Nga Besart Logu
Po provohet tashmë se ata që bllokojnë aktivitetin parlamentar janë kundër propozimeve të PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Njëjtë si Edi Rama, nuk duan as listat e hapura dhe as votën e emigrantëve.
Listat e hapura
Një pjesë e mirë nga grupimi i deputetëve revolucionar nuk janë në gjendje të kandidojnë me lista të hapura sepse nuk konfirmojnë dot mandatin që mbajnë. Pesha e tyre elektorale është e papërfillshme sepse me 1 mijë apo 2 mijë vota janë konfirmuar si deputetë, kjo për shkak të herësit dhe rënditjes në krye të listës. Pa llogaritur pastaj kuotën gjinore që ia jep mandatin vetëm pse është femër.
Rekordin e impotencës elektorale e mban qarku Elbasan. Aq sa trafikuan vota brënda kandidatëve që të dilte lista sipas rënditjes paraprake. Madje, ka numërues të dënuar me vendim gjykate që vidhnin vota për llogari të deputetëve të caktuar.
Listat e hapura nuk i do as Edi Rama. Ai ndodhet nën presionin e rrymave të brëndshme në parti për të kandiduar dhe siguruar deputetë të caktuar për të cilët drejtorët hajdutë punojnë dhe hedhin para për llogari të tyre. Janë emra të urryer në publik por që herësi dhe rënditja e kryetarit i bën ato fitues.
Vota e diasporës
Arsyeja e dytë pse emigrojnë shqiptarët, pas asaj ekonomike, është edhe mungesa e shtetit, çka reflektohet hapur në demonstrimin e kulturës së moszbatimit të ligjit dhe të pandëshkueshmërisë për shkelësit e ligjit. Qeveria Rama identifikon më së miri antishtetin. Bashkëpunimi me bandat, kandidimi i eksponentëve me të shkuar kriminale, krijimi i mekanizmave për legalizimin e parave të krimit, abuzimi me pushtetin, kapja e institucioneve të pavarura dhe ushtrimi i forcës së kartonit, janë provë se si minohet shteti në themelet e tij. Dhe këtë, Edi Rama e ka bërë në mënyrë të vazhduar e të pandërprerë prej 12 vitesh që kur ka marre drejtimin e sa.
Po kështu edhe opozita revolucionare. E pa zënë mend nga politika e molotovit, me djegie mandatesh dhe refuzim për të hyrë në zgjedhje (çka të shton dyshimet e autorëve të vërtetë të atij aksioni), vazhdon akoma politikën konfliktuale. Bllokon funksionimin e institucioneve dhe atakon Presidentin, ambasadat, partnerët dhe çdo autoritet tjetër mbi palët, si të shitur te Rama dhe në funksion të pushtetit. Qëndrim ky që krijon pamundësinë e uljes në dialog me ndërmjetësimin e një pale të tretë përveçse me ftesë/reflektim të Edi Ramës. Pra, pazar.
Flakadanët, karriget e përmbysura, ulërimat dhe histerizmat kanë zëvëndësuar dialogun, argumentin, debatin, shpalosjen dhe përballjen e platformave politike. Radikalizmi, si e vetmja mënyrë e të bërit politikë, nuk tregon gjë tjetër veçse mendësinë primitive parapolitike të rrymave të krijuara së fundmi brënda opozitës.
Prandaj, rilindasit dhe revolucionarët e politikës shqiptare, të qartë pse shqiptarët ikën nga ky vend e njëkohësisht të bindur se sa shpejt kanë përqafuar kulturën e zbatimit të ligjit dhe respektit ndaj institucioneve në shtetet ku kanë ngritur jetën e re, po tentojnë të pamundësojnë votën e emigrantëve sepse ajo do të jetë kamxhik ndaj çdo politikani që i shkatërroi të ardhmen në vendin e tyre të lindjes.
Kjo është arsyeja e parë dhe e vetme pse në sondazhe partitë politike dalin si institucionet me besimin më të ulët në opinionin publik ndërsa SPAK dhe GJKKO me nivelin më të lartë. Dhe kjo për shkak se votuesve u ofrohen për të votuar listat që do kryetari i partisë e jo të zgjedhin vetë përfaqësuesin e tyre, ku më pas abuzojnë me pushtetin duke gëzuar mbrojte politike nga kryetari që i futi në listë për deputet. Prandaj, për një pjesë shpresa e vetme mbetet emigrimi dhe për pjesën tjetër që ka zgjedhur të jetojë në këtë kënetë politike, SPAK e GJKKO.