Qeveria do të ndërpresë dëmshpërblimin për ish-të përndjekurit politikë për t’i përdorur paratë e tyre për konçesionet dhe inceneratorët për përpunimin e mbetjeve. Nga ky vendim që pritet të marrë së shpejti qeveria e Ramës do të penalizohen 40 mijë persona që po sorollaten dyerve të institucioneve për të drejtën e tyre.
Vetëm gjatë këtij viti, qeveria do të paguajë rreth 105 milionë euro nga buxheti për kompanitë koncesionare. Në vendin e parë, renditet koncesioni i skanimit të doganave. Për këtë viti, kompania “S2 Albania” do të marrë 12 milionë euro nga qeveria. Pas saj vjen koncesioni i sterilizimit i dhënë në vitin 2014. Kompania “Sani Service” do të përfitojë 11.5 milionë euro nga paratë e taksapaguesve për sterilizimin e pajisjeve kirurgjike.
Lista pasohet nga koncesioni i hidrocentraleve mbi lumin Devoll me 10 milionë euro. Pas tyre vijnë tre koncesione të tjera në shëndetësi; Laboratorët, shërbimi i dializës dhe chek up. Këto do të marrin nga 5 deri në 6.5 milionë euro secila nga paratë e buxhetit. Të dhënat tregojnë se, koncesionet kanë norma të larta fitimi. Për ato në fushën e shëndetësisë normat e fitimit arrijnë deri në 40 për qind e të ardhurave bruto.
Inceneratori për përpunimin e mbetjeve në Tiranë do t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë 7.5 milionë euro, për Elbasanin 6 milionë euro, ndërsa Fieri 5.5 milionë euro. Por projekti me koncesion 30-vjeçar për inceneratorin e Tiranës kushton 128 milionë, dhe pritet të paguhet nëpërmjet një tarife nga Bashkia e Tiranës. Ashtu si dhe dy inceneratorët e tjerë në Fier dhe Elbasan. Sipas Ministrisë së Mjedisit, si pjesë e partneritetit publik privat për inceneratorin e Elbasanit, qeveria do të paguajë në total 21 milionë euro, ndërkohë që inceneratori i Fierit do të kushtojë 28 milionë euro.
Deri në vitin 2020, qeveria ka planifikuar të ndërtojë 12 landfille për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve bashkiake. Sipas ekspertëve të mjedisit, vendimi i qeverisë për të injoruar planin e menaxhimit të mbetjeve në favor të ndërtimit të inceneratorëve për djegien nuk mbështetet në ligj.
Incenerimi është forma e fundit e parashikuar nga plani kombëtar për menaxhimin e mbetjeve, por e para për sa i përket kostos së trajtimit të tyre, më e shtrenjtë nga të gjitha format e tjera të paraqitura në piramidën e përpunimit të mbetjeve. Inceneratorët që prodhojnë energji janë të kushtueshëm si për t’u ndërtuar, por edhe për t’u menaxhuar dhe kompanitë shpesh e kompensojnë këtë, duke negociuar kontrata afatgjata me bashkitë dhe në skenarin e Shqipërisë, me qeverinë direkt.
40 mijë ish-të përndjekurve do t’u hiqet dëmshpërblimi
Kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, paralajmëroi dje se, nëse qeveria merr vendim për skemën, do të ketë reagime. Ndregjoni tha më tej se, nëse idea që po diskutohet do të kthehet në vendim, atëherë nga skema e dëmshpërblimeve do të përjashtohen mbi 40 mijë persona, nga kategoria e trashëgimtarëve të të burgosurve dhe të të pushkatuarve.
“Çdo qytetar që është dhunuar nga pushteti diktatorial, ka të drejtën e dëmshpërblimit. Në cilin shtet demokratik ke të drejtë t’i ndalësh dëmshpërblimin trashëgimtarit? Nga të burgosurit politik 34 mijë trashëgimtarë nuk marrin dëmshpërblim, nga të pushkatuarit nuk përfitojnë 4500 persona, të cilët nuk kanë gjetur edhe varret e të parëve të tyre”, u shpreh Ndregjoni.
Ai i bëri apel qeverisë që të mos e kthejë në vendim, një ide të tillë, pasi në të kundërtën do të përballet me ish-të përndjekurit dhe pasardhësit e tyre. “Mos loz me zjarrin. Çdo vendim politik ndaj nesh është një bumerang që ju nuk do të keni vend as në Shqipëri, jo më jashtë saj”, tha Ndregjoni.
Qeveria penalizon ish-të përndjekurit
Dy ish-të burgosur të sistemit të diktaturës, Huanito Martini dhe Xhemal Hajredini, prej vitesh kërkojnë që të dëmshpërblehen për vitet që kanë bërë në burgje, por që deri tani nuk kanë marrë gjë. Si çdo ditë, ata enden në dyert e institucioneve për të kërkuar dëmshpërblimin e përcaktuar në ligj, por sipas tyre, askush nuk i ka dëgjuar. Ata shprehen se rishikimi i skemës së dëmshpërblimeve për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, nga ana e qeverisë është një hap që i penalizon. “Unë kam hyrë në burg në moshën 18-vjeçare dhe kam bërë jo pak, por 25 vite burg. Ne nuk duam të shfrytëzojmë taksat e popullit shqiptar, pasi ne kemi mundin dhe vuajtjet tona kudo në Shqipëri. Ka 27 vite që unë nuk kam marrë asnjë lekë nga qeveria”, u shpreh Huanito Martini.
Ndërsa Xhemal Hajredini u shpreh se kjo qeveri nuk i ka dhënë asnjë lek për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë. “Unë jam dënuar 25 vite burg politik. Nuk kam marrë asnjë lek, pasi kjo qeveri nuk ka dhënë lekë. Ligji është bërë që të dëmshpërblehen të përndjekurit që kanë vuajtur dënimet në burgjet e vendit.
Lajmin se qeveria po diskuton përjashtimin nga përfitimi i dëmshpërblimit të trashëgimtarëve që nuk kanë vuajtur drejtpërdrejt nga regjimi komunist e bëri të ditur gjatë së hënës ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ky vendim që pritet të merret nga qeveria së shpejti ka ngritur në revoltë ish-të burgosurit politik dhe ish-të përndjekurit si dhe familjet e tyre. Ish-të përndjekurit politikë kanë paralajmëruar se do të futen në grevë urie nëse qeveria merr një vendim të tillë të jashtëligjshëm.
R.POLISI