Bonuçi vendos të largohet nga Torino

Pas disa javëve në gjumë të pjesshëm letargjik, merkatoja rizgjohet me një lajm të bujshëm. Qendërmbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonuçi, ka darkuar ditën e diel në një restorant të Romës, me drejtorin teknik të Interit, Valter Sabatini.
Janë takuar si dy miq të mirë apo për të nisur bisedimet rreth një transferimi të mundshëm të tij te zikaltrit, ekip me të cilin debutoi në Serinë A në sezonin 2005-2006? E sigurt është që raporti ndërmjet mbrojtësit dhe Juventusit kohët e fundit nuk ka qenë aspak i qetë.
Një nga arsyet janë edhe prapaskenat që dolën pas ndeshjes me Realin e Madridit në Kardif, ku Leonardo Bonuçi kishte debatuar me sulmuesin Paulo Dibala, por më kryesorja është raporti me Masimiliano Alegrin, që pas ndeshjes me Palermon, patën një zënkë, nuk ka qenë si më parë.
Bonuçi, që në maj mbushi 30 vjeç, është pjesë e Juventusit që nga korriku i vitit 2010 dhe që nga viti 2012 është pjesëtar i BBC-së bashkë me Barzaljin dhe Kielinin. Ai ka luajtur një rol kyç si me Konten, ashtu edhe me Alegrin më pas, por edhe në kombëtare ka qenë një nga më të mirët e ekipit të tij, ku më 2016-ën u eliminuan në çerekfinale nga Gjermania pas gjuajtjeve të penalltive.
Antonio Konte, trajneri aktual i Çelsit dhe ish-trajneri i Juventusit dhe i Italisë, është vënë në gjurmët e mbrojtësit italian që në momentin kur nënshkroi kontratën e tij me anglezët. Disa ditë më parë, në mediat italiane qarkulloi një lajm që Çelsi kishte prezantuar një ofertë prej 120 milionë eurosh për dyshen Bonuçi-Aleks Sandro.
Largimi i Bonuçit nga Torino duket se do të ndodhë gjatë kësaj merkatoje, duke parë raportin jo të mirë me Alegrin dhe mungesën e motivimit. Kalimi i tij tek Interi duket e vështirë, por jo e pamundur, pasi dhe Luçiano Spaleti disa ditë më parë pohoi se goditjet e mëdha të zikaltërve do të bëhen në qendër të mbrojtjes. Mos vallë i është referuar Leonardo Bonuçit?

Artikulli paraprakProblemi i Moratas
Artikulli tjetërDy vite pa asnjë blerje