Nisja e punimeve në dhjetëra rrugë në qendër të Tiranës nga Bashkia ka krijuar kaos tek qytetarët dhe trafik të rënduar të automjeteve. Shkak janë bërë punimet për ndërtimin e unazës së vogël, ku janë hapur dhjetëra rrugë. Bashkia e Tiranës ka bllokuar për qarkullimin e automjeteve shumë rrugë kryesore në kryeqytet.
Të lëvizësh me makinë këto ditë në Tiranë të duhen nerva dhe kohë e gjatë qarkullimi. Me fillimin e punimeve për unazën e vogël shumë segmente lidhëse me qendrën e kryeqytetit janë mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe lëvizja është devijuar në të tjera akse. Kur vjen nga rruga e “Durrësit” e vetmja mundësi është kthimi djathtas në drejtim të Bankës së Shqipërisë për t’u ngjitur më pas tek selia e Partisë Socialiste, por fillimisht duhet të presësh gjatë në radhë për të kaluar, pasi rruga është kthyer me një kalim.
Ndërsa për të zbritur në këtë rrugë nga Sheshi “Skënderbej” është e pamundur, pasi Bashkia ka bllokuar segmentin përpara Muzeut Historik Kombëtar. Trafikun e krijuar në qendër si pasojë e kësaj lëvizjeje e kanë të vështirë ta çajnë edhe autoambulancat apo vetë automjetet e policisë. Drejt rrugës së “Durrësit” nuk mund të kalosh as nëse tenton të përdorësh segmentin pas Muzeut Historik Kombëtar. Edhe këtu po punohet. Ndalim-kalimi këtu ka vështirësuar qarkullimin edhe në Bulevardin “Zogu i Parë”.
Tjetër arterie ku po punohet është edhe ajo nga rruga e “Barrikadave” në drejtim të rrugës së “Dibrës” dhe “Luigj Gurakuqit”. Por nuk duhet të shmangësh vetëm këtë rrugë, për të dalë në qendër, pasi nuk lejohet të perdoret as segmenti ndërmjet Teatrit të Operas dhe Baletit e Hotel “Tiranës”.
Ditët në vijim do të ketë edhe devijime të tjera të lëvizjes për shkak të punës në terren. Bashkia u ka bërë apel qytetarëve ta shmangin qarkullimin në qendër deri në përfundim të punimeve. Gjurma e unazës së vogël pritet të mbyllet pas shembjes së godinës së INSIGU-t dhe disa shtëpive private aty pranë ndonëse pronarët e shtëpive kanë protestuar për vlerësimin qesharak të shtëpive nga qeveria. Megjithatë, pasi të përfundojë unaza e vogël të tjera punime janë njoftuar të nisin, ato për ta kthyer Sheshin “Skënderbej” në një zonë pedonale. Të gjitha pasojat i vuajnë qytetarët, të cilët janë shprehur se Bashkia nuk mund të nisë punimet në dhjetëra rrugë njëkohësisht.