“Kur loja bëhet e fortë, të fortët futen në lojë”. Kjo është një shprehje që vlen shumë për Bekim Balajn në këto momente. Kapiteni i Vllaznisë që kishte një periudhë të gjatë “agjërimi” në kampionat përsa i përket shënimit të golave, tashmë është rikthyer sërish i rëndësishëm.
Sulmuesi shkodran gjeti golin e dytë radhazi në ndeshjen e fundit kundër Elbasanit, sfidë e përfunduar në shifrat 1-1. Ish-futbollisti i Kombëtares kishte shënuar edhe një javë më parë në suksesin 3-0 të kuqebluve ndaj Dinamos.
E tani në momentin ku kampionati është në fazën e tij më të “zjarrtë”, golat e Balajt kërkohen më shumë se asnjëherë në kampin kuqeblu. Dhe lideri i ekipit shkodran nuk zhgënjen aspak në këto momente ku pritet më shumë nga ai. Me dy golat e shënuar në 2 javët e fundit, po ashtu 34-vjeçari është tashmë i vetëm në tabelën e golashënuesve më të mirë. Me 16 gola në llogarinë e tij, ku ka mbetur vetëm 1 javë nga përfundimi i sezonit të rregullt, Balaj mbetet pretendenti kryesor për fitimin e “Këpucës së Artë”.