Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi me anë të një mesazhi në rrjetin social Facebook ka reaguar në lidhje me Maturën Shtetërore. Boçi theksoi se shumë maturantë kanë shprehur shqetësimin e tyre për provimet që kanë kryer. Sipas ligjvënësit të djathtë, Rama ende është i trullosur nga “zhegu” futbollistik. “Kryeministrit nuk i ka dalë ende trullosja nga “zhegu” futbollistik (është ende nën efekt), ndërkohë që maturatët përjetojnë “sfidën” e jetës dhe janë nën “ethet” e momentit më delikat të së ardhmes së tyre. Por askush qeveritar nuk ia “ka qejfin”, “terezisë” së tyre të shprishur. Janë të shumtë ata që shprehin pakënaqësinë për zhvlerësimin e maturës në provim dalës. Me qindra ata që denoncojnë procesin, pasaktësitë, absurditetin e sfilitjen e dy provimeve në një ditë, përgjigjet me vonesë, amullinë aplikuese për të drejtën e studimit. Më shumë se parashtrimet e mia, këtë gjendje dramatike e përcjell shkrimi i kësaj maturante, ndër të shumtë të ardhur në inbox apo të postuar në fcb: “Ç’po ndodh me ne! Po tallen me ne? Duan të na penalizojnë? Ministria e Arsimit po luan rëndë me fatet e 40 000 maturantëve. E nisi lojën në muajin mars, kur na vuri para faktit: Ndërron procesi i MSH; hiqen koeficentet; hiqet formulari A2. Po ky ishte vetëm fillimi. Në muajin maj vijnë disa vendime: 1. Do të jepet anglishtja e detyruar A2 dhe pastaj B1 dhe pastaj B2 dhe pastaj B1….O Zot, rrëmujë, katastrofë. 2. Në shtator vjen vendimi: do të jepet anglishtja me zgjedhje B2 test i shkollës dhe pastaj në maj vendoset TOEFL. Nuk mjaftohen me kaq: –Tallen me provimin e letërsisë: edhe sot e kësaj dite në faqen e MASH dhe AKP nuk ka dalë testi që të verifikojmë përgjigjet dhe saktësinë e tyre (doli me sh vonesë). –Tallen me matematikën bërthamë: japin dy ushtrime jashtë programit. – Tallen me matematikën e shkollave profesionale: japin 10 ushtrime jashtë programit. –Tallen me provimin e anglishtes me zgjedhje: TOEFL- provimi zhvillohet me magnetofonë të viteve ’90. Nxënësit hyjnë në provim në orën 9.00 dhe dalin në orën 17.00. Në kushtet e një temperature 40 gradë, pa ushqim, pa ujë, pa kujdes. Nxënës të dhunuar e të masakruar. Drejtues pompozë që hyjnë dhe trembin maturantët, madje hyjnë të shoqëruar me policë. Nuk është aspak e vështirë të trembësh një maturant ditën e provimit. Tallen në mënyrë makabre, duke na njoftuar pikërisht ditën e provimit, në mëngjes që ata, të cilët nuk kualifikohen në anglishten TOEFL, do të penalizohen për 2 vjet. Pse nuk na u tha që në fillim? Pse kjo errësirë, kjo mungesë informacioni? – Tallen me çelësin që jep zgjidhjet e matematikës me zgjedhje: dy ushtrime të zgjidhura gabim. Të shkretat mësuese po ngrenë zërin me njëra-tjetrën, po kaq. Nuk guxojnë të shkojnë më tej. U rrezikohet vendi i punës. Po ne ç’do të bëjmë? Jemi 40 000 vetë, të rinj, të mençur, të cenuar. Të mos t’i lëmë të tallen. Të bashkohemi dhe të shkojmë përpara zyrës së ministres së Arsimit. Zëri ynë do dëgjuar. Të mos humbim kohë. Ky është apeli për të gjithë!”. Ky është gulçi i sinqertë i saj! “Shkundu”, ose më mirë Shkulu K/ministër!”, përfundon reagimi i Boçit.