Boban me kritika

Momenti i keq i Milanit që pas barazimit ndaj Frosinones mund të mbetet jashtë Europës, ka prekur drejtpërdrejtë edhe disa nga legjendat e klubit kuqezi. Ish-mesfushori i Milanit, kroati Zvonimir Boban ka folur në lidhje me situatën që po kalojnë kuqezinjtë. Ai e ka analizuar takimin me Frosinonen dhe është shprehur se përgjatë 90 minutave nuk pa asgjë pozitive nga ana e Milanit. Boban gjatë analizës së tij foli dhe për ndryshimet e shpeshta të trajnerëve, ku sipas tij në vend që të ndihmojnë skuadrën e kanë përkeqësuar akoma dhe më shumë situatën. Kroati dha një mendim dhe për ish-teknikun Sinisa Mihajloviç dhe trajnerin aktual Christian Brochi. “Mihajloviç kishte ndërtuar një skuadër, e cila vepronte si një trup i vetëm, pavarësisht rezultateve ja kishte dalur të krijonte një grup, i cili nën drejtimin e tij po ecte mirë. Brochi nuk duhet ta kishte pranuar ofertën për të marre në drejtim stolin e Milanit. Duhet ta kuptonte se ishte shumë i vogël, për një klub që mbart një histori plot me suksese”, u shpreh Boban.
Sipas Boban më shumë se sa faji i trajnerve për momentin negativ që po kalon Milani, përgjegjësia më e madhe është e presidentit Berlusconi, i cili duhet ta kishte projektuar me kohë të ardhmen e klubit. I pyetur për trajnerin e ardhshëm të Milanit, ish-futbollisti dhe vetëm një emër dhe ai është Paolo Maldini, për shkak të asaj që ai ka arritur me fanellën e kuqezinjve dhe të integritetit të tij moral. Pavarësisht situatës jo shumë pozitive, lajme të mira vinë nga merkato për Milanin. Sipas mediave italiane sulmuesi  i Celta Vigos, Nolito, është vënë në qendër të vëmendjes nga ana e drejtuesve. Mendohet se spanjolli  ka arritur dhe një akord me kuqezinjtë, për t’u transferuar në Milanelo verën e ardhshme. Shuma e kartonit të 29-vjeçarit kap shifrën e 18 milionë eurove.
Ndeshja u mbyll në barazim 3-3, por asnjëra nga dy ekipet nuk doli e kënaqur me këtë rezultat. Më keq për Frosinones, pasi ishte duke udhëhequr 3-1 dhe një tre pikësh do t’i mbante gjallë shpresat për qëndrimin mes më të mirëve edhe sezonin e ardhshëm në Itali. Miqtë e mbyllën pjesën e parë me avantazhin e dy golave, por me të filluar pjesa e dytë, Milani merr një penallti, por gjuajtja e Balotellit u prit fillimisht nga portieri e më pas Ajeti e largoi topin në goditje nga këndi. Megjithatë, vetëm pas një minute kuqezinjtë gjetën golin e parë me kolumbianin Bacca. Frosinone arriti të shënojë edhe golin e tretë në minutën e 54 me Dionisin. Milani e rriti presionin pas këtij goli, duke kërkuar të ngushtojë diferencën dhe në minutën e 74 Antonelli e çoi rezultatin në 2-3.
Atëherë kur u mendua se, Milani regjistroi një tjetër humbje, arbitri kryesor akordon një 11-metërsh, të cilin e kthen në gol Menez. Madje, në fundin e takimit Balotelli pati një mundësi të artë për të përmbysur rezultatin, por topi i goditur nga ai përfundoi në traversë. Pas kësaj ndeshjeje, Frosinone është thuajse në Serinë B, pasi ndodhet 4 pikë pas Palemos, kur kanë mbetur edhe dy takime nga fundi i kampionatit.
Ndërsa Milani përfundon në vendin e 7, duke u parakaluar nga Sassuolo, e cila fitoi 1-0 ndaj Veronas. Aktualisht kuqezinjtë ndodhen jashtë zonës së Europa League sezonin e ardhshëm, megjithatë janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Këtë të dielë u luajtën edhe 3 takime të tjera të javës së 36 në Serinë A, ku në mesditë Juventusi, tashmë i shpallur kampion, fitoi 2-0 ndaj Carpit. Palermo mposhti 2-0 Sampdorian, ndërsa Empoli-Bologna u mbyll në barazim pa gola.

Exit mobile version