Bllokimi i integrimit si presion i hapur për të larguar Ramën

Nga Red VARAKU

Vendimi i BE për bllokimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë ishte historik dhe shënon një rast unikal në procesin e zgjerimit, sepse është rasti i parë kur kërkesa e tyre për hapjen e negociatave, as që merret fare në konsideratë, për shkak të dyshimeve të forta që disa vende kanë mbi realitetin shqiptar, i cili jo vetëm që nuk është reflektuar nga Komisioni i Zgjerimit, por edhe është manipuluar prej tij.

Dihet botërisht që vendimet për nisjen ose jo të procedurave të integrimit për një vend të caktuar, në thelb janë një mekanizëm presioni mbi qeveritë e këtyre vendeve në mënyrë që këto qeveri të kryejnë reformat e nevojshme për të arritur standartet e pranimit.

Pra, edhe vetoja e Francës për moshapjen e negociatave jo vetëm nuk është çështje teknike e brendshme e BE, por në rradhë të parë është një vendim politik i ashpër, i cili në thelb nënkupton, që Shqipëria dhe Maqedonia jo vetëm nuk janë gati për hapjen e negociatave, por kërkesa e tyre as meriton të merret në konsideratë për shkak të dyshimeve të forta në lidhje me realitetin në këto vende, ku sundon krimi dhe korrupsioni saqë në Shqipëri Opozita është detyruar të dalë jashtë institucioneve ndërsa në Maqedoni korrupsioni endemik dhe rasti Katica ishte parashikuar që do ta dëmtonte rëndë integrimin e vendit.

Ndërkohë e gjitha kjo në raportet e komisionerëve të zgjerimit pasqyrohet si demokraci të shëndetshme funksionale. Ky vendim është një formë e ashpër presioni se ato duhet të përmbushin kushtet e caktuara në mënyrë që të pranohen.

Kjo është kështu dhe kështu ka qenë gjithmonë. Pra, ky vendim kësaj here jo vetëm që u refuzua , por as nuk u mor fare në konsideratë nga BE, rast ky i pandodhur kurrë më parë në historinë e zgjerimit.

Bllokimi i integrimit është një taktikë e njohur tashmë. Një taktikë që përdoret gjërësisht nga Bashkimi Europian , nëpërmjet të cilës BE ushtron presionin e saj politik ndaj qeverive të korruptuara, në mënyrë që këto të fundit të përmbushin kriteret ose kushtet e vendosura nga BE për të vazhduar më tej në procesin e integrimit.

Në rastin shqiptar, sipas Macron, ka qenë pikërisht numri i lartë i azilantëve shqiptarë në Francë, arsyeja se pse Franca mendon që Shqipëria nuk është gati për të hapur negociatat me BE. Për shumë njerëz mbase ky fakt është i pakuptueshëm deri edhe i parëndësishëm siç përpiqet ta shtrojë qeveria, por nëse e analizojmë me kujdes, dalim në konkluzionin që ajo është një simptomë shumë e qartë e një populli që vuan varfëria dhe lëngon nga padrejtësia, sepse njerëzit largohen nga vendi i tyre vetëm në kushte ekstreme. Është një simptomë e qartë e një demokracie të sëmurë dhe që po jep shpirt.

Numri i lartë i azilantëve është edhe prova që ka hedhur dyshime të forta tek një institucion përgjegjës për zgjerimin siç është Komisioni Europian për Zgjerimin, një Komision që raporton në mënyrë të pacipë duke gënjyer publikisht , se Shqipëria është një vend me demokraci të shëndetshme, shqiptarët jetojnë në luks, si pasojë ata e meritojnë që të plotësohet edhe ëndrra e tyre e vjetër, antarësimi në BE.

Pra, refuzimi jo vetëm nuk është për shkak të ndonjë problemi të brendshëm të BE, por është reagim ndaj një fakti shumë të rëndë, i cili nënkupton që krimi në këto shtete ka kapur nivele alarmante. Ai ka kapur jo vetëm këto shtete, por arrin të korruptojë edhe vetë përfaqësues të BE, madje edhe shtete të BE. Është pikërisht një megakorrupsion i përmasave të tilla, që dëshmon gjendjen e rëndë të demokracisë në këto vende, ndaj vendimi i Francës është i palëkundur.

Reformimi i procesit të zgjerimit nënkupton krijimin e një institucioni të besueshëm dhe të pakorruptueshëm për raportimin e situatës reale në vendet aspirante. Rasti i kontratës së majme 15.2 milionë euro ose sa 99 për qind e fondit limit për të ndërtuar sistemin e ri elektronik të faturimit për bizneset, një afere me transaksione të dyshimta dhe përfshirje të personazheve të fuqishëm në Zagreb e Tiranë, fijet e ngatërruara të së cilës përplasen deri në zyrën e BE në Shqipëri, në atë kohë e drejtuar nga kroatja, Romana Vlahutin, janë një provë shumë e fortë e implikimit të ambasadorëve të BE në afera korruptive, dhe dëshmi e dështimit të Komisionit të Zgjerimit.

Pra, vendimi është pasojë e drejtpërdrejtë e faktit që Shqipëria, jo vetëm që nuk i ka plotësuar kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, por ajo ndodhet në një krizë shumë të rëndë të demokracisë. Sigurisht krye-arsyeja përse Europa jo vetëm nuk i hapi negociatat, por refuzoi qoftë edhe ta konsideronte kërkesën e Shqipërisë, është kriza politike e Shqipërisë, mos pjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet e 30 qershorit, vet zgjedhjet e 30 qershorit, djegia e mandateve të opozitës dhe vazhdimi pa shpresë i kësaj krize politike.

Edhe sikur Shqipëria të mos kishte kushtet gjermane, dhe sikur gjithçka të kishte shkuar vaj deri më 2019, me ato që kanë ndodhur politikisht këtë vit, Shqipëria nuk e meritonte hapjen e negociatave dhe për këtë faji nuk është as i Macron, as i Hollandës, Spanjës apo Danimarkës, por është pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit të lartë dhe krizës së demokracisë në vendin tonë.

Ndaj, për sa kohë ne do të spekulojmë në lidhje me vendimet e Europës për ne duke i quajtur ato si vendime që vijnë si pasojë e problemeve të brendshme të saj, jo vetëm që rrugëtimi ynë drejt Perëndimit do të ngadalësohet, por rreziku është që orientimi ynë drejt tij, të fillojë shikohet me skepticizëm.

Artikulli paraprakNuk është faji i Europës! Edi Rama duhet të japë dorëheqjen!
Artikulli tjetërArta Dade shpërthen ndaj Ramës: Jep dorëheqjen! Kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më!