Prokurorët sekuestrojnë serverin qendror të kamerave të sigurisë në ambientet e Forcave të Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, drejtuesi i të cilës është arrestuar dhe ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. “ABC News” ka mësuar se pavarësisht pretendimit të drejtuesve të këtij reparti, se kamerat e sigurisë nuk punojnë, hetuesit e Prokurorisë kanë sekuestruar serverin, pasi dyshohet se është ndërhyrë për fshirjen e tyre. Ky repart është nga më të monitoruarit, pasi agjentët e tyre merren me vëzhgimin, ndjekjen, arrestimin e personave të kërkuar dhe që janë trajnuar sipas policisë me aparaturën e përgjimit “IMSI Catcher”. Por pavarësisht pretendimeve se kamerat nuk punonin, hetuesit e Prokurorisë kanë sekuestruar serverin, duke e dërguar pranë Laboratorit të Policisë Shkencore për të ekzaminuar. Sipas Prokurorisë janë librat e regjistrit të hyrje-daljeve në repart, ato që provojnë se brenda këtij institucioni që ndodhet në zonën e njohur si “21 dhjetori” makina ku ndodhet e instaluar pajisja e përgjimit “IMSI Catcher” figuron që ka hyrë në të paktën dy raste. Nga këqyrja e këtyre librave, rezulton se mjeti ku ndodhet pajisja është drejtuar nga shefi i IT-së së këtij reparti, tashmë i arrestuar dhe izoluar me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Ention Xhelilaj. Si provë mbështetëse e këtyre librave të hyrje-daljeve, prokurorët kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së Bashkisë së Tiranës, ku është identifikuar makina që kalon në rrugën ku ndodhet reparti i Forcave të Posaçme Operacionale. Këto pamje janë fiksuar pikërisht më datën 13 maj, rreth orës 12:00, kur oficerët e policisë kanë shkuar për të sekuestruar makinën ku ndodhet pajisja e përgjimit. Por, ajo është larguar nga ambientet 10 minuta pasi hetuesit kanë shkuar në ndërtesë dhe ishin në pritje të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako që të firmoste sekuestrimin. Nga ana tjetër, ajo që për hetuesit hedh poshtë pretendimet e policisë se ekspertët italianë gjatë gjithë kohës kanë qenë të pranishëm në momentin e trajnimit, hidhet poshtë nga sistemi TIMS i Policisë së Shtetit. Burimet thonë se nga verifikimet e kryera, rezulton se nga marsi, kur pajisja ka hyrë në Shqipëri e deri në momentin që ajo është bërë publike në media, ka rezultuar se në disa raste ekspertët italianë janë kthyer në Itali duke lënë pajisjen në ambientet e Repartit të Forcave të Posaçme të Operacionales. Sipas Prokurorisë, ajo që ka ngritur më shumë pikëpyetje, se kjo pajisje është përdorur për përgjime të paligjshme, është fakti se sa herë ka hyrë në territorin shqiptar kjo pajisje, ajo është deklaruar në dogana, Policia e Shtetit ka njoftuar prokurorin e Përgjithshëm dhe më pas prokurorëve konkretë për veprime hetimore. Rasti i fundit ishte gjatë periudhës së vitit 2013-2014 kur në Shqipëri kishte çdo ditë shpërthime eksplozivi.