E premtja e Leonardo Bonuçit te Milan. Pas një të enjteje plot tratativa e adrenalinë, në 1:30 të natës është mbyllur takimi mes Alessandro Luccit, agjent i futbollistit dhe Marco Fassones, administrator i deleguar i Milanit. Mbrojtësi më i fortë në Itali së shpejti do të veshë fanellën kuqezi dhe do të lërë Juventusin pas 6 titujsh radhazi. Për Milanin e ri kinez, është një goditje me impakt të madh në aspektin teknik, mediatik, por edhe atë të lidershipit. Bonuçi pritet të kthehet menjëherë në një nga pikat e referimit në fushë dhe dhomat e zhveshjes.
Operacioni është i bujshëm edhe në aspektin ekonomik. Milani dhe Juven i ndajnë vetëm 5 milionë euro, oferta kuqezi është 35 milionë, kërkesa bardhezi për 40, nuk është një distancë e pakalueshme. Bonuçi bashkë me bonuset do të përfitojë 10 milionë euro në sezon, duke u kthyer në lojtarin më të paguar të kampionatit italian. Akordi personal është me një pagë prej 7.5 milionë eurosh në sezon, plus 2.5 milionë në formë bonusesh të lehta për t’u arritur. Për Milanin është një goditje e rëndësishme për të ardhmen.
Në mëngjes pasi u përshëndet me shokët në Vinovo, Bonuçi u paraqit me agjentin e tij në selinë e Juves për të përcaktuar detajet e fundit, për Milanin do të jetë goditja e dhjetë në merkato pas Musachios, Kessie, Rodriguez, Andre Silva, Borini, Conti, Calhanoglu, Biglias dhe rinovimit të Donnaruma-s. Një goditje e fundit që ka entuziazmuar pa masë tifozët e Milanit. Mbeten për t’u mësuar vetëm pak detaje, si për shembull numri i fanellës së Bonuçit që ka kërkuar 19, si te Juventus dhe kombëtarja italiane.
Për sa i përket Romanjolit, orët e fundit drejtuesit e Milanit kanë bërë të ditur se nuk kanë në plan ta shesin. Sipas mediave italiane, oferta e papritur e Milanit ka të bëjë me 30 milionë euro, plus De Shiljon, i cili mezi pret të largohet, teksa në Torino pretendojnë 40 milionë kesh pa asnjë futbollist si kundërpeshë. Sido që të përfundojë kjo çështje, palët kanë rënë dakord se në rast se Bonuçi i drejtohet Milanos, bardhezinjtë do të duhet të blejnë Matia de Shiljon.
Për sa i përket 31-vjeçarit bardhezi, mësohet t’i jetë propozuar edhe shiriti i kapitenit, plus 6 milionë euro në sezon. Në ambientin e menaxherëve të futbollistë qarkullojnë zëra se afrimi i Bonuçit ka qenë një nga arsyet e rinovimit të Donarumës, si një premtim i drejtuesve që pas firmës së 18-vjeçarit me kuqezinjtë.
Martina Makari, bashkëshortja e mbrojtësit bardhezi, me një vizitë në Milano u ka shtuar detaje më pikante lajmeve në lidhje me transferimin e bujshëm. Zonja Bonuçi, siç thamë, është parë në Milano, ku duket se kërkon shtëpi. Pikërisht banesa e re shton edhe më shumë mundësitë për një akord në prag arritje mes palëve.