Bluza me yll, premtim bosh apo përbuzje ndaj llogjikës sonë?!

Nga dr. Eljan Kasa
Bluza me yll, premtim bosh apo përbuzje ndaj llogjikës sonë?!
Kryeministri del para shqiptarëve me një bluzë të stampuar me yllin europian, duke menduar se me një truk simbolik do të mund të fshijë realitetin që kemi jetuar për më shumë se një dekadë. Ai sillet sikur shqiptarët kanë jetuar në pyll, pa kujtesë, pa vetëdije dhe pa të drejtën për të kërkuar llogari.
Por populli në të vërtete nuk ka jetuar në pyll. Ka jetuar në varfëri, në emigrim, në rradhë të pafundme për dokumente, në spitale të shkatërruara, në shkolla pa ngrohje, në një drejtësi që i shërben pushtetit dhe jo të drejtës. Gaboheni rëndë nëse mendoni se me një yll në bluzë mund të mbuloni errësirën që ka kapluar institucionet. Dhe të gjithë e dinë se rruga drejt Europës nuk bëhet as me bluza e slogane, e as me spote televizive që shiten si realitet, por me progres real. Duhet ta kuptosh që për Shqipërinë dhe shqiptarët ka kaluar periudha e lëmoshës dhe nëpërkëmbjes. Ne kërkojmë të hymë si qytetarë të barabartë me europianët e tjerë.
Nëse integrimi do të varej nga një fjalim elektoral, Shqipëria do të ishte anëtare e BE-së që prej vitit 2013. Por realiteti është ndryshe: negociatat janë bllokuar jo për shkak të mungesës së dëshirës së BE-së, por për shkak të mungesës së standardeve, të reformave reale dhe të luftës serioze kundër korrupsionit.
Të flasësh për integrim në vitin 2025, kur korrupsioni është institucionalizuar dhe vendi po zbrazet nga të rinjtë, është tallje. Premtimi për integrim është bërë një nga gënjeshtrat më të stërpërdorura në fushatë si një mashtrim i madh që serviret për të shmangur pyetjet e vërteta:
Pse shqiptarët po largohen?
Pse nuk ka drejtësi?
Pse jemi më të varfrit në Europë?
Shqiptarët nuk kanë nevojë për yje të shtypur në bluza, por për yje të shtypur në dokumenta që hapin dyert e BE-së. Tashmë dihet nga të gjithë se Integrimi nuk është çështje marketingu. Nuk është slogani i rradhës. Integrimi është meritë, është punë, është drejtësi. Integrimi nuk vjen sepse një lider mban një fjalim.
Ai vjen kur një shtet funksionon për qytetarët, jo për oligarkët. Kur mjekët nuk luten për një rrogë më të mirë. Kur mësuesit nuk largohen nga vendi. Kur prindërit nuk përjetojnë frikën që fëmijët e tyre do të rriten larg atdheut.
Shqipëria nuk do të bëhet europiane nga bluza juaj me yll, por kur korrupsioni të ndëshkohet, kur meritokracia të ringjallet dhe kur populli të trajtohet me dinjitet.
Ndaj sot, më shumë se kurrë, është koha të themi: Mjaft me simbole, dhe me mashtrime!
Ne nuk jemi popull pa memorie.
Ne jemi shqiptarë që kërkojmë dinjitet, drejtësi dhe një të ardhme që nuk shitet me propagandë.
Le ta marrim fatin në dorë!
Jo me yje në bluza, por me yje në zemra. Yjet e punës, të ndershmërisë, të sakrificës dhe të dashurisë për vendin.
Exit mobile version