Menaxheri i Elseid Hysajt, Mario Giuffredi, ka paralajmëruar sërish skuadrën e Napolit që të nxitojë me rishikimin e kontratës për klientin e tij, ndryshe gjërat mund të komplikohen, pasi skuadra të tjera i janë vënë pas. “Zërat për Bayern? Unë i këshilloj Napolit ta blindojë Hysajn para fillimit të Europianit, duke i zgjatur dhe përmirësuar kushtet financiare në kontratë. Gjatë Europianit, ai mund të konfirmohet me paraqitje të jashtëzakonshme, siç ka bërë me klubin”, tha ai.
Giuffredi tha se, Napoli ka bërë një lëvizje shumë të zgjuar gjatë vitit të kaluar, kur nënshkroi me mbrojtësin. I blerë për vetëm 5 milionë euro nga radhët e Empolit, vlera aktuale e kartonit të lojtarit përllogaritet sa pesëfishi i kësaj shifre të shpenzuar asokohe. “Aktualisht, kartoni i Hysajt vlen mes 20 dhe 25 milionë eurove. Napoli ka bërë një lëvizje të shkëlqyer teknike dhe ekonomike, kur nënshkroi me të, pasi për Hysajn do të vihen në lëvizje skuadra të rëndësishme që do të mundohen t’ia rrëmbejnë”, theksoi ai.
Duke folur për “Radio CRC”, Giuffredi e cilësoi Hysajn një luftëtar, pasi sipas tij, mbrojtësi flet pak, por bën shumë gjëra në fushë. “Ai është djalosh me shumë cilësi, që di të bëjë shumë gjëra, të cilat janë çertifikuar tashmë nga statistikat sezonale”, deklaroi Giuffredi.
Ndërkohë, Arlind Ajeti mund të mbetet në Serinë A, pavarësisht se skuadra e tij aktuale, Frosinone nuk mundi të mbjetonte në elitën e futbollit italian. Për 22-vjeçarin e kombëtares shqiptare interesohet Torino, që kërkon një qendërmbrojtës të ri dhe cilësor dhe që jep garanci për të ardhmen.
Për të siguruar kartonin e Ajetit, drejtuesit e Torinos do t’i ofrojnë Frosinones mbrojtësin ukrainas Vasyl Pryyma, që këtë sezon është aktivizuar po te Frosinone në formën e huazimit në pjesën e dytë të sezonit.
Të dy kishim kontratë për një vit me të drejtën e rinovimit, shqiptari me Frosinonen dhe ukrainasi me Torinon, që do të thotë se një shkëmbim i mundshëm mes tyre, është mëse i pranueshëm, me klubin lazial që gjithsesi nuk do të hiqte dorë plotësisht nga kartoni i Ajetit.
Arlind Ajeti që kur mbërriti në Serinë A në muajin nëntor, u shndërrua në titullar i padiskutueshëm në radhët e Frosinones, ku ka luajtur në 16 ndeshje, për një total prej 1218 minutash. Në rast se, skuadra e Stellones do të mbijetonte, kontrata e Ajetit do të rinovohej automatikisht për dy sezonet e ardhshme.
Përcaktues për të ardhmen e qendërmbrojtësit shqiptar pritet të jetë dhe aktivizimi i tij në finalet e Europianit. Në rast se Shqipëria do të ketë një ecuri pozitive, sigurisht që edhe kuotat e lojtarëve të kombëtares në tregun e futbollistëve do të rriteshin ndjeshëm.