Nga Enver Bytyçi
Në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht. Njësoj si në skenat filmike e teatrale edhe në skenën politike veprojnë në harmoni regjisori, skenaristi, producenti, si dhe të gjithë aktorët politikë. Zaev u përzgjodh të aktrojë diçka interesante për publikun dhe për interesat gjeopolitike të caktuara. Ai nuk e kishte kritikuar hapur idenë e ‘korrigjimit të kufijve’ të Kosovës. Madje pati pranuar një zgjidhje të tillë, nëse ‘palët bien dakord’ dhe nëse ‘zgjidhja nuk destabilizon vendet e tjera’.
Në fakt Zaevi i kujdesshëm në publik lidhur me dialogun dhe konfliktin shqiptaro-serb të Kosovës, duhej shfaqur në origjinal, siç vërtet ishte, përtej iluzioneve dhe mantelit politik e diplomatik që ai donte të mbante. Telefonata që dy komedianët rusë i bënë atij dhe publikimi i bisedës, në të cilën kryeministri i Maqedonisë shfaqej i zemëruar dhe irrituar me planet e kurdisura midis Putin, Vuçiç, Ramës, Thaçit dhe Erdoganit për ndarjen e Kosovës, gjithashtu nuk mund të konsiderohet si lojë e rastit! Ose dikush në Moskë ka dashur të dijë opinionin real të Zoran Zaev, ose dikush jashtë Moskës ka dashur ta angazhojë atë kundër kauzës ruso-serbe për tjetërsimin e territoreve të shtetit më të ri në Europë. Ka më shumë gjasa të jetë kjo e dyta, po të kemi parasysh se për publikimin e bisedës duhet të jenë të interesuar fuqitë perëndimore, të cilat janë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.
E gjitha ka ndodhur në një kontekst të caktuar. Vendet e rajonit, Mali i Zi, kryeministri boshnjak, Kroacia, Sllovenia, madje dhe Bullgaria, Rumania, Sllovakia e Greqia, ishin shprehur kundër ndryshimit të kufijve në rajon. Kundërshtia e tyre vinte për shkak se shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë do të shërbente si precedent për ndryshime në hartën politike të të gjitha shteteve të rajonit. Më të rrezikuara nga kjo do të ishin Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina. Ndaj duhej një pozicionim i qartë i kryeministrit maqedonas.
Telefonata na dëshmon se Zaev në prapaskenë ka vepruar fort. Ka telefonuar zonjën Merkel dhe zv. Presidentin Amerikan Pence, të cilëve u është ankuar për veprimtarinë kriminale të tre liderëve ballkanikë, Rama-Thaçi-Vuçiç në shërbim të Moskës dhe Ankarasë në lidhje me integritetin territorial të Kosovës. Ai ka shfaqur pakënaqësi dhe na dëshmon një të dhënë të rëndësishme për opinionin publik. Të dhënën se projekti për shkëmbimin apo korrigjimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës nuk ishte i Hashim Thaçit, siç ai u përpoq me forcë ta shiste te shqiptarët. Ky projekt ishte i Moskës dhe i Beogradit dhe kishte mbështetje edhe në Ankara, për shkak të ambicieve anti-europiane të presidentit turk.
Publikimi i bisedës së Zaev zbulon gjithashtu një fakt tjetër. Se miqësia e ngushtë midis kryeministrit të Shqipërisë dhe kryeministrit të Maqedonisë kishte marrë fund. Nëse para pak vitesh Edi Rama e përkrahu Zoran Zaev, kjo mbështetje kishte marrë fund me angazhimin e kryeministrit shqiptar për ndarjen e Kosovës. Ftohtësia e këtyre marrëdhënieve ishte vënë re edhe në raste të tjera. Dhe e gjitha kjo nuk ishte një rast i veçuar. Edi Rama i mbështetur fuqimisht nga Angela Merkel në vitin 2014-2015 me angazhimin e tij në projektin serbo-rus të ndarjes së Kosovës u shndërrua në njeriun më të padëshiruar në Berlin dhe jo vetëm në Berlin.
Publikimi i bisedës së zotit Zaev ka dhe një dimension tjetër. Në kontrast me kryeministrin, presidenti maqedonas u shpreh hapur gjatë fushatës presidenciale dhe pas zgjedhjes së tij kundër projektit të ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Ky përcaktim i zotit Pendarovski nxiti zotin Zaev që të përforconte bindjet e tij për rrezikun që paraqiste zbatimi i atij projekti. Veçmas Maqedonia do të ekspozohej menjëherë me kërkesën e vendosur të shqiptarëve për t’iu bashkëngjitur Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo do të thoshte shkërmoqje e shtetit të Maqedonisë së Veriut, përfundimisht krijimin e kaosit dhe vatrës më të rrezikshme të konfliktit në rajon.
Një revoltë dhe kërkesë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për ndarje, do të çonte në një luftë në të cilën do përfshiheshin Shqipëria, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Turqia, thuajse të gjitha kundër njëra-tjetrës. Në kuptimin e aleancave nuk do të ngjante kjo luftë as me Luftën e Parë Ballkanike.
Prandaj duhet besuar se gjithçka ishte orkestruar në atë formë që Maqedonia jo vetëm të shpallej si kundërshtuese e planit serbo-rus për ndryshim të kufijve në Ballkan, por dhe për të zbuluar burimin e këtij projekti që do të duhej të fillonte me Kosovën dhe të diskreditonte rolin e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës për zbatimin e tij. Mungesa e një reagimi të drejtpërdrejtë nga ana e kryeministrit në Shkup kundër shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, solli një metodë tjetër të publikimit të qëndrimeve të qeverisë maqedonase kundër këtij akti. Kjo përforcon idenë se kufijtë në Ballkan nuk mund të ndryshojnë më. Çdo përpjekje për të tilla ndryshime do të ishte me pasoja katastrofave për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e evropian.