Bojkot Kombëtares

Arritja më e madhe në historinë e futbollit shqiptar, pjesëmarrja në Francë 2016, erdhi edhe falë tyre. Janë shpirti dhe zemra e Kombëtares kuqezi. Janë gati të bëjnë mijëra kilometra e çdo sakrificë vetëm për të brohoritur “Shqiperi” e dhënë zemër Kombëtares, por sot detyrohen ta bojkotojnë atë në ndeshjet në shtëpi, si pasojë e klimës së terrorit që i’u nënshtruan nga shteti dhe forcat e rendit në sfidën kualifikuese Shqipëri-Izrael.
Tifozët Kuq e Zi bojkotojnë Kombëtaren. E trishtë ta dëgjosh e mendosh. Janë ata që shpalosën identitetin tonë kombëtar në Francë, duke bërë që anë e mbanë botës, fjala Shqipëri të përmendej më me respekt. Mbushen stadiumet e sheshet e Francës, duke u kthyer në një motiv të padiskutueshëm kombëtar.
Ishin spektakli më i bukur në Xhenoa gjatë ndeshjes me Italinë, i kanë respektuar në Lihtenshtejn e Zvicër. Kudo ku kanë qenë kanë sjellë festë e gëzim. Por, së fundmi ju rezervua trajtimi më i keq i mundshëm.
Ata që duan e mbështesin Kombëtaren u kthyen në viktima të një klime terrori. Mijëra policë të të gjitha llojeve, që krijuan një klimë a thua se në Elbasan po bëhej luftë. Orë të tëra në pritje për t’u futur në stadium dhe kontrolle deri poshtëruese. Plisat i nxorën nga stadiumi për një absurditet. Shverecerat i ndaluan madje të hyjnë në Shqipëri.
Sot ata thonë “Mjaft”. Si pasojë e kësaj sjelljeje të organeve shtetërore janë detyruar të bojkotojnë atë që duan më shumë: Kombëtaren kuqezi. Në ndeshjet brenda, pasi do të vazhdojnë ta mbështesin në transfertë. Aty ku i respektojnë. Këtu shteti i trajton si të papërfillshëm.
Siç bëri në fund të fundit edhe me tifozët e Partizanit, që i masakroi në shkallët e stadiumit. Tifozët sot i sugjerojnë të mbushin shkallët e stadiumeve me policë e skafandra. Përballë një spektakli të tillë të shëmtuar, ndoshta edhe shtetarët do të kuptojnë se janë ata, tifozët, faktori më i rëndësishëm. Se futbolli luhet për ta.
“Ajo që ndodhi në ndeshjen Shqipëri-Izrael, nuk kishte të bënte asgjë me lojën e bukur të futbollit. Atë ditë, tifozët shqiptarë prezent në stadium (dhe jo vetëm) ishin viktimë e terrorit shtetëror. Andaj, përshkrimi apo prezantimi i çfarëdo fakti, nuk mund ta përshkruajë terrorin që tifozët shqiptarë përjetuan nga Policia e Shtetit shqiptar. Ne jemi tifozë, që e duam këtë Kombëtare dhe këtë Shqipëri.
Për arsyen e lartcekur, Tifozat Kuq e Zi, kemi marrë vendim të bokotojmë të gjitha ndeshjet e radhës brenda, përfshirë këtu edhe ndeshjen me Lihtenshtajnin. Kombëtaren do ta përcjellim vetëm në transferta, atje ku na respektojnë. Me këtë rast, ftojmë Policinë e Shtetit shqiptar, që të pajisur me kallashnikovë dhe me armë të tjera, të bëjë tifozin në tribunë. Për veprimet dhe format e organizimeve tona të radhës, do t’iu njoftojmë me kohë”, thuhet në deklaratën e Tifozave Kuq e Zi.

Artikulli paraprakDosjet e spiunëve në duart e persekutorëve të shqiptarëve
Artikulli tjetërQeveria sjell në Parlament TEC-in e mbetjeve organike në Korçë