Blushi: PDIU është katandisur në bishtin e PS, Doda: Vodhe protokollin e takimit me Ollbright

Nga foltorja e Kuvendit, Ben Blushi i ka kthyer një përgjigje Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në lidhje me pretendimet e saj se ai i kishte vjedhur projektligjin që lidhet me zgjedhjen e presidentit nga populli.
Blushi e mohoi këtë fakt, duke thënë se “PDIU dje ka qenë qime e PD¬-së dhe sot fshesa e qeverisë”. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes Mesila Doda, e cila akuzoi Blushin për demagogji dhe vjedhje.
Duke iu referuar akuzave të deputetes së PDIU-¬së, Mesila Doda, Blushi tha se nuk kishte parë fjalim më të shëmtuar.
“Doli dikush këtu dhe u qa: Na vodhët presidentin. Ishte një parti që dje ishte qimja e PD dhe sot fshesa e qeverisë që tha se i vodhëm projektin.
S’kam parë fjalim më të shëmtuar”.
Blushi tha se projektligji i propozuar nga ai dhe Hafizi për zgjedhjen e presidentit nga populli ja jep këtë të drejtë menjëherë popullit, ndërsa amendamentet e PDIU-¬së e çojnë një herë në Parlament dhe nëse nuk votohet me 3/5 kalon në popull.
“Opinioni i tyre është” në qoftë se presidenti nuk zgjidhet me 3/5 shkon tek populli. Është njësoj si të krahasosh një kodër me malin e Dajtit.
Amendamenti jonë është maksimal, amendamenti i PDIU është po nuk u votua me 3/5 hajde çoje në popull. Votojeni dhe nënshkruajeni për ta zgjedhur presidentin nga populli. Është një mënyrë për të shkarkuar urrejtjen e popullit ndaj kësaj klase politike”, tha Blushi.
Replikat në distancë mes deputetit Ben Blushi dhe Mesila Dodës në lidhje me draft propozimet për zgjedhjen e presidentit, kanë qenë të drejtpërdrejta në sallën e Parlamentit.
Nga foltorja e Parlamentit deputeti socialist Ben Blushi ashpërsoi tonet me Dodën, duke thënë se “shkuli flokët” në Kuvend lidhur me amendamentin e propozuar nga 10 deputetët që sipas Dodës mbante autorësinë e PDIU.
Socialisti kujtoi gjithashtu gafën e bërë vite më parë nga një deputet që kishte ngatërruar Massimo Ranierin (këngëtarin) me Umberto Ranierin. Blushi nuk përmendi emrin e Dodës, por deputetja doli dhe e pranoi vetë nga Kuvendi.
“Zotëria parafolës nuk përmendi emrin tim. Po flet për një gjë që ka ndodhur prej 15 vitesh, ishte gafa e departamentit po unë e marr përsipër. Ti vodhe protokollin e mbledhjes dhe që asaj kohe thua e ka marrë Mesila. Historia e vjedhjes është e gjatë. Është e mirë që gjërat që kanë një autor duhet të mbeten me një autor. The nisi të shkulë flokët? Me kë ke mësuar që të flasësh kështu me një grua?!!Ka dy mënyra si qasesh në politikë: t’i thuash gjërat si janë e të bësh demagogji. Unë s’kam bërë demagogji, s’kam lozur me dëshirat e popullit. Unë nuk kam qenë atëherë në Parlament, por Parlamenti s’mund të mbetet pre e shantazheve të një personi të caktuar. Unë jam larguar nga partia politike, por nuk më ke dëgjuar ti ngul thikën një për një e ti them e keni ju fajin, jo, kemi qenë të gjithë pjesë. Duhet të të vijë turp të flasësh për PDIU kështu! Nëse e ke problem se PDIU është një hap përpara ky është një problem që sna takon ne. Duhet ta zgjidhësh me veten. Je shumë i ri të flasësh e ti japësh autorësi diçkaje që sjell në Kuvend. E ardhmja është fushë e madhe ku secili nga ne mund të sjellë diçka të re. Unë vulgaritetit nuk i përgjigjem me vulgaritet”, iu drejtua Doda nga foltorja e Parlametit.

Exit mobile version