Bllokimi i punës së “Bankers”, shteti humbje të mëdha, rrezikohet plani i doganave

Kompania ‘Bankers Petroleum’ ka mbyllur përkohësisht prodhimin e naftës në Shqipëri për shkak të ndërprerjes së aktivitetit të terminalit të Petrolifera-s shqiptaro-italiane në Vlorë. Duket se ndërprerja e aktivitetit të Petrolifera-s po mban peng prodhimin e naftës të fushës naftëmbajtëse më të madhe të vendit, Patos-Marinza, që është gjithashtu edhe burimi kryesor i të ardhurave të buxhetit të Shtetit shqiptar. Që prej një jave Bankers Petroleum nuk eksporton dot naftën bruto të prodhuar nga kjo fushë. Si pasojë depot janë të mbushura dhe kompania nuk ka kapacitete të tjera magazinuese, ndaj është e detyruar të ndërpresë prodhimin. Sipas të dhënave që ka siguruar News 24, në terminalin e Petroliferas ka vetëm një pontile, ku furnizohen anijet me naftë.  Në kushtet kur anija turke ndodhet atje dhe Prokuroria nuk lejon zhvendosjen e saj, anija tjetër që ka ardhur për t’u ngarkuar, ka mbetur në radë. Eksporti i naftës nuk kryhet dot për një vonesë të Prokurorisë, sepse Ministria e Mjedisit tashmë e ka zhbllokuar aktivitetin e Petrolifera-s. Nga Prokuroria e Vlorës nuk japin asnjë sqarim se deri ku janë hetimet lidhur me këtë situatë.  Sipas informacioneve, puset e prodhimit po ndalen njeri pas tjetrit dhe nëse kjo situatë zgjatet, mund të çojë në mbylljen e plotë të prodhimit të naftës. Kompania Bankers Petroleum paguan rreth 130 milionë dollarë taksa në vit, 60 milionë prej të cilave janë vetëm të ardhurat nga renta minerare që paguhet në doganë në momentin e eksportit.  Të dhënat tregojnë se gjatë kësaj jave kur eksporti nuk është kryer, shteti shqiptar ka humbur shifra të mëdha, duke rrezikuar edhe realizimin e planit të doganave për ketë muaj. logaritet se përgjatë 10 viteve aktivitet, Bankers ka paguar 550 milionë dollarë taksa, dhe ka investuar mbi 2 miliardë dollarë. Kompania Bankers Petroleum Ltd nisi të enjten në mëngjes mbylljen përkohësisht të prodhimit të naftës në Shqipëri për shkak të ndërprerjes të njoftuar më parë të aktivitetit të terminalit të Petroliferas shqiptaro-italiane në Vlorë. “Pezullimi i terminalit të eksportit gjatë javës së kaluar ka çuar në një mungesë të magazinimit të naftës së papërpunuar brenda portit por edhe në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Kompania pret që pezullimi të hiqet në ditët e ardhshme, duke i lejuar Bankers të rifillojë operacionet”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version