Berati dhe Gjirokastra vijnë së fundi si atraksione turistike megjithë potencialin historik dhe traditën që ato bartin, në syrin e blogerit portugez të udhëtimeve, Filipe Morato Gomes.
“Berati nuk është një qytet i madh. Por, ai,- më tha një udhëtar amerikan,- ‘po rritet brenda jush’. Dhe kështu ndodhi. E shijova vërtetë qytetin. Ishte dashuria ime e parë në Shqipëri”, shkruan Gomes, duke përmbledhur me pak fjalë ndjesitë që i la qyteti i një mijë dritareve.
Në shkrimin për udhëtimin e tij në Shqipëri, blogeri portugez veçon qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, të dyja pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Gomes thekson se ishin pikërisht fotografitë e shtëpive në lagjen Mangalem në Berat, ose pamjet nga qyteti i vjetër i Gjirokastrës, ato që nxitën fillimisht kureshtjen e tij për të realizuar këtë udhëtim.
Gomes përshkruan udhëtimin e tij nisur nga Ohri i Maqedonisë. Sipas tij, udhëtimi edhe pse merr pak kohë nuk është i vështirë. Ndërsa akomodimi në një hotel brenda kalasë së Beratit ishte zgjedhja e tij për të shijuar edhe më tepër qytetin.
Gomes paraqet gjithashtu një listë të gjërave që mund të bësh gjatë qëndrimit në Berat, duke shtuar se Berati ka shumë atraksione turistike, ku qyteti në vetvete është tërheqja kryesore.
Gjërat për të bërë në Berat:
1. Vizitoni Kalanë – Kalaja e Beratit është e banuar. Brenda ka shtëpi banimi, disa restorante dhe kafene si dhe hotel për të akomoduar turistët. Kjo është një kështjellë e gjallë. Ajo është e ruajtur mirë, rrugët me kalldrëm janë rregulluar, dhe prej aty sheh një pamje të bukur të qytetit të Beratit.
2. Vizitoni Kishën e Trinisë së Shenjtë
3. Eksploroni lagjen Mangalem- Një lagje e ngatërruar dhe shumë tërheqëse, e mbrojtur nga UNESCO. Ajo është në këmbët e kodrës së kalasë dhe fasadat e shtëpive janë ndoshta imazhi më emblematik i Beratit. Rrugët janë me kalldrëm, të ngushta dhe gjarpëruese. Banesat janë pothuajse të gjitha prej guri dhe zbukurohen me dritare të shumta prej druri. Berat është më tepër, i njohur si “qyteti i një mijë dritareve”. Dhe aty kjo shprehje ka kuptim…
4. Ecni nëpër rrugët e Goricës – Në bregun tjetër të lumit Osum është Gorica. Është pothuajse si një qytet tjetër, po aq e bukur dhe tërheqëse. Nëpër rrugët me gunga kam parë fëmijë që luajnë me top, pleq që bisedojnë dhe për më tepër, shumë qetësi.
5. Shëtisni në mbrëmje në bulevardin Republika – Si në shumë pjesë të Ballkanit, gjatë pasdites deri vonë, banorët e Beratit janë jashtë në rrugë. Bulevardi Republika është vendi ku mund të shihni dhe njihni Beratin.
6. Provo speca të mbushur – Ju do t’i gjeni në shumë restorante dhe janë të shijshme. Specat janë të gjatë, shumë të ndryshme nga ata që janë në Portugali. Mbushja zakonisht bëhet me oriz, perime dhe erëza.