Deputeti i PD, Luçiano Boçi reagoi dje pas shfaqjes së Ramës në ceremoninë e ndarjes së diplomave në Universitetin “Mesdhetar”, i cili ndërsa foli për reformën në arsim u tall me maturantët e penalizuar nga sistemi i dështuar që ai bashkë me ministren e Arsimit implementuan.
“Nga maja e Universitetit “Mesdhetar”, ku diplomën mund ta marrësh dhe duke u larë si turist gjatë vitit në Mesdhe, Rama po u mbush mendjen maturantëve se budallallëku që ai prodhoi është ndryshim epokal!? Në fakt nga një anë ka ‘të drejtë’. Ka të drejtë, sepse çoroditja, amullia, dështimi që ai instaloi për maturantët, ishin unikale në këto 25 vite. Harroi të thotë që si rezultat i këtij ‘ndryshimi epokal’, pas ezaurimit të dy raundeve, më shumë se gjysma e maturantëve enden rrugëve e zyrave të ministrisë së tij, për të kapur të ardhmen. Harroi të pohojë që në fazat e pritshme maturantët do të luajnë ‘live’, si në loto 1X2, ose ‘shak-shak’ e bardhë, e kuqe, e verdhë, fatin e tyre.
Nuk i tha që viti akademik, do vetëm pak ditë të fillojë dhe auditorët në shumë universitete publike do të jenë bosh, për shkak të paaftësisë së tij e ministres së tij. Harroi të pranojë që udhëzimi i tij e detyron maturantin të regjistrohet në një degë që ai nuk e dëshiron, por që e ka shënuar nga halli. Kjo degë me gjasa është gjithmonë në universitet jopublik, si ai ku është ngjitur Rama. Bën tellallin e u thotë maturantëve që e keni ju në dorë procesin.!? E habitshme!!! Kjo është tamam me jua lënë ….në prehër, pikërisht atyre që vuajnë pasojën e këtij dështimi!! Më e bukura është se u mburret se ato nuk do të paguajnë më lekë për të fituar të drejtën e studimit, pikërisht nga një vend ku, për Bachelor të duhen deri në 2000 € e për Master deri në 3000 €!!!!! Kjo nuk është tallje me maturantët. Është përçmim e mospërfillje totale”, shprehet Boçi.