Bojktoti i institucioneve të drejtësisë ndaj komisionit ‘Xhafaj’ është për t’u përshendetur

Ervis Iljazaj

Të gjitha institucionet e pavarura të drejtësisë bojkotuan në bllok komisonin anti-korrupsion parlamentar të drejtuar nga Fatmir Xhafaj. Nga Gjykata Kushtetutese e deri te SPAK, refuzuan të marrin pjesë në një komision absurd në emër të luftës ndaj korrupsionit. Me argumenta të ndryshme, por sjellja ishte e njëjtë. Gjykata Kushtetutese u shpreh se nuk mund të marrë pjesë në aktivitete legjislative, ndërsa SPAK unanimisht u shpreh se i ka kryer të gjitha detyrat që i ka caktuar ligji dhe se kërkesat për funksionimin sa më efikas të këtij institucioni i ka bërë publike.

Në këtë kuptim, duket sikur komisioni parlamentar anti-korrupsion nuk do të funskionojë ashtu sikurse e kishte menduar mazhoranca. Të vetmit tashmë që mund të ulen aty janë deputetët e opozitës, por edhe ata duken të zënë me bojkotin e përgjithshëm të parlamentit. Në të ardhmen ndoshta mund të vijë konteksti që të ulen.

Sjellja e institucioneve të pavarura të drejtësisë është një sjellje normale brenda parimeve të ndarjes së pushteteve, llogaridhënies dhe parimeve të përgjithshme të demokracisë. Raporti i tyre me parlamentin rregullohet nëpërmjet ligjit dhe Kushtetutës. Çdo raport tjetër i denatyron ato nga funksionet e tyre.

Komisioni anti-korrupsion në fakt është një komision i cili denatyron rolin e parlamentit dhe organeve të tjera të pavarura, si dhe cënon parimet e ndarjes dhe balancës së pushteteve. E vërteta është se një komision me një natyrë të tillë nuk ekziston në asjë parlament tjetër. Ky i Shqipërisë është më shumë një rast unik se sa i rrallë. Funksionet janë të qarta në një republikë parlamentare. Parlamenti përfaqëson politikisht qytetarët, aprovon ligje dhe mbi të gjitha kontrollon aktivitetin e qeverisë. Nuk është detyrë e parlamentit të luftojë korrupsionin. Nëse parlamenti ka nevojë të aprovojë ligje në këtë drejtim ka komisionet e përhershme për ta bërë këtë gjë, dhe aty mund të marrë çdo ‘feed back’ për luftën ndaj korrupsionit. Çdo komision tjetër i posaçëm për luftën ndaj korrupsionit është thjesht një fasadë e mirë për të propaganduar më shumë luftën ndaj korrupsionit, por që s’ka asnjë lloj efikasiteti.

Aq më tepër që Shqipëria nuk vuan aspak për ligje dhe masa ndaj korrupsionit. Ndoshta Shqipëria është vendi me më shumë ligje, masa apo reforma në luftën ndaj korrupsionit, e megjithatë ajo renditet në të gjitha raportet ndërkombëtare të besueshme si një vend i korruptuar. Problemi i Shqipërisë nuk janë ligjet, por pavarësia e drejtësisë dhe vullneti i saj për të luftuar korrupsionin. Shqipëria mban rekord në projektet për të luftuar korrupsionin, madje kemi edhe një ministri anti korrupsion që nuk ekziston në asnjë vend tjetër të botës si e tillë. Por përsëri korrupsioni mbetet një nga problemet kryesore të Shqipërisë. Ajo që duhet të bëjë Shqipëri në këtë drejtim është qëndrimi larg i pushtetit ndaj organeve të drejtësië; ti lejojë ato të punojnë në pavarësi të plotë dhe ti japë të gjitha instrumentat financiarë dhe strukturorë. Dhe SPAK disa arritje i ka patur në këtë drejtim.

Në këtë ktuptim, organet e drejtësisë nuk mund të merrnin pjesë në një komision që duket haptazi që është një komision propagande politike duke cënuar autoritetin dhe pavarësinë e tyre. Edhe emri i komsionit është një emër totalisht politik. Quhet komsionin për Shqipërinë 2030, i cili është slogan politik i mazhorancës. Nëse këto institucione do të merrnin pjesë, do të bëheshin automatikisht pjesë e kësaj propagande. Nëse qeveria kërkon që të ndërmarrë masa kundër luftës ndaj korrupsionin brenda aktivitetit të saj ekzekutiv kjo është e mirëpritur. Por nëse e bën këtë me një komision parlamentar dhe që i bën thirrje të gjithë aktorëve dhe institucioneve për tu përfshirë në të, nuk bën gjë tjetër veçse korrupsionin e lë pa autor, pa përgjegjës dhe llogaridhënia e përgjegjësive të korrupsionit kthehet në propagandë. Prandaj mosmarrja pjesë e institucioneve të drejtësisë në këtë komision është për tu përshëndetur.

Exit mobile version