Boll me Shqipërinë sovjetike!

Artan FUGA

A do të ketë ndonjë ditë ndonjë strategji muzeale si duhet ky vend, apo do të rënkojë e vuajë paprerë nga një paraqitje muzeale sipas metodës zhdanoviste – sovjetike që e ka mbërthyer për fyti të gjithë të kaluarën tonë dhe nuk po na le as ta mësojmë, as ta thithim, as të ushqehemi prej saj?  Shkon në muzera që pretendohet se do të të tregojnë botën, mentalitetin dhe artin ilir, dhe nuk gjen gjë tjetër veçse pothuajse enë, monedha, shtylla, gurë mermeri të kulturës helenike, shprehje e komuniteteve helenike e greke në ato vend-qendrime urbane të kohës. Shkon për ilirë e mëson helenët.  Shkon për të vizituar kisha e muze të vendeve të shenjta, dhe brenda të propozojnë artin e bërë atje, por jo besimin dhe kulturën shpirtërore. Në Korçë të shpjegojnë artin mesjetar, por jo trashëgiminë në besime. Shkon në Voskopojë, kishat i kanë lënë të humbasin në ferra e akoma si kazerma. Në Berat, kishat nuk janë veçse vende për të ekspozuar pikturat e Onufrit në planin estetik.  Nuk e di more t’i se shqiptarët kanë pasur besime të cekta fetare??? Çfarë fyerjeje për kombin!!! Kanë ndryshuar fenë sipas pushtuesve që kalonin? Se feja nuk është autentike shqiptare, por e ka sjellë okuptaori??? A thua se grekërve nuk ua solli okupatori, se gjermanëve, francezëve, rumunëve, dreqit e të birit nuk ua solli okupatori, sepse feja monoteiste ka vatrat e saj të mëdha nga ku nuk shpërndahet me misionarë a me shpatë, a me të dyja bashkë!  Shkon në Muzeun e Gjergj Kastriotit në Krujë dhe brenda ndodhesh sikur je në pallatin e kongresve, Gjoja i rinovuar nën totalitarizëm pa i lënë gjurmë gjë pe gjëje kështjellës të këtij fisniku. Edhe atë si Hero e paraqesin si të vetmuar sikur të kishte pas qenë kuadër i lartë stalinist. Ai dhe populli pas, sipas skandaleve ideologjike të kohës moniste, si raport ekskluziv i udhëheqësit me masat, pa asnjë forcë a individë tjetër që kontribuon njësoj si ai për historinë.  Kështjellat që ishin pika rezistence ndaj osmanit okupator, na i pajisin me pllaka si të themeluara nga osmani që i shkatërroi dhe i rindërtoi pjesërisht si garnizone, por duke zhdukur autoktoninë kulturore vendase.  Kalatë pa treguesa e pa pllaka. Kalaja e Beratit pa një shtëpi muze beratase. Muze për folklorin, për mitet dhe besimet, këngët e vallet popullore, as bëhet fjalë.  Edhe muzeu i fotos Marubi në Shkodër promovohet nëpër studio televizive si shërbim fonoteke për shqiptarët që duan të gjejnë gjyshen me gjyshin në resme, dhe jo si art i madh modern i kohës në risinë dhe prurjet e tija madhore në jetën e vendit.  Muze për genocidin kundër çamëve, kosovarëve, klerit, – as bëhet fjalë.  Muzeu historik i bunkerizuar pas mozaikut me atë femrën e frikshme që mban në duar flamujt, armë a sopata… Muzeu bunker dhe bunkeri muze.  Monumentet dhe bustet e njerëzve tanë të mëdhenj, as të ngrohin e as të ftohin, të duket se i njëjti njeri është gjithandej, por herë vesh pallton e Ismail Beut, herë të Wilsonit e herë të Çurçillit. Pse sheh ndonjë shkollë a ndonjë tufë lule atje…Ikin kalamaqët të trembur se kanë frikë se u dalin në gjumë!  Pak më tej, bunkeri i vërtetë mbrojtur nga organet e rendit si muze.  Shtëpia me gjethe muze, muzeut të vërtetë i kanë rënë gjethet. Ekspozimet si të shekullit të kaluar në kulturën muzeale.  Pallati mbretëror i pavizitueshëm. Identitetin e shohin si largim nga Perandoria osmane, pra në referim me të, a thua se nuk kishte një Mesjetë paraosmane shqiptare, a thua nuk kishte parardhës që prisnin këtej kryqtarë, që dëgjonin predikimet e shën Palit në Selanik, nuk kishte ilirë që deportoheshin si skllevër në Romë, etj. Muze për kulturën e minoriteteve dhe gjuhëve etnike në trevat shqiptare, as bëhet fjalë, është herezi për burrërinë tonë centralizuese. Minoritetet të rrinë mirë atje ku janë, pak klasa si shkolla aty këtu, pa teatro e kinemara, pa subvencionime për grupe muzikore, pa minutazh transmetimi në televizione. Nuk është totalitarizëm i djathtë e nacionalizëm kulturor ky, e ke gabim! Madje edhe komuniteteve fetare, shteti duhet t’ua aprovojë krerët si në kohën e Naltmadhnisë, pa pranuar se kohët kanë ndryshuar në këtë botë në demokratizim. As bëhet fjalë të gjenden muzera lokale për fisnikët shqiptarë që ngritën krye në provinca kundër Perandorisë. Çfarë the? Për ata banditë që u bënë pashallarë, duke vrarë e duke grabitur? A thua se fisnikët e vendeve të tjera ua dha pasuritë vetë Zoti! Çfarë mazokistësh që jemi! Muze për kanunet e Veriut e Jugut? Perlat tona juridike dhe institucion – formuese i paraqesin si alergji të shqiptarëve ndaj ligjit. As mos të shkojë ndërmend të kërkosh mbetjet romake, latine, në arkeologji, sepse i kanë zhytur gjoja padashje nga urrejtja poshtë pallateve të shëmtuar, në bodrume via ignatia…Prodhime dokumentaresh për pasuritë tona kombëtare me subvencionime nga shteti? Çfarë dashke!!! Kënaqu mo me filmat e realizmit socialist që jep arkivi i televizioneve, Coli, Loli, nëndetësja, Zotnia R., etj. Dasëm në katund, etj. Edhe në gjuhë, se mos përmendni shprehjen se shqipja ka lidhje me gjuhët latine… Jo, jo është vetëm dhe eksluzivisht indoeuropiane, pellazge, etruske, ndonëse nuk ka mësues gjuhe ta dijë se çfarë do të thotë saktësisht kjo gjë, a thua se gjuhët latine nuk zbresin edhe ato përtej kohëve të errta pararomake…Kulturën dhe shkencën mbi Shqipërinë e kemi sovjetike, politikën gjoja e duam europiane. Koka andej trupi këtej. Të grrinë Ali pasha të grrinë.

Exit mobile version