Bllokimi i linjës energjetike Kosovë-Shqipëri, çështja do të diskutohet në Bruksel

Deri në fund të muajit shkurt të këtij viti, autoritetet në Prishtinë presin që Serbia të zhbllokojë linjën e interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo linjë ishte shpallur e përfunduar dhe inauguruar në qershor të vitit të kaluar. Për këtë projekt, janë shpenzuar mbi 75 milionë euro. Autoritetet e Kosovës presin që edhe kjo çështje të jetë një nga temat e diskutimit në bisedimet e Brukselit, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri tha se pret që hapja e çështjes së interkonjeksionit të dialogohet me Beogradin dhe kjo do të ndodhë që në takimin e radhës. Tahiri ka për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka shkelur marrëveshjen për energji, e cila ishte nënshkruar në vitin 2015 nga kryeministrat e të dy shteteve dhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian.
“Dhe prej atëherë Serbia e ka bllokuar pavarësimin e KOST-it që është pjesë e marrëveshjes për energji dhe kjo që ka implikime edhe në çështjen e interkonjeksionit Kosovë–Shqipëri, e cila është gati, po nuk ka mundur të aktivizohet për shkak të bllokadës se Serbisë”, ka thënë Tahiri. Ministri i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci tha se Republika e Serbisë ka kohë që vazhdon të interferojë në sistemin energjetik të Kosovës, dhe nuk e njeh pavarësinë e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).
Sipas tij me kërkesë të Komunitetit të Energjisë me seli në Athinë, pritet që këtë proces Serbia duhet ta zhbllokojë deri në fund të muajit shkurt të këtij viti. “Problemi qëndron tek pala serbe nuk ka zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe ne kemi pasur një plan, i cili është lidhur direkt me anëtarësimin e operatorit të sistemit të transmisionit, KOSTT, në platformën ENTSO – që është Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji, ku një zonë e caktuar bëhet zonë e pavarur energjetike dhe këtu Serbia ka bërë bllokada në zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, ka thënë Stavileci.
Në vitin 2015, Kosova kishte nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen në Sistemin Energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës kontinentale. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar mes KOSTT–it në njërën anë, organizatës së Operatorëve Evropianë të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-e) dhe 29 operatorëve të grupit regjional të Evropës kontinentale. Por, Serbia nuk e ka nënshkruar këtë marrëveshje, kjo nuk e ka bërë të plotfuqishme atë pasi kërkohet nënshkrimi i të gjitha vendeve anëtare. Mustafë Hasani, shef ekzekutiv në KOSTT, ka treguar se me këtë marrëveshje KOSTT-i është bërë zonë kontrollues e pavarur në kuadër të zonës sinkrone të Evropës kontinentale. Por, shteti i Serbisë, sipas tij, për çështje politike dhe financiare po e bllokon këtë.
“Serbia e përvetëson një të hyrë financiare vjetore dhe këto të hyra janë prej 4-5 milionë euro, nga rrjedha e energjisë elektrike që ecën nëpër rrjet të transmisionit. Dhe, kështu asaj nuk i konvenon shumë të nënshkruajë këtë marrëveshje”. “Në momentin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të hyrat nga alokimi i kapaciteteve dhe menaxhimit të kongjestioneve i takojnë KOSTT-it. Pavarësisht kësaj, edhe për vitet që kanë kaluar, ne kemi bërë kërkesë që ato para të kthehen”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë. Hasani tha se në fund të vitit të kaluar, ENTSO i ka dërguar letër Serbisë që të nënshkruajë marrëveshjen deri më 21 shkurt, kur pritet të mbahet edhe takimi i Asamblesë së Përgjithshme.

Exit mobile version