Bllofi i policisë me dhelprën e kuqe tek avionët e drogës

Nga mushkonjat tek dhelpra e kuqe. Policia në kohë korrje dhe transporti të drogës me avionë i servir opinionit alibi të ndryshme për të fshehur skanalin. Dy vite më parë Rama tha në Parlament se avionët që fluturonin në Divjakë me ngarkesat me drogë nuk ishin ashtu sikurse thuhej, por ishin avionë për spërkatjen e pyllit nga mushkonjat.
Dy vite pas asaj deklarate të Ramës, policia ka bërë të njëjtën gjë 10 ditë më parë me avionët e drogës që fluturojnë mbi Seman dhe që u evidentuan edhe dy ditë më parë. Sipas deklaratës zyrtare të policisë ata avionë që fluturuan mbi Seman 10 ditë më parë nuk ishin për transportin e drogës, por për spërkatjen e vendit kundër tërbimit për dhelprën e kuqe.
Ajo çfarë e nxjerr bllof policinë nuk është opozita, por një institucion tjetër i shtetit. Drejtoria e Shëndetit Publik në një prononcim për televizonoin ABC News nuk e ka konfirmuar alibinë e policisë. Sipas kësaj drejtorie në të tilla procese duhet njoftuar Drejtoria e Shëndetit Publik me qëllim marrjen e masave mbrojtëse për banorët e zonës ku kryhet ky lloj vaksinimi. Kjo nuk ka ndodhur. Këtë vit DSHP nuk ka marrë asnjë njoftim për vaksinim të kafshëve të egra.
Një mashtrim i tillë i policisë i rrëzuar nga Drejtoria e Shëndetit Publik flet për të vërtetën e drogës. Nëse do të kishim një spërkatje sikurse pretendonte policia, atëherë ajo nuk mund të bëhej pa Drejtorinë e Shëndetit Publik. Po përse gënjen policia? Arsyet janë mjaft të thjeshta. Ata po kërkojnë të fshehin transportin e të mbjellave me drogë ku policia është kthyer në një ushtri të trafikantëve të drogës. Dhe kjo ushtri ka një titullar, i cili është koka e kartelit të drogës që lëviz nga Shqipëria në drejtim të Europës dhe ky është ministri i Brendshëm.
Policia e Fierit pranoi se mbi zonën e Semanit të dielën kanë fluturuar tre avionë të tjerë, por arsyet sipas saj ishin turistike dhe kishin destinacion Tivarin e Malit të Zi. Nëse qëllimet ishin turistike, atëherë si është e mundur që rruga për në plazhin e Semanit u bllokua nga forcat e policisë në mënyrë që qytetarët të mos kalonin nga zona ku po zhvillohej operacioni?

Denoncimi

Denoncimi i qytetarëve është bërë në rrjetet sociale. Në portalin “Jeta osh qef” disa qytetarë kanë denoncuar bllokimin që Policia e Fierit, përmes efektivëve të armatosur i ka bërë kryqëzimit të hyrjes për në Seman, duke mos lejuar lëvizjen në të. Qytetarët hedhin dyshime se këta efektivë mbronin trafikun e drogës me avionë, ndërsa kanë postuar dhe disa foto. “Përshëndetje Jeta osh qef! Në qiellin e Semanit janë parë tre avionë të bardhë, të cilët janë ulur me radhë në bregdet dhe po mbushen, e dini vetë ju. Policia ka bërë postbllok në kryqëzimin në hyrje të Semanit dhe nuk i lejon qytetarët të shkojnë në plazh. Të gjithë fierakët e dinë këtë gjë, prandaj dhe policia rri aty e armatosur”, është shprehur një nga denoncuesit.

Banorët pohojnë se kanë parë avionët

Banorët e Semanit konfirmojnë se kanë qenë prej kohësh dëshmitarë të avionëve që kanë kaluar, ndërsa pohojnë se kanë parë edhe tre avionë të vegjël që kanë fluturuar të dielën që kaloi. Banorët, të cilët kanë frikë të flasin para kamerave, pohojnë se kanë parë shpesh avionë të tillë në këtë zonë, madje të dielën njëri prej tyre fluturoi shumë ulët. Megjithëse nuk ka shenja të uljes së tyre, historitë e avionëve me drogë në këto zona, siç ishte dhe Divjaka, nuk janë të padëgjuara për shqiptarët. Rreth orës 15 e 20 të pasdites së të dielës, tre avionë të vegjël ngjyrë të bardhë, kanë fluturuar në një lartësi të ulët në plazhin e Semanit në Fier.
Kjo konfirmohet nga banorë të zonës, të cilët kanë frikë të flasin para kamerave, por pohojnë se një prej avionëve ka fluturuar shumë ulët pranë pikës së kontrollit detar në plazhin e Semanit. Në këtë zonë nuk janë gjetur shenja të uljes të avionëve. Banorët thonë se nuk është hera e parë që shohin avionë të tillë të fluturojnë në këtë zonë, që ndodhet mbi 300 metër larg plazhit. Fillimisht denoncimi për fluturimin e këtyre avionëve është bërë në rrjetet sociale, ku u hodhën dyshime për furnizim të tyre me drogë pikërisht pranë plazhit të Semanit.
Madje në denoncimet e bëra nga qytetarët, të cilët kishin filmuar avionët që fluturuan në zonë përmendej edhe një postbllok i ngritur nga ana e Policisë së Fierit pranë kryqëzimit të Semanit, ku sipas denoncuesit, ky postbllok është ngritur për të favorizuar avionët e drogës. Por sipas Policisë së Fierit, postblloku ekziston prej disa muajsh, me një vendimi të Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e pyjeve, pas hyrjes në fuqi të moratoriumit. Në këtë postbllok janë katër shërbime: Policia e Shtetit, Policia Ushtarake, Policia Tatimore dhe Policia Pyjore, dhe kryejnë kontrolle ndaj të gjithë personave që kalojnë aty për të shkuar në plazhin e Semanit, Darzezë apo zonën pyjore.
Ende nuk ka reagim zyrtar nga organet përkatëse për avionët që janë parë të fluturojnë mbi zonën e plazhit në Seman, pasi nëse ata rezultojnë të kenë leje për të fluturuar në vendin tonë, atëherë autoritetet tona kanë dijeni dhe mund ta faktojnë lehtësisht këtë gjë. Avionët me drogë nuk janë histori të padëgjuara për Shqipërinë. Rreth dy muaj më parë, avionë të vegjël që ngarkoheshin me drogë u denoncuan se ishin ulur në zonën e Bishtporës në Vlorë, madje nga pala italiane u bënë publike edhe foto të avionit që dyshohej se ulej në këtë zonë, ku u gjetën dhe gjurmë të avionit. Për të mos harruar 2014, që shënoi një rast flagrant. Avioni tip “Piper” u rrëzua në plazhin e Divjakës, teksa transportonte sasi të konsiderueshme drogë.

Policia kërcënime me armë qytetarëve të mos dëshmonin për avionët

Partia Demokratike akuzoi dje se trupa të armatosura bashkë me policinë izoluan zonën në Seman ku u ngritën avionët e vegjël, ndërsa kërcënuan me armë banorët që të mos jepnin dëshmitë e tyre mbi atë çfarë kishin parë.
Përmes një deklarate për mediat, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka denoncoi rrethimin e menjëhershëm të zonës nga trupat e armatosura të policisë me qëllim kërcënimin e banorëve që të mos flisnin mbi atë që po ndodhte.
“Qytetarët e Fierit kanë denoncuar uljen dhe ngritjen e avionëve të vegjël në plazhin e Semanit dhe ndërkohë që kjo ndodhte, policia me forca të armatosura kishte bllokuar rrugët për të mbajtur larg dëshmitarët. Denoncimi është bërë me foto dhe të gjitha dëshmitë janë, se kemi të bëjmë me avionë tipikë të transportit të drogës. Edhe më të besueshme e ka bërë këtë ngjarje policia, e cila paska reaguar e paska thënë se trupat e armatosura gjenden aty për të mbrojtur pyjet. E vërteta është se policia gjendet aty me urdhër të Saimir Tahirit për të mbrojtur trafikun e drogës”, u shpreh Noka.
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë deklaroi se e gjithë policia është vendosur në shërbim të trafikut të drogës, ndërsa citoi kushërinjtë trafikantë të ministrit Tahiri, vëllezërit Habilaj si personat që kanë zaptuar gjithë Qarkun e Vlorës duke mbjellë mijëra hektarë plantacione me drogë.
“Shefat e policisë aty, janë në shërbim të Habilajve dhe kanë hisen e tyre në këtë biznes kriminal. Fieri, ashtu si gjithë Shqipëria është mbuluar nga droga dhe avionët e vegjël që vijnë e ngarkohen janë pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Është kjo arsyeja, pse Edi Rama prej 34 ditësh nuk përgjigjet pas letrës zyrtare që unë i kam dërguar në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. I kam kërkuar që të fotografojë urgjentisht gjithë territorin, përmes avionëve italianë, sipas marrëveshjes mes dy vendeve dhe të bëjë publike rezultatet e këtij monitorimi”, tha Noka.
“Siç e shihni, avionët e monitorimit nuk vijnë, por venë e vijnë avionët e trafikut të drogës. Nuk përgjigjet Rama dhe sigurisht nuk ka ndërmend ta fotografojë territorin, pasi e di mirë se çdo kodër e çdo pëllëmbë e vendit është mbjellë me kanabis.
E di mirë dhe se kush e ka mbjellë, kush e kontrollon dhe ku ndahen përfitimet.
Prandaj Shqipëria është në vendin e parë të prodhimit dhe trafikimit të drogës në raportin e Bashkimit Europian, prandaj nervozohet Rama kur gazetarja e ‘Euronews’ e pyet për trafikun e drogës e për trafikantët.
Mbulimi i vendit me kanabis, bandat, trupat e armatosura në ara që ruajnë, avionët transportues, shefat e policisë që japin garanci e siguri, janë e gjitha pjesë e biznesit qeveritar të drogës. Një biznes që sjell fitime marramendësi për Ramën, Tahirin e bandat e tyre, por që rrënon vendin. Droga duhet shkulur, por duhen shkulur së pari rrënjët e saj në qeveri”, është shprehur Noka.

Artikulli paraprakPërgjimet, kërkesë Parlamentit italian për të nisur hetimet
Artikulli tjetërShow me aktivitetet/ Veliaj, 80 milionë lekë për një monitor 32 m2