Leonardo Bonuçi ndjehet krenar me Juventusin pasi eliminoi Barcelonën në çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Sipas mbrojtësit, fakti që bardhezinjtë i shënuan tri gola dhe nuk pësuan në “Kamp Nou” është tregues i forcës së “Zonjës së Vjetër”, ndaj asnjë kundërshtar nuk dëshiron të ndeshet me ta.
“E dinim që Barcelona ishte e gatshme të rrezikonte gjithçka sonte, por ne i mbyllëm të gjitha hapësirat. Të shënosh tri gola në ndeshjen e parë e të mos pësosh në ‘Kamp Nou’ është tregues i një skuadre të madhe, i një grupi të shkëlqyer. Tani duhet të hedhim një tjetër hap të vështirë drejt finales së Kardifit.
Mesi? Jam shumë i lumtur që e këmbeva fanellën me të pas fishkëllimës së fundit, pasi ai është më i miri ose mes dy lojtarëve më të mirë në botë. Shorti? Mendoj se tani të gjithë duan të na shmangin”, ishin fjalët e 29-vjeçarit pas barazimit pa gola.