Më në fund, ndodhi e pamundura. Leonardo Bonucci kthehet te Juventusi, pas vetëm një viti “mërgimi” në Milano. Për të mundësuar rikthimin e mbrojtësit në bazë, Marotta dhe Paratici sakrifikuan Caldara. Një “all-in” në të tashmen, për ta lexuar si një përforcim shtesë për Champions-in.
Bonucci u ul në aeroportin e Torinos, Caselle, rreth orës 11:00, por u ballafaqua direkt me një situatë zhgënjyese, edhe pse të pritshme, ndoshta, prej tij. Asnjë tifoz nuk kishte dalë për ta pritur, duke qenë se për ta konsiderohet ende “tradhtar”, me largimin që bëri vjet dhe me mënyrën e festimit të golit në fushën e Juventusit, sezonin e kaluar.
Aty e ka pritur vetëm një “Jeep” i zi, që e solli menjëherë në “J-Medical” për vizita mjekësore. Vetëm pasi të kalojë ato, Bonucci mund të nënshkruajë kontratën, që do ta lidhë sërish me Juventusin. Dhe të mendosh pritjen entuziaste, që i bënë tifozët kuqezinj Gonzalo Higuain në Milano, me pritjen inekzistente të sotmen karshi Bonuccit, kupton se nga shkëmbimi tresh, që përfshin edhe Caldara, më triumfues duken të parët.