Bllokimi dhe sekuestrimi natën i pronave nga qeveria, fsheh aferën korruptive nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj

• Bllokimi dhe sekuestrimi natën i pronave nga qeveria, fsheh aferë korruptive nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj. Pronarët denoncojnë ndërtimin e një pallati 20 katësh, në pronat e tyre të ligjshme tek “Rruga e Kavajës”.

• Qeveria grabit pronën private për ta shtetëzuar, pas 30 vitesh demokraci.

Qeveria grabit pronën private me qëllim ndërtimin e një pallati 20 katësh në “Rrugën e Kavajës”.

Ky është denoncimi i katër pronarëve të dyqaneve të cilat janë mbyllur dhe sekuestruar nga policia pa asnjë vendim zyrtar, ndonëse çështja është ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit.

“Na kanë pyetur se sa metra kërkoni për ta liruar, ne e kemi kundërshtuar. Ne po na merret prona”, deklaroi një nga pronarët, duke shtuar se “vlera e tokës në këtë zonë është 5 mijë e 500 euro metri katror, qeveria i shpronëson me 300 mijë lek të vjetra”.

Një tjetër pronar tha: “Edi Rama dhe Erjon Veliaj vetëm mbi trupin tim mund ta marrë këtë pronë. Nuk ka shans ta marrë. Prona është e imja, e kam blerë me gjak. Të më japë mua Edi Rama dhe Erjon Veliaj 22 milionë lek kur unë e kam me çertifikatë pronësie nga shteti. Jam pronar trualli. Edi Ramës shumë shpejt do t’i vijë fundi, se ky popull po vuan prej 7 vitesh për bukën e gojës. Po ikën gjithë rinia shqiptare. Të ikim edhe ne dhe të rrijë Edi Rama me moshën e tretë?”

Një tjetër pronar është shtetas i Kosovës i cili thotë se sistemi në Shqipëri po kthehet si para 200 vitesh, ku prona vidhet.

Pranë pronarëve ishin edhe banorët e Astirit, të cilët prej 9 muajsh protestojnë kundër shëmbjes antiligjore të shtëpive të tyre nga qeveria.

Oriola Pampuri, e cila ka ndjekur nga afër situatën e katër pronarëve të ligjshëm theksoi se, kjo është një aferë korruptive e Edi Ramës dhe Erjon Veliajt.

“Sot po ndodh një fenomen të cilin nuk duhet ta falim më, është shtetëzimi i pronës private. Sot kalon një oligark, vendos, shënjestrën një pronë, ia kërkon këtë Edi Ramës dhe Edi Rama ia realizon menjëherë duke uzurpuar pronat e pronarëve të ligjshëm. Pronarët e ligjshëm katër ditë më parë janë zgjuar me dyert të mbyllura, mbrëmë ishin të salduara me polici, pa asnjë lloj udhëzimi, pa asnjë lloj urdhri nga gjykata. Prefektja lartë së bashku me Erion Veliajn dhe Edi Ramën kanë kryer një akt të tillë për të realizuar aferat e tyre korruptive, siç duan të realizojnë 40 mln euro 2 km rrugë tek Unaza e Re, siç duan të realizojnë 258 mln euro për rrugën Milot Balldre apo 70 mln euro për rrugën Orikum Dukat. Këto janë afera korruptive, të cilat iu bashkëngjiten krime të tilla”, tha Pampuri.

Pronarët janë të vendosur që çështjen ta çojnë në Gjykatën e Strasburgut.

3

Exit mobile version