Bode: Basha të gjejë urat e komunikimit, jam gati të jap kontribut

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD, Bode i kërkoi Bashës që të gjejë urat e komunikimit dhe të pajtimit me të gjithë faktorët në PD me qëllim krijimin e një platforme të bashkimit. Bode deklaroi në një intervistë në “abcnews” se ai është i disponueshëm dhe është i gatshëm që të japë kontribut në këtë proces. Deklaratat e Bodes janë të parat në radhët e një sërë kritikash ndaj Bashës që mund të konsiderohen si racionale dhe i shërbejnë frymës së bashkëpunimit që po kërkohet nga të gjithë demokratët. “Duhet të ketë domosdoshmërisht kohezion brenda PD”, u shpreh Bode. Ai ka kritikuar mënyrën se si Basha i largoi nga përfaqësimi politik në fushatë, duke i hequr nga lista e deputetëve; “Të paktën duhet të na kishte thirrur dhe duhet të na kishte komunikuar vendimin, pasi jemi deputetë”, u shpreh Bode.
Ish-ministri i Financave dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, i cili është një nga “senatorët” me peshë të madhe në këtë parti është i ftuar në “abcnews” për të analizuar gjëmën që i ka ndodhur Partisë Demokratike.
Në fillim të intervistës, Bode i cili është një nga të përjashtuarit nga Lulzim Basha në listat e PD, theksoi se Partia Demokratike ndodhet në situatën më të rëndë të saj.
Bode tha ndër të tjera se, gjëja më e keqe që po i ndodh PD pas kësaj humbje katastrofike është shpejtësia e rrufeshme për të zhvilluar zgjedhjet për kryetar dhe mungesa e kohës për të reflektuar.
“Ngutja për të shkuar në shpejtësi të rrufeshme dhe mungesa e kohës për të reflektuar është gjëja më e keqe që po i ndodh PD pas humbjes. Ne kemi nevojë për analizë të gjerë dhe reflektim. PD ndodhet në momentin më delikat që është gjendur ndonjëherë që nga themelimi i saj. Nisur nga fakti që pësoi humbjen më të thellë që ka pasur opozita, pra që për herë të parë bie nën 30%”, tha Bode.
“Basha i pranonte propozimet, por nuk i çonte asnjëherë deri në fund ato që premtonte. Ai nuk i çonte kurrë deri në fund asnjëherë ato që merrte përsipër në bisedë me ty. Kishte një retorikë të madhe mes asaj që thoshte dhe asaj që bënte”, tha Bode.
“Ai hoqi simbolet dhe figurat e PD për të krijuar një forcë siç e donte ai. Tha që kishte një listë fituese. Ai tha se, kjo i kishte shtuar njerëzit në mitingje, por në fakt ai nuk bëri asnjë miting. Kam dëgjuar që tani na akuzojnë se nuk bëmë fushatë aq sa duhej, por neve nuk u thirrëm dhe nuk na u dha asnjë detyrë në fushatë.  Më erdhi keq që nuk isha në listë, por më keq më erdhi për mënyrën se si ndodhi”, thotë Bode në një intervistë për gazetarin Endri Xhafo në abcnews.

Exit mobile version