Një motoskaf i nisur nga brigjet e Vlorës i mbushur me drogë është kapur duke udhëtuar për në Itali. Motoskafi i ngarkuar me lëndë narkotike u bllokua nga Guardia di Finanza, rreth orës 16:30 të pasdites së djeshme, 23 milje larg Karaburunit në det të hapur. Në motoskaf gjendeshin dy shtetas italianë dhe një shqiptar, të cilët për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë e hodhën lëndën narkotike në det.
Në skaf u sekuestruan 760 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, të ndara në 43 pako. Policia shqiptare bëri të ditur se operacioni u zhvillua rreth orës 16:30, 23 milje larg Karaburunit, ku u bë e mundur kapja e një motoskafi të ngarkuar me lëndë narkotike e dyshuar kanabis. Tre të arrestuarit gjatë operacionit të përbashkët janë F.O. 48 vjeç, banues në Brindisi, D. L. 59 vjeç banues në Brindisi dhe shqiptari A.Q, 32 vjeç, banues në Vlorë. Lënda narkotike do të trafikohej për në Itali.
Edhe në disa raste të tjera të bllokimit të drogës nga Guardia Di Finaza, policia shqiptare ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me të. Atëherë lind pyetja pse policia shqiptare i lejon trafikantët të dërgojnë drogë me gomone drejt Italisë. Pse gomonet nuk bllokohen që në nisje?
Vetë në javën e fundit janë bllokuar nga policia italiane më shumë se 3 tonë drogë e futur nga brigjet shqiptare.