-A do të ketë zgjedhje të parakohshme?
Nuk besoj se ka zgjedhje të parakohshme. Është arritur një armëpushim fals dhe i paqëndrueshëm. Ky armëpushim nuk u arrit duke bërë kurban Manjanin, u arrit për të ndarë çfarë vjen tre muajt e ardhshëm. Nuk e di nëse Rilindja dhe LSI-ja do të mund të shkonin bashkë. Këto kanë qeverisur bashkë, janë korruptuar bashkë. Kanë cënuar interesat publike bashkë, i kanë dhënë koncesionet bashkë, kanë kaluar ligjin e mbetjeve bashkë, kanë kanabizuar Shqipërinë bashkë, kanë denatyruar administratën publike bashkë, dështuan të marrin hapjen e negociatave në dhjetor, kanë cënuar bashkarisht marrëdhëniet me fqinjët pavarësisht pse bëjnë sikur kanë pozicione të ndryshme.
-LSI thotë ka marrë fatura të pamerituara?
LSI për sa kohë pranon të rrijë në këtë qeveri e gjitha është e pabesueshme. Nuk jam për të bërë gjyqin e LSI, ajo që më intereson në aspektin e një rivali politik, përfaqësoj një parti të re si LIBRA, e cila ka interes në fakt elektoral që ato të dyja të jenë bashkë se marrin përgjegjësinë deri në fund. Si qytetar i Shqipërisë, jam totalisht i neveritur nga kjo mënyrë e të bërit politikë që ka 25 vjet dhe nuk ndalet. Këtë përfaqëson sot Edi Rama, Ilir Meta dhe të gjithë ata që kanë nga mbrapa.
-Mendoni se koalicioni nuk do rezistojë deri në zgjedhje?
Mund të rezistojë deri në zgjedhje çka nuk përbën asnjë problem për mua, përkundrazi më jep një kënaqësi elektorale, ata të dy duhen mundur bashkë, janë binomi që ka deformuar kaq shumë prej 15 vjetësh politikën shqiptare, ka ardhur dita të ikin bashkë dorë për dore. Ajo që më duket mua në distancë, është se më duket sikur kanë ndarë prapë një plaçkë në tavolinë, mbi kokën e Ylli Manjanit është zgjedhur Presidenti i ri i Shqipërisë. Nuk e di sa e vërtetë mund të dalë kjo, por kështu më duket.
-Ju duket apo keni informacione?
Nuk u hyj thashethemeve të pazarit të Rilindjes, ky është pazari i Rilindjes, nuk besoj se janë duke negociuar reformat, siç të shkojë vettingu përpara që është bllokuar, si të avancojë proçesi i integrimit europian që është bllokuar, si të ç’kanabizohet Shqipëria, si të bëhet reforma zgjedhore që është e bllokuar dhe për faj të Rilindjes dhe LSI, të dyja janë kundër numërimit elektronik, sepse kanë numërues në tavolinë dhe mund t’u vjedhin vota të tjerëve. Pazari i vetëm është Presidenti i Republikës. Edi Rama dhe Ilir Meta janë duke negociuar Presidentin e Republikës, Ylli Manjanin e bënë kurban për të forcuar aleancën e tyre deri atë ditë.