Rusia ka bombarduar mbrëmjen e djeshme kryeqytetin e Ukrainës. Sipas informacioneve nga këto bombardime është goditur edhe godina ku ndodhet ambasada Shqiptare në Kiev.
“Gjashtë ambasada u dëmtuan si rezultat i sulmeve me raketa ruse në Kiev, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Tykhy.
Bëhet fjalë për ambasadat e Shqipërisë, Argjentinës, Palestinës, Maqedonisë së Veriut, Portugalisë dhe Malit të Zi. Ambasadat janë të vendosura në të njëjtën ndërtesë”,-shkruan kryebashkiaku i Kievit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka dënuar këto sulme të Rusisë të cilat i ka quajtur brutale.
“Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës.
Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”,-thuhet në deklaratën e Ministrisë.