsit, rusi Roman Abramovich duke u bazuar te ato çfarë shkruajnë mediat angleze ka gati një marrëveshje të re për 47-vjeçarin nga Leçe.
Konte ka bërë një punë fantastike në krye të skuadrës londineze gjatë këtij sezoni, me Chelsin që po shkon i pashqetësuar drejt fitimit të titullit kampion në Premier League. Konte verën e kaluar firmosi një kontratë 3-vjeçare me Blutë e Londrës me një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon, por në mënyrë që ish-trajneri i përfaqësues italiane të mos tundohet nga milionat që i ofron Interi, Abramovich do t’i propozojë një kontratë të re me një pagë dukshëm më të lartë. Konte pritet të rinvojë me Chelsin edhe për një tjetër vit dhe nga marrëveshja e re do të arkëtojë plot 11,5 milionë euro në sezon. Trajneri 47-vjeçar dëshiron të luajë në Champions League me skuadrën angleze dhe nuk ka asnjë arsye për t’u larguar nga Chelsi pas vetëm 1 sezoni. Kështu që Konte për Interin do të mbetet thjesht një ëndërr.
Në Londër duket se i ka kapur fiksimi me trajnerët italianë. Siç bën të ditur “Gazzetta dello Sport”, sezonin e ardhshëm mund të jenë aty dhe Luciano Spalletti e Massimiliano Allegri, trajnerët aktualë të Romës dhe Juventusit. Trajneri i verdhekuqve mund të shkojë te Tottenham, për të marrë trashëgiminë e Mauricio Pochetinos, një ndër kandidatët për stolin e Barcelonës. Në të njëjtën kohë, trajneri i Juventusit që prej muajsh po mëson anglishten, duket se ka profilin perfekt për Arsenalin ku kanë lindur dyshime serioze në raportin me Arsene Venger.
Siç shpjegon e përditshmja italiane, idetë futbollistike të Spallettit janë në të njëjtën linjë me ato të Pochetinos, ndaj do të ishte për klubin londinez një zgjedhje vazhdimësie. Veç të tjerash Spalletti duket i tunduar nga ideja për të punuar nga Angli, Tottenham ka strukturën, fondet dhe ambiciet që i shkojnë për shtat synimeve të tij. Edhe për Masimiliano Allegrin e ardhmja mund të jetë në Londër, për në garën për stolin e Topçinjve janë edhe kandidatë të tjerë si Unai Emery, trajneri i PSG. Me Spallettin te Tottenham dhe Allegrin te Arsenali derbi i Londrës, ndër ndeshjet më të ndjera të futbollit anglez do të kishte dy trajnerë italianë në stola dhe për të kompletuar rrethin magjik londinez, është dhe Antonio Konte te Chelsi.

Exit mobile version